Fakte për...

Rishikimi i javës (17-22 prill 2023): fotografi e pa verifikuar e minatorëve, mashtrime për dhënie kredish, përmbajtje të rreme për vdekjen e Edi Ramës dhe rënien e tavanit të Prishtina Mall

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve clickbait në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Përmbajtjet clickbait kishin të bënin me vrasje të raportuara e që nuk kishin të bënin me Kosovën; me rritjen e çmimit të biletave të autobusëve për transport ndërurban;

Përmbajtje mashtruese janë shpërndarë nga llogari në facebook lidhur me pretendime të rreme për ofrimin e kredive personale, si dhe për mundësinë e votimit për BBVA.

Përmbajtje të pa verifikuara janë publikuar lidhur tentim djegien e kishës ortodokse në Prizren; si dhe publikimin e një fotografie duke pretenduar që janë minatorët e Trepçës.

Përmbajtje të rreme në TikTok se ka vdekur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; dhe që ka rënë tavani i Prishtina Mall.

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Raportohet për 6 të vrarë dhe 20 të plagosur”. Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull, ku është vërtetuar që titulli nuk e qartëson lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje. Përveç titullit jo sqarues, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi në të paraqitet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Portali informativ “Rilindja.al” ka publikuar një artikull me titull “Paralajmërohet rritje e çmimit të biletave të autobusëve”. Përmbajtja e artikullit ka të bëjë me kërkesën për rritjen e çmimit të biletave për transportin ndërurban, duke përdorur fotografi që nuk i korrespondon përmbajtjes. Në fotografinë e përdorur në këtë artikull shihet një autobus urban i Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban”, të Komunës së Prishtinës. Duke mos u theksuar në titull dhe me anë të fotografisë së përdorur lë të kuptohet që rritja e çmimeve të biletave vlen për trafikun urban në Prishtinë. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Pas një hetimi disa mujor 8 persona arr’estohen”. Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull, ku është vërtetuar që titulli nuk e qartëson lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje. Përveç titullit jo sqarues, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi në të shihet një pjesë e uniformës së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” publikon postime me pretendim të rremë t’i paraqesë ato si oferta për kredi-marrje. Postimet në këtë faqe kanë përmbajtjen e publikimeve për oferta të kredive që mund të merren online në vlerë deri në 500 mijë euro. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërejtur se kjo faqe përdor kampanja të bankave dhe institucioneve mikro-financiare në Kosovë dhe Shqipëri, të cilave ua largon logot, me pretendimin t’i paraqesë si të sajat. (këtu)

Portali i dyshimtë “sot-news.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje gjendet mundësia për të votuar për të nominuarit e spektaklit televiziv “Big Brother Vip Albania”. Në përmbajtje nuk ofrohet asnjë mundësi që publiku të votojë për personat e favorizuar, por janë paraqitur vetëm emrat e pesë kandidatëve. Gjithashtu, bazuar në hulumtimin e kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se mundësitë që publiku të votojë për personat e favorizuar në këtë spektakël televiziv, janë përmes mesazheve (sms) nga telefoni, si dhe aplikacionit “my Vodafone”. Ndërsa për personat jashtë Shqipërisë mund të votohet në linkun www.voto.top-channel.tv. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me pretendimin se tentim-djegia e objektit kishtar ortodoks “Shën Panteleimoni” në Prizren është bërë nga, siç shprehen “ekstremistët e Kurtit”. Ky pretendim është bazuar në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në këtë reagim, ndër të tjera, pretendohet edhe se ky veprim është provokuar nga “deklaratat nxitëse të Prishtinës zyrtare ndaj serbëve dhe tempujve të tyre”. Megjithatë, nga kontrolli i fakteve i bërë nga hibrid.info vërehet se, përpos fotografisë, ku shihen shenja nga tymi, ky institucion serb nuk ofron fakte shtesë që mbështesin pretendimin se një gjë e tillë është bërë e shtyrë nga institucionet apo nga, siç janë shprehur, “ekstremistët e Kurtit”. (këtu)

Portali informativ “Indeksonline.net” në faqen zyrtare në Facebook ka publikuar sot (20 prill) një fotografi në të cilën paraqiten disa minatorë duke u lutur. Në përshkrimin e kësaj fotografie, portali i larcekur ka pretenduar se në të paraqiten minatorët e Trepçës në horizontin e nëntë, në thellësi mbi 800 metra. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi nuk paraqet minatorët e Trepçës, por se fotografia është realizuar në minierën “Stara Jama” në Zenicë të Bosnje e Hercegovinës. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria “lumjanana009” në TikTok ka pretenduar rrejshëm më 18 prill se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërruar jetë. Se ky pretendim është i rremë, u vërtetua përmes llogarisë personale të kryeministrit shqiptar në Facebook, i cili më 19 prill ka publikuar disa njoftime. (këtu)

Llogaria në median sociale “TikTok” me emrin “gilan_zero6” ka publikuar një video-material me pretendimin se në qendrën tregtare “Prishtina Mall” ka rënë një pjesë e tavanit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet nuk janë xhiruar në qendrën tregtare “Prishtina Mall”, por se kjo ngjarje ka ndodhur në qytetin San Salvador në El Salvador. (këtu)