Javën që shkoi clickbait artikujt dhe përmbajtjet e pa verifikuara e dominuan sferën mediatike në Kosovë. Përmbajtje të pa verifikuar kishim lidhur me pretendimin se zyrtarëve të LVV iu ndalua pajisja me ESTA; ngacmimi fizik të Miodrag Milliçeviqit; sulm terrorist në Stamboll. Clickbait artikujt kanë përfshirë kryesisht lajme të vjetra që janë paraqitur si aktuale.
Dezinformata lidhur me pagat në fabrikën që është investim gjermano-zviceran në Prizren. Dezinformatë lidhur me atë se të gjithë shqiptarët i qëndruan në krah Rada Trajkoviqit, lidhur me deklarimin për demilitarizim të serbëve të veriut dhe lajm i rremë se Meliza Haradinaj-Stublla është vajza e Ramush Haradinajt.
Lajme të rreme lidhur me vdekjet (16 nëntor) si pasojë e Covid-it; dhe një deklaratë të sajuar të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.
Përmbajtje e pa verifikuar
Portali i dyshimtë “GazetaNewborn.info” ka publikuar një artikull me pretendimin se zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje iu ndaluan të pajisen me ESTA, i cili është një sistem që verifikon personat para se të hyjnë në Amerikë. Mirëpo, kjo nuk është e vërtetë, pasi vetëm shtetet që kanë liberalizim vizash me SHBA-të duhet të aplikojnë në ESTA, e që në këtë listë nuk gjendet Kosova. (këtu)
Organizata joqeveritare (OJQ) Aktiv nga Mitrovica Veriore pretendon se drejtori i tyre, Miodrag Milliçeviq, më 14 nëntor është ekspozuar ndaj “ngacmimit fizik dhe verbal” nga ana njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Pretendimi i OJQ-së Aktiv ka zënë vend në disa media serbe me pretendime tendencioze dhe pa fakte se goditja e serbëve është plan i Kurtit. Ky pretendim është quajtur i pavërtetë nga Policia e Kosovës dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, se në hetimin fillestar nuk ka indicie për keqtrajtimin e pretenduar. (këtu)
Disa portale në Kosovë kanë rënë pre e një llogarie të pakonfirmuar në Twitter, e cila kishte raportuar me 15 nëntor se në Stamboll kishte ndodhur një sulm terrorist me anë të një veture-bombë. Këtë postim të kësaj llogarie, e kanë postuar si të mirëqenë disa nga portalet në Kosovë, pa e verifikuar atë. (këtu)
Portali informativ në gjuhën shqipe “kosovapost.net” kanë publikuar një lajm që pretendon se presidenti i Turqisë e ka paralajmëruar presidentin e Serbisë, Vuçiq duke i thënë të mos luaj me zjarrin. Artikulli bazohet në një fjalim të Erdoganit në, siç thuhet, verilindje të Turqisë e transmetuar në televizion pa u cekur vendi dhe emri i kanalit televiziv. Bazuar në hulumtimin e bërë, Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion zyrtar apo publik kredibil që e konfirmon pretendim për këtë lloj “paralajmërimi” të bërë nga Presidenti i Turqisë ndaj atij të Serbisë. (këtu)
Dezinformatë
Portali i dyshimtë “Ranknews3.com” ka publikuar një artikull të cilin rezulton ta ketë marrë nga “Rtklive.com”, i cili flet për hapjen e një fabrike në Prizren e që është investim gjermano-zviceran. Mirëpo, ky portal i dyshimtë, këtij artikulli i ka vënë titull të sajuar, duke pretenduar se në përmbajtje gjenden të dhëna lidhur me pagat në këtë fabrikë. Mirëpo, në përmbajtje nuk ka asnjë të dhënë rreth pagave, siç pretendohet rrejshëm në titullin e këtij artikullit. (këtu)
Faqja “Pamfleti.com” ka publikuar një artikull të vjetër, duke i vënë titull të rremë me pretendimin ta paraqesin atë si aktual. Artikulli flet për gratë nga Kosova, Kroacia e Bosnja, të cilat atëkohë kishin protestuar para konsullatës serbe në New York, duke kërkuar ndëshkimin e kriminelëve serbë që ushtruan dhunë ndaj tyre. Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull dhe është vërtetuar se titulli është i sajuar, pasi në përmbajtje nuk përmendet emri i ambasadorit serb në SHBA, Marko Gjuriq. (këtu)
Dezinformatë/ lajm i rremë
Disa mediat serbe kanë publikuar një artikull me pretendimin se të gjithë shqiptarët i qëndruan në krah Rada Trajkoviqit, lidhur me deklarimin për demilitarizim të serbëve të veriut. Pretendimi bazohet vetëm në reagimin e ish-ministres së jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, për të cilën mediumet serbe pretendojnë rrejshëm se është vajza e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Pretendimi se të gjithë shqiptarët i dolën krah deklarimit të serbes Rada Trajkoviq, sipas metodologjisë së punës së hibrid.info vlerësohet si “dezinformatë”, ndërsa tjetri për lidhjen e Meliza Haradinajt-Stubllas me kreun e AAK vlerëson si “lajm i rremë”. (këtu)
Lajm i rremë
Portali “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull me pretendim të rremë se gjatë 24 orëve (16 nëntor) në Kosovë, tre persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me virusin Korona. Mirëpo, në njoftimin e bërë nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet se asnjë person nuk ka humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e Covid-19. (këtu)
Në një grup në Facebook që duket se përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje “meVetëvendosje-n”, është shpërndarë më 16 nëntor një fotografi nga një llogari me emrin “Diaspora Vetëvendosje”, në të cilën shihet portreti i ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Kësaj fotografie i është bashkangjitur edhe një deklaratë gjoja e bërë nga Hovenier, ku shkruan “Opozita më shumë pajtohet me kërkesat që vijnë nga Beogradi, se sa me vendimet e Qeverisë. Pra, kështu na vështirësojnë edhe neve qëndrimet që i kemi ndaj qeverisë”. Pre e kësaj fotografie me deklaratë të sajuar, ka rënë pre edhe avokati Tomë Gashi, i cili e ka postuar në llogarinë e tij personale në Facebook, të cilën më pas duket se e ka larguar. (këtu)
Clickbait
Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një lajm të vjetër të muajit gusht të vitit 2018, atëkohë kur Princi Leka i Dytë kishte deklaruar se bashkimi kombëtar do të ishte ideal për Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo faqe është munduar që këtë artikull ta paraqesë si aktual duke bërë interpretime në titull. (këtu)
Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një lajm të vjetër të muajit nëntor të vitit 2021, atëkohë kur një diskutim i organizuar nga një lëvizje studentore i kishte bërë bashkë, Glauk Konjufcën, Shaip Kamberin dhe Marin Memën. Në titull pretendohet se në Shkup janë bërë bashkë tre protagonistët e lartcekur e që nuk është vërtetë, për shkak se aktiviteti është mbajtur në Prishtinë e organizuar nga një lëvizje studentore e Prishtinës. Kjo faqe është munduar që këtë artikull ta paraqesë si aktual duke bërë interpretime në titull. (këtu)
Faqja “Gazeta” në Facebook ka publikuar një artikull me titull të sajuar, duke pretenduar se ka njoftim të papritur për shqiptarët që jetojnë në Itali. Ndërsa në përmbajtje, artikulli flet për rritjen e inflacionit në shtetin italian. Pra, nuk ka asnjë njoftim që lidhet me shqiptarët që jetojnë në atë shtet. (këtu)
Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një lajm të vjetër të muajit shtator të vitit 2019, me pretendimin ta paraqesë atë si aktual. Lajmi kishte të bënte me deklaratat ish presidenti kroat Stipe Mesiq, i cili, në një intervistë për DW kishte folur për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe çështjen e kufijve. (këtu)