Clickbait artikujt zunë hapësirën më të madhe në sferën keqinformuese në Kosovë gjatë javës që shkoi. Ato kishin të bënin me zhvillime për trustin dhe ngjarje që nuk kishin të bënin me Kosovën. Kategoria e dytë që ka dominuar sferën e keqinformimit në ekosistemin medial në Kosovë është dezinformata. Dezinformata kishim rreth ndihmave në Siri, për parashikimet e motit në Kosovë, e për rrezikshmërinë e lisë së majmunit.
Përmbajtje të pa verifikuar me pretendimin se një tërmet ka godit më 14 janar Kosovën.Teori konspirative lidhur me pretendimin se Michael Jackson është gjallë dhe për ekzistimin e një makine të vjetër të pijeve, e cila dërgon në të kaluarën.Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar urimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke e përkthyer gabimisht pjesën e mesazhit: “me qëllimin eventual të njohjes reciproke”. Lajm i rremë me pretendimin se Kurti dëshiron vrasjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.DezinformatëFotografia e shpërndarë nga “Zëri.info” në faqen e tyre në Facebook me pretendimin se paraqet karvanin me ndihma nga Libani në Siri nuk është i vërtetë. Fotografia paraqet kolonën e trafikut pas përfundimit të orarit të punës si rezultat i borës në zonën Dahr Al Baydar. (këtu)Portali i dyshimtë “fb.cnews.com” ka publikuar një intervistë të vjetër (4 janar) të meteorologut Sylë Tahirsylaj, i cili atëkohë kishte paralajmëruar për rënien e temperaturave. Këtë artikull, portali i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual, duke i vënë edhe titull të sajuar me pretendimin se Tahirsylaj ka paralajmëruar dimër të ftohtë, i cili do të mbahet mend. Përveç nga portali i dyshimtë, artikulli u shpërnda edhe në Facebook nga faqja “Lajme news”, e që në mbishkrim ka pretenduar rrejshëm se Tahirsylaj ka paralajmëruar mot me temperatura të ulëta deri -20 gradë celsius. (këtu)Portalet e dyshimta “newslink4.com” dhe “theglobalreport24.com” kanë publikuar një artikull të vjetër (maj 2022) në lidhje me rrezikshmërinë për “linë e majmunit”. Këtë artikull, këto portale të dyshimta janë munduar ta paraqesin si aktual, duke i shtuar në titull vlerësimin si e “E FUNDIT”. (këtu)Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “ingazetaa.com” ka publikuar një artikull me titull “Gjermania miraton ligjin e ri për të huajt ja si të merrni leje qëndrimi”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në korrik të vitit 2022. (këtu)ClickbaitFaqja në Facebook “33shi.com” ka publikuar një artikull të vjetër (3 janar 2023), me deklaratën e iniciuesit të Projektligjit për tërheqjen e Trustit, Bekim Haxhiu, i cili atëkohë ishte shprehur se ky projektligj do të jetë në rend dite qysh në seancën e parë në Kuvend. Faqja e lartcekur e ka publikuar këtë artikull të vjetër me pretendimin ta paraqesë si aktual. (këtu)Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një grua, trupi i së cilës është gjendur i copëtuar brenda një çante në një park të Parisit. Por, në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë. (këtu)Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër (tetor 2022) në lidhje me deklaratën e Hetem Ramadanit, i cili atëkohë në emisionin “Kojshia Show” kishte thënë se Albin Kurti është i rrezikuar të vritet nga mafia. Por, faqet e lartcekura, përmes titullit pretendojnë se “dihet mafia që do ta vras Kurtin”. Në përmbajtje bëhet e qartë se Ramadani nuk ka folur specifikisht për ndonjë emër të grupit mafioz, por vetëm është shprehur se ai rrezikon të vritet nga persona që kanë interes material. Pra, me anë të titullit, lë të kuptohet se Ramadani ka përmendur ndonjë emër të përveçëm të individëve apo grupeve mafioze, që sipas tij mund ta vrasin Kurtin. (këtu)Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur dëbimin e katër diplomatëve austriakë nga Rusia. Por, në titull nuk sqarohet se cili shtet ka marrë këtë vendim. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë. (këtu)Portali informativ “Insajderi.org” ka publikuar një artikull me titull “Kurti i del në mbrojtje Dejona Mihalit”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se titulli i këtij artikulli, duke u bazuar në komentet e bëra nga lexuesit, ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për kryeministrin Kurti. Në përmbajtje bëhet e ditur se bëhet fjalë për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti. (këtu)Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me sindikatën gjermane “Verdi” në Frankfurt, ka kërkuar rritjen e pagave nga 10 deri në 15% për punonjësit e sektorit publik, hekurudhave dhe postës. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kërkesat për rritjen e pagave ka të bëjë me Kosovën. (këtu)Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një artikull me fotografi që nuk i korrespondon përmbajtjes. Edhe pse në artikull bëhet fjalë për një deklaratë të njohësit të çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, në fotografinë ilustruese është përdor imazhi i presidentit të Francës, Emanuel Macron, duke lënë të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga ai. (këtu)Teori konspirativeLlogaria në TikTok “bejevete” ka publikuar një video-material nga emisioni “Larry King Live”, në të cilën shihet një person i quajtur Dave Dave, për të cilin pretendon se është ish-këngëtari Michael Jackson. Pas verifikimit të fakteve, personi që shihet në këtë video-material është artisti konceptual David Charles Rothenberg i njohur me emrin artistik “Dave Dave”, i cili ka vdekur në moshën 42 vjeçare në vitin 2018. (këtu)Llogaria në TikTok me emrin “bejevete” ka publikuar një video-material për një makinë të vjetër të pijeve të gazuara, që qëndroi në shërbim nga viti 2001 deri në 2018-ën në Seattle të ShBA-ve, duke pretenduar se ajo ishte një portë që dërgon në të kaluarën. Për këtë makinë ishin krijuar shumë teori konspirative e legjenda urbane, duke qenë se pijet që dilnin nga ajo, mbanin ambalazhe apo logo të vjetra. Gjatë hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë artikull që ngritë të njëjtin pretendim dyshues, pra udhëtimin në kohë. Pikëpyetja e vetme që ishte ngritur kishte të bënte me dilemën se si po bëhet mbushja me pije e këtij automati, por që e cila është qartësuar në artikujt e publikimet e më hershme. (këtu)Përmbajtje e pa verifikuarPortali “Sinjali.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se një tërmet ka godit më 14 janar Kosovën, e që dridhjet e tij janë ndjerë në disa qytete. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se epiqendra e këtij tërmeti nuk ishte në Kosovë, por në Rumani, e që dridhjet e tij janë ndjerë edhe në vendin tonë. (këtu)Clickbait / GabimPortali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me pretendimin se nga viti 2035 ndalohet qarkullimi i veturave me naftë dhe benzinë. Në titull të artikullit nuk theksohet viti dhe vendi se për të cilin është marrë ky vendim duke lënë hapësirë për dezinformim të lexuesit. Po ashtu, vendimi ka të bëjë me ndalimin e shitjes së veturave të reja me benzinë dhe naftë, e jo ndalim qarkullimit e tyre. (këtu)Lajm i rremëKanali “Monitor TV” në platformën Youtube ka publikuar një video-material në të cilën shfaqet një fëmijë duke cituar thënie nga Kuran-i. Ky kanal pretendon se fëmija është nxjerrë pas 100 orëve nga rrënojat e tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fëmija i paraqitur në këtë video nuk është i mbijetuar nga tërmeti i 6 shkurtit, ndërsa i njëjti video-material është gjetur i publikuar në Twitter me datë 7 janar. (këtu)E përditshmja në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin tendencioz në titull se Kurti dëshiron vrasjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Për më tepër, sipas autorit, “Kurti dhe mediat e tij gëzohen dhe falënderojnë për kaosin e krijuar në Beograd ku u shkel flamur serb dhe ku bë thirrje për vrasje të presidentit Vuçiq”. Edhe pse në trajtë pyetëse pretendohet pa ofruar asnjë dëshmi apo pa cituar asnjë burim që e mbështet pretendimin se Kurti dëshiron vrasjen e Vuçiqit. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “Lajm i rremë”, pasi që dy pretendimet e ngritura si “Kurti dëshiron vrasjen e Vuçiqit” edhe se “’Gazetaexpress.com është medium i Kurtit”, janë tërësisht të pabaza dhe janë krijuar si tregim i sajuar. (këtu)GabimDisa media në gjuhën shqipe kanë publikuar urimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke e përkthyer gabimisht pjesën e mesazhit: “me qëllimin eventual të njohjes reciproke”. Gabimi ka ndodhur në përkthimin e domethënies së termit “Eventual”. Pra termi “Eventual” i përkthyer nga gjuha angleze nuk e ka kuptimin e njëjtë me përdorimin e kësaj fjale në shqip si “i mundshëm”. Në fakt, termi “Eventual” nga gjuha angleze në atë shqipe ka kuptimin si diçka që vije në fund – “përfundimtar”. (këtu)