Fakte për...

Rishikimi i javës (18-24 shtator 2023): Fotografi të paverifikuara për sulmuesit e vrarë në veri, raportime gabim nga portale informative për tema sociale, teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

Java që shkoi u karakterizua më dominimin e përmbajtjeve të paverifikuara në ekosferën keqinformuese në Kosovë. 

Përmbajtjet e paverifikura të fotografive të sulmuesve të vrarë lidhur me rastin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës. Po ashtu përmbajtje të paverifikuara u publikuan edhe për përmbytjet në Libi dhe tërmetin në Marok.

Përmbajtje e paverifikuar / teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me fotografi ku shihet një mbishkrim i akronimit të  “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) si tendencë për dëbimin e serbëve.

Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë që ka publikuar deklaratë të shefit të saj, Petar Petkoviq, i cili pretendon se arrestimi i tre pjesëtarë të komunitetit serb bëhet me qëllim të “dëbimit të serbëve nga Kosova”.

Clickbait artikuj lidhur me vrasje, vdekje të ish-presidentit,  kontrabandë, mungesë të vajit të ullirit, ngjarje këto që nuk i bëhet e ditur në titull vendndodhja, duke lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë për ngjarjet ndërlidhen me Kosovën.

Përmbajtje e rreme në Telegram nga llogaria në gjuhën serbe “БУНТ је стање духа”, me fotografi fotografi që shfaqin të pikturuar në formë grafiti presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, duke ngrënë pjesë të trupit të ushtarëve.

Raportohet gabimisht në portale informative për çmimin e fanellës së Nedim Bajramit, për pretendimin se “Prishtina Parking” ka shqiptuar gjobë ndaj një autobusi të Trafikut Urban për shkak se i njëjti është parkuar në hapësirat e dizajnuara për personat me nevoja të veçanta, si dhe për  një rast të ndodhur në Fushë Kosovë, e cila u raportua të ketë ndodhur në Obiliq.

Dezinformatë se shtëpia evropiane e futbollit (UEFA) ka dënuar kombëtaren e Shqipërisë që për dy vite të mbyllë dy tribunat pas portës gjatë ndeshjeve të kombëtares.

Mashtrim me fotografi të edituar lidhur me shpërthimin e 22 shtatorit në Lagjen e Boshnjakëve në veri.

Përmbajtje e paverifikuar

Faqja “The Reis” në Facebook ka publikuar me datë 14 shtator një video-material me mbishkrimin “Një burrë që priste të shpëtohej në mes të një përmbytjeje në Libi u lut nën rrënojat e një shtëpie”. Pas hulumtimit përmes platformës online për verifikim faktesh “InVID”, hibrid.info ka vërtetuar se videoja nuk paraqet pamje të përmbytjeve të shtatorit që ndodhën në Libi, por e njëjta është realizuar në dhjetor të vitit 2022 në qytetin Jeddah në Arabinë Saudite. (këtu)

Portali informativ me emrin “info-albania.com” ka publikuar një artikull me titull “’Kush është Federata Shqiptare?’, Poçetino kur e pyesin për Brojën: Njoh vetëm Silvinjon dhe Zabaletën” Titulli i shkruar në këtë mënyrë lë të nënkuptojë se Mauricio Pochetino, trajneri i Chelsea-s, skuadrës angleze të futbollit, është deklaruar se nuk ka njohuri rreth Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në momentin kur ka shtruar pyetjen: “Kush është Federata Shqiptare?” Megjithatë, hibrid.info ka gjetur se pyetja e trajnerit argjentinas është nxjerrë nga konteksti, pyetje të cilën më pas e sqaron Pochetino. (këtu)

Faqja në Facebook “Globi Islam” me datë 9 shtator ka publikuar një fotografi me pretendimin se pamja është shkrepur pas tërmetit që goditi Marokun më 10 shtator. Kjo fotografi është verifikuar nga kontrollues faktesh nga India (NewsChecker.in), e cila është vërtetuar se nuk është realizuar pas tërmetit në Marok, por e njëjta është shkrepur pas cunamit dhe tërmetit që goditën qytetin Kisenuma, Japoni në mars të vitit 2011. (këtu)

Platforma ën gjuhën shqipe “MeteoBallkan.com” që raporton kryesisht mbi parashikimin e motit, me datë 15 shtator në faqen e saj në Facebook ka publikuar një postim duke njoftuar për numrin e të vdekurve nga përmbytjet në Libi. Në këtë postim, kjo platformë ka ngarkuar katër fotografi, por pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se njëri nga imazhet nuk paraqet përmbytjet në Libi, por është realizuar në vitin 2021 në Kinë. (këtu)

Portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se në një reklame (billboard) digjital të qytetit të New York-ut u shfaq fjalia “Lavdi urinës” në vend të “Lavdi Ukrainës”. Kontrollues faktesh nga AFP (shih këtu) pas verifikimit të fakteve, kanë vërtetuar se video-materiali i paraqitur me fjalinë “Lavdi urinës” është i montuar dhe si i tillë nuk është shfaqur në njërën nga ekranet në New York. Artikulli nga portalet në gjuhën shqipe u bazua në një postim nga llogaria “Sprinter” në median sociale X (ish-Twitter). (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një fotografi në të cilën shihet një trup i pajetë i një ushtari, që mban mbishkrimin “Foto ekskluzive: Edhe një terrorist serb i vrarë në veri, gjenden dy trupat e tyre”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi nuk paraqet trupin e pajetë të ndonjërit nga sulmuesit që më 24 shtator në veri të vendit sulmuan zyrtarë të Policisë së Kosovës (PK), që si pasojë e saj mbeti i vdekur një pjesëtar i PK-së dhe dy të tjerë u lënduan. Fotografia në fjalë është gjetur e publikuar në mars të vitit 2022 dhe i përket një ushtari rus, gjatë agresionit të Rusisë në Ukrainë. (këtu)

Faqja në Facebook “Gazeta Aktuale” ka publikuar një fotografi të një ushtari të vrarë, të cilës i ka vënë mbishkrimin “Terroristi serb i shtrirë në tokën dardane”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi paraqet një ushtar të Azerbajxhanit të vrarë në vijën e frontit në Nagorno-Karabakh, me datë 6 prill të vitit 2016. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar / Teori konspirative

Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka publikuar një fotografi ku shihet një mbishkrim i akronimit të  “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) i vendosur në një pjesë të ndërtesës së shkollës “Sveti Sava” në Kllokot. Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka krijuar një teori të pa bazuar në asnjë fakt se  kjo është bërë si rrjedhojë e urrejtjes ndaj serbëve, posaçërisht fëmijëve, siç e quan kjo zyre mbi “bazën ideologjike e politikës së Albin Kurtit”. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë ka publikuar një deklaratë të shefit të saj, Petar Petkoviq, i cili pretendon se arrestimi i tre pjesëtarë të komunitetit serb bëhet me qëllim të “dëbimit të serbëve nga Kosova”. Ai këto deklarata i bëri gjatë një konference për gazetarë, duke shtuar se këto arrestime, apo siç i quan ai, “kidnapimet bëhen ekskluzivisht me urdhër të Kurtit, i cili dëshiron të dëbojë popullin serb nga Kosova. Është shembull i spastrimit etnik”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se pretendimi i Petkoviqit nuk bazohet në fakte, dhe për më tepër, Policia e Kosovës ka bërë ditur se arrestimi është bërë për veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile”. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “sot.com.al” ka publikuar me datë 16 shtator artikullin me titull “Çfarë po ndodh? 21 persona akuzohen për kontrabandë me kokainë, mes tyre kryetari komunës dhe zyrtarë të policisë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk sqaron se për kryetarin e cilës komunë bëhet fjalë. Duke u bazuar në seksionin “Kontakt” në ueb-faqen e këtij portali informativ, ku adresa e tij shfaqet të jetë në Tiranë, kjo bën që titulli përgjithësues të lë vend për keqinformim te lexuesit se bëhet fjalë për gazetar nga ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Shokuese: Babë e bijë vranë fëmijët që kishin së bashku nga marrëdhënia e tyre intime”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se në titull nuk tregohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja kuptohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, që sqaron se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Poloni. Për faktin që portali informativ është i regjistruar në Kosovë dhe shumica e lexuesve të tij janë shqip-folës, titulli lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Gazeta Shqip” ka publikuar një artikull me titull “Kampionati i futbollit në KAOS! Dhuna gjatë ndeshjeve, gjyqtarët ngrihen në protestë”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se në titull nuk tregohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e lajmit sqarohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku tregohet se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Qipro. Për faktin që portali informativ është i regjistruar në Shqipëri (shih këtu) dhe përmbajtja e ofruar nga ky portal është në gjuhën shqipe, titulli lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqip-folëse. (këtu)

Portali informativ “Gazeta-shqip.com” ka publikuar një artikull me titull “Krizë për vajin e ullirit! Supermarketet lidhin shishet me zinxhirë për të ndaluar vjedhjet”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk tregon se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e ngjarjes sqarohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Spanja po përballet me një krizë, që ka çuar në rritjen e çmimit të vajit të ullirit”. (këtu)

Portali informativ “Kosova sot” ka publikuar një artikull me titull “Ndërron jetë ish-Presidenti”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se për ish-presidentin e cilit shtet bëhet fjalë. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Ish-presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare”. (këtu)

Lajm i rremë

Në median sociale “Telegram” nga llogaria në gjuhën serbe “БУНТ је стање духа” (shqip: rebelimi është një gjendje shpirtërore), u publikuan dy fotografi që shfaqin të pikturuar në formë grafiti presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, duke ngrënë pjesë të trupit të ushtarëve. Pas verifikimit të fakteve nga platforma “LeadStories.com” është vërtetuar se këto grafitë nuk ekzistojnë, por të njëjtat janë imazhe të manipuluara. (këtu)

Gabim

Portali informativ “GazetaOlle.com” ka publikuar artikullin me titull “1 mijë e 844 euro për fanellën e autorit të eurogolit, Nedim Bajramit”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk është i saktë, pasi fanella e futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, në një ankand të hapur nga Federata Shqiptare e Futbollit (këtu), është shitur për 1 mijë e 844 dollarë, e jo euro. (këtu)

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Në Obiliq, vajza ther me thikë nënën e saj”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli dhe një pjesë e përmbajtjes së artikullit është e pasaktë, pasi që në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Fushë Kosovë, e jo në Obiliq, siç pretendohet. (këtu)

Disa portale informative kanë publikuar me datë “16 shtator” një artikull me pretendimin se “Prishtina Parking” ka shqiptuar gjobë ndaj një autobusi të Trafikut Urban për shkak se i njëjti është parkuar në hapësirat e dizajnuara për personat me nevoja të veçanta. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se autobusi në fjalë nuk është pjesë e Trafikut Urban, por e një kompanie tjetër private. Artikulli i portaleve është ndërtuar duke u bazuar në një njoftim të bërë nga “Parking Prishtina”, por që kjo e fundit në asnjë rast nuk ka potencuar se bëhet fjalë për autobus të “Trafikut Urban”. (këtu)

Dezinformatë

Faqja “Albania Team” në Facebook ka publikuar një postim me pretendimin se shtëpia evropiane e futbollit (UEFA) ka dënuar kombëtaren e Shqipërisë që për dy vite të mbyllë dy tribunat pas portës gjatë ndeshjeve të kombëtares. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë nga faqja e lartcekur, nuk qëndron. Në njoftimin e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) thuhet se UEFA ka shqiptuar dënimin prej 44 mijë eurosh për hedhjen e fishekzjarrëve në fushën e lojës gjatë ndeshjes me Poloninë. Ndërsa vendimi për mbylljen e stadiumit është pezulluar për një periudhë prove, duke filluar nga ndeshja e radhës në shtëpi me Republikën Çeke. Pra, periudha provuese përfshin kushtin që në ndeshjet e ardhshme si vendas të mos ketë asnjë ndezje fishekzjarri në stadium. (këtu)

Mashtrim

Agjencia e lajmeve “Kosovapress” ka publikuar në faqen e saj në Facebook një fotografi lidhur me shpërthimin e 22 shtatorit në veri. Në fotografi shihet një motoçikletë, një veturë, 4 njerëz pranë veturës dhe një market, si dhe një zjarr pranë tyre. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se fotografia nuk paraqet shpërthimin e sotëm, si dhe është e edituar pasi që zjarri që shihet aty nuk është real dhe i njëjti nuk paraqet shpërthimin e ndodhur. (këtu)