Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve me përmbajtje dezinformuese në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Përmbajtjet dezinformuese kishin të bënin me ndërtimin e stadiumit të ri të Prishtinës, artikuj të vjetër lidhur me të shtëna armësh në veri të Mitrovicës, grafitet në kishën Shën Savan në Kragujevc, për ndryshimet klimatike, për trajtimet në kirurgjinë plastike në QKUK.
Dezinfomatë dhe përmbajtje e pa verifikuar lidhur me pretendimin se analisti turk, Ahmet Cakar, ka shprehur hapur dashurinë për shqiptarët dhe për triumfet e shqiptarëve si popull gjithandej.
Përmbajtje mashtruese lidhur me çmimet e shitjes së banesave, për nevoja për shërim, si dhe fotografi të montuar të futbollistit të Arsenalit, Odegard.
Clickbait artikuj lidhur me ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit në vendet publike (Meksikë) dhe vërshime (Kinë)
Teori konspirative me pretendimin se Kurti kërkon luftë në mars.
Manipulim i fakteve me pretendimin se kryeministri, Albin Kurti e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, duke mbështetur kështu provokimet e tij.
Lajm i rremë me pretendimin se qendra tregtare “Albi Mall” është vërshuar nga uji dhe se dëmi arrin shifrën 3 milionë euro.
Dezinformatë
Portali i dyshimtë “televizioni-24.com” ka publikuar një postim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook kishte bërë të ditur se së bashku me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi kishin vizituar stadiumin olimpik në Stamboll. Në këtë postim, Rama shkroi “Eksploruam mundësitë dhe idetë që Stadiumi i Ri i Kryeqytetit, i cili do të ndërtohet në Kampusin e Sporteve në Bërnicën e Poshtme, të jetë i UEFA category 4. Mirëpo, portali i dyshimtë “televizioni-24.com” këtij artikulli i ka vënë titull të pasaktë, me pretendimin se Rama ka thënë se stadiumi që do të ndërtohet në Kosovë do të jetë njësoj si ai ku do luhet finalja e Championsit. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër të muajit nëntor 2022 lidhur me raportimin për të shtëna armësh në veri të Mitrovicës. Pra, lajmi është i vjetër dhe, i njëjti, është munduar të paraqitet si aktual nga faqet e lartcekura në Facebook. (këtu)
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj për vandalizmin në kishën e Shën Savës në Kragujevc me grafite të shumta dhe disa pretenduan se në mesin e tyre kishte mbishkrime në gjuhën shqipe. Hibrid.info, pas verifikimit të bërë të fotografive të shpërndara në lidhje me ngjarjen, ka konstatuar se në grafitet e bëra në hapësirën e kishës Shën Savan ë Kragujevc, nuk kishte mbishkrime që ishin në gjuhën shqipe. (këtu)
Portali i dyshimtë “bbcnewsm.com” ka publikuar më 13 janar një artikull të vjetër të vitit 2020, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual, kështu duke lënë vend për keqinformim te lexuesit. Ky artikull është shpërndarë më 14 janar edhe nga disa faqe në Facebook. (këtu)
Portali “Botapress.info” ka publikuar parashikimin e motit të postuar nga faqja në Facebook “Prishtina Weather”. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull të sajuar me pretendimin se është parashikuar të ketë stuhi gjatë ditëve të ardhshme në Kosovë. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se “Prishtina Weather” nuk ka parashikuar të ketë stuhi në vendin tonë. (këtu)
Faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër të muajit nëntor 2022, të cilin janë munduar ta paraqesin si aktual duke i vënë titull të sajuar dhe fotografi jo adekuate. Në fotografinë e vendosur shihen imazhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ndërsa lajmi ka të bëjë me arrestimin e disa emigrantëve në Horgosht në veri të Serbisë. (këtu)
Në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është publikuar lista e, siç e quajnë ata, incidenteve me motive etnike ndaj serbëve ku për muajin janar të vitit 2023 pretendohet se Stefan Tomiq (18) nga Kllokoti është rrahur nga një grup shqiptarësh ditën e Krishtlindjes teksa po kthehej nga kisha nga liturgjia. Pretendimi se Stafan Tomiq është rrahur nga shqiptarët me motive etnike nuk është i vërtetuar për faktin se identiteti i sulmuesit nuk është identifikuar as nga Policia e Kosovës dhe as nga i ati i viktimës. Për më tepër, ky i fundit, ka refuzuar që ta identifikoj incidentin si sulm etnik. (këtu)
Portali i dyshimtë “bbcnewsm.com” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2018, që flet për numrin e madh të pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Kirurgjinë Plastike në QKUK, si pasojë e djegies nga pakujdesia me ibrikët e çajit. Ndërsa titulli i artikullit është i pasaktë, i cili lë të kuptohet se përmbajtja jo e mirë e çajit të zi (çaji i rusit) po i bënë qytetarët e Kosovës për trajtim në spital. (këtu)
Dezinformatë/Përmbajtje e pa verifikuar
Portal informativ “Kosovapost.net” ka publikuar me titull “Analisti Turk habit gjithë botën me veprimin e tij, nxjerr flamurin shqiptar në emision, këta janë…!”. Në përmbajtje të artikullit thuhet që analisti turk, Ahmet Cakar, ka shprehur hapur dashurinë për shqiptarët dhe për triumfet e shqiptarëve si popull gjithandej. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky artikull është i vjetër, i publikuar në tetor të vitit 2015 dhe përmbajtja e artikullit të publikuar është jashtë kontekstit. Ahmet Çakar, si analist i futbollit, në emisionin për futboll “Beyaz Futbol” të datës 13 tetor 2015, shpalos flamurin e Shqipërisë duke komentuar suksesin e kombëtares shqiptare me kualifikimin në euro 2016, e jo për triumfet e shqiptarëve si popull gjithandej siç pretendohet. (këtu)
Përmbajtje e pa verifikuar
Mediumi në gjuhën serbe “Kurir” ka publikuar artikull me pretendimin se në një hotel në Davos të Zvicrës “lobistët shqiptarë” janë vendosur flamurin e shtetit të Kosovës dhe flamurin me hartën e “Shqipërisë së madhe” përballë hotelit ku po qëndron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili është pjesëmarrës i Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Pretendimi se flamujt nga lobistë shqiptarë për një pritje armiqësore për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është pretendim tendencioz dhe i pa bazuar në fakte konkrete. Nga ky zhvillim ekziston vetëm fotografia ku shihen flamujt e lartcekur të varur në murin e hotelit “Rustico Hotel” në Davos të Zvicrës. Nuk dihet se kush i ka vendosur dhe me çfarë qëllimi. (këtu)
Mashtrim
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “bbcnewsm.com” ka publikuar një artikull me titull “22-vjeçarja nga Mitrovica ka nevojë për shërim, i nevojiten edhe 750 euro!”. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky artikull është i vjetër, i publikuar në mars të vitit 2022. Pra, ky portal i dyshimtë, këtë artikull të vjetër është munduar ta paraqesë si aktual. (këtu)
Faqja në Facebook“Arsenal Kosovo Supporters Club” ka publikuar një fotografi të vitit 2002, e cila është paraqitur si imazh i ndeshjes së 15 janarit 2023 ndërmjet Arsenal-it dhe Tottenham-it. Në atë fotografi është ndërruar imazhi i ish-futbollistit të Arsenal-it, Thierry Henry me atë të futbollistit tjetër të kësaj skuadre, Martin Odegaard. Kjo faqe këtë fotografi e ka marrë nga mediumi i huaj sportiv “Bleacherreport.com”, të publikuar në faqen zyrtare të tij në Facebook. Gjithashtu, disa tifozëve u janë muntuar edhe telefonat e mençur, në mënyrë që fotografia të duket sa më aktuale. (këtu)
Portale të dyshimta kanë publikuar një shpallje të rreme për shitjen e një banese me çmim jo real. Këto portale kanë përdorur një përshkrim për shitjen e një banese të cilës i kanë vënë fotografi të një banese tjetër, duke u munduar ta paraqesin atë si reale. Gjithashtu, në titull pretendohet rrejshëm se kjo banesë është në shitje për vetëm 32 mijë e 500 euro. (këtu)
Clickbait
“Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me miratimin e ligjit në Meksikë për ndalimin e pirjes së duhanit në vendet publike, ndërsa në titull nuk sqaron se për cilin shtet bëhet fjalë. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se ky ligj ka të bëjë me Kosovën. (këtu)
Faqja “Specialja” në Facebook, ka publikuar një artikull të vjetër të muajit nëntor 2022 lidhur me vërshimet që kishin ndodhur atëkohë në Klinë. Kjo faqe duket se këtë artikull të vjetër është munduar ta paraqesë si aktual me pretendimin ta ndërlidhë atë me vërshimet pas reshjeve të shiut që ndodhën më 19 janar në Mitrovicë dhe Skenderaj. (këtu)
Teori konspirative
Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti kërkon luftë në mars. Siç pretendon ky medium, në javët e ardhshme “Prishtina do të shkaktojnë një sërë incidentesh në veri të Kosovës për të detyruar popullin serb të reagojë, gjë që më vonë do të shërbente për të provokuar një konflikt më të gjerë”. Pretendimet e mediumit serb, nuk ofrojnë fakte konkrete dhe interpretojnë deklarata në mënyrë tendencioze. (këtu)
Manipulim i fakteve
Mediumi në gjuhën serbe “Kurir” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri, Albin Kurti e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, duke mbështetur kështu provokacionet e tij. Ky medium, pretendon se ka thënë për të përditshmen zvicerane “Blick” se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit. Së pari, Kurti nuk ka thënë se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit, por ai është shprehur se varet nga rasti. Së dyti, Kurti nuk e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, por e ka falënderuar Xhakën dhe Shaqirin për frymëzimin e të rinjve që të luajnë futboll, edhe në Kosovë. (këtu)
Lajm i rremë
Llogaria në TikTok me emrin “VIDEO-CHOC” ka publikuar një video-material me anë të së cilit pretendojnë se qendra tregtare “Albi Mall” është vërshuar nga uji dhe se dëmi arrin shifrën 3 milionë euro. Nga administrata e kësaj qendre tregtare deklaruan për hibrid.info se nuk është e vërtetë që “Albi Mall” është vërshuar nga uji dhe se pamjet nuk janë nga ambientet e këtij objekti. (këtu)