Fakte për...

Rishikimi i javës (2-7 janar 2023): clickbait për 100 euro për pensionistë dhe marrëveshje të fshehtë për largimin e barrikadave; manipulim me fakte nga mediat serbe, dezinformata rreth Muriqit

Në javën e parë të vitit ekosistemi keqinformues medial u dominua nga artikuj të kategorizuar si “Clickbait”.

Artikujt clickbait kishin të bënin me ndarjen nga 100 euro për pensionistët, për marrëveshje të fshehtë për largimin e barrikadave, dhe për ngjarje që nuk kishin të bënin me Kosovën.

Në javën e parë i ri-publikua përmbajtja satirike e ministres Rizvanolli në lidhje me kursimin e energjisë elektrike.

Mediat në gjuhën serbe manipuluan me fakte për paligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje gjermanëve në luftë kundër serbëve.

Përmbajtje të pa verifikuar kishin të bënin me pretendim e presidentit serb, Vuçiq për tërheqje të njohjeve të Kosovës; si dhe për reagimin e Deputetes të Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe aktivistes për të drejtat e grave, Arta Avdiu lidhur me rastin e ndodhur më 4 nëntor në Prishtinë, që u gjet e vdekur një grua në hollin e një banese.

Dezinformata rreth transferimit dhe rritjes së vlerës së futbollistit kosovar, Vedat Muriqi.

Clickbait

Portale të dyshimta kanë publikuar një lajm të vjetër të muajit tetor 2022, në të cilin gjendet propozimi i Qeverisë së Kosovës, e cila atëkohë kishte propozuar ndarjen nga 100 euro për pensionistët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin. Këtë lajm të vjetër, këto portale e kanë publikuar me datë 1 janar 2023, me pretendimin ta paraqesin si aktual. (këtu)

Portali i dyshimtë “news308media.com” ka publikuar intervistën e Kurtit dhënë për “KosovaPress.com”, i cili tha se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave. Mirëpo, ky portal i dyshimtë i ka ndryshuar titullin këtij artikulli, duke pretenduar rrejshëm se Kurti ka treguar për marrëveshjen e fshehtë, duke lënë të kuptohet se mes Kosovës dhe Serbisë ka pas një marrëveshje të tillë për largimin e barrikadave. (këtu)

Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk bëhet e ditur se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në shtetin Utah të SHBA-ve. Ky portal informativ i cili vepron në Kosovë dhe lexuesit parësor i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

“Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me ekzekutimin e ish-ministrit të Koresë së Veriut, ndërsa në titull nuk sqarohet se ku ka ndodhur ngjarja. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Clickbait dhe Mashtrim

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull me pretendimin se “flet për herë të parë” gruaja e moshuar e cila u sulmua fizikisht nga disa infermiere para disa muajsh në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë. Mirëpo, në përmbajtje të artikullit gjendet një video material i publikuar më 3 nëntor nga “Nacionale.com”, në të cilin gjenden deklarata të drejtuesve të kësaj shtëpie të pleqve. Pra, video është e vjetër dhe nuk ka asnjë prononcim nga gruaja e moshuar, siç pretendohet rrejshëm në titull të këtij artikulli të publikuar nga këto portale të dyshimta. (këtu)

Satirë

Faqja në Facebook “Kosovalajm.net” ka publikuar një fotografi në të cilën shihen Ministrja e Ekonomisë në Republikën e Kosovës, Artane Rizvanolli dhe mbishkrimi “Martohuni para se të bëhet ftoftë”. Kjo faqe në Facebook nuk e ka bërë të ditur se përmbajtja e shpërndarë është satirike, kështu që ka lënë hapësirë që përmbajtja e shpërndarë të merret si e mirëqenë nga lexuesit e saj. Nga hulumtimi i kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë këtë fotografi të publikuar 29 shtator 2022 nga web faqja satirike Breaking Bad Kosovo. (këtu)

Manipulim i fakteve

Media në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje gjermanëve në luftë kundër serbëve, duke tentuar kështu të nxitë përsëri tensione. Pretendimi bazohet në një deklaratë të Kurtit dhënë për gazetën gjermane “Welt”. Kurti ka mirëpritur vendimin e NATO-s në shtimin e forcave për të ruajtur paqen dhe  sigurinë në Kosovë dhe rajon, një përgjegjësi që bartet nga KFOR-i në kuadër të NATO-s, e jo për t’i luftuar serbët dhe për të ngritur tensione të reja siç pretendohet. Kurti nuk i ka ftuar forcat gjermane konkretisht por duke komentuar mundësinë e dërgimit të 400 shërbime gjermane të urgjencës me vendim të Bundestagut, ai tha se janë të mirëseardhur. (këtu)

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me një deklaratë të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes së cilës pretendon pa fakte për paligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ai si argument për të kundërshtuar qëndrimet e përfaqësuesve kosovarë rreth legjitimitetit dhe ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, përmend të Drejtën Ndërkombëtare dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), që nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare nga vendimi për shpallje të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit të 2008. Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, një shtet për të qenë sovran, kanë një popullsi të përhershme, territor të përcaktuar dhe një qeveri dhe aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera sovrane. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe aktivistja për të drejtat e grave, Arta Avdiu, kanë reaguar lidhur me rastin e ndodhur më 4 nëntor në Prishtinë, që u gjet e vdekur një grua në hollin e një banese. Këtë rast, këto dy persona të apostrofuar e kanë cilësuar si “vrasje”, duke e konstatuar kështu ende pa u dhënë verdikti  nga Prokuroria Themelore apo Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, deklaroi sipas informatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta. (këtu)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ofron informacione zyrtare diplomatike (nota diplomatike) për të vërtetuar pretendimet e bëra, për tërheqje të njohjeve. Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë njoftim në institucionet zyrtare diplomatike të Kosovës për tërheqjen e njohjeve.   Hibrid.info, ka hulumtuar në ueb-faqet zyrtare të ministrive të punëve të jashtme të shteteve të cekura si tërheqëse të njohjes së Kosovës dhe nuk ka gjetur ndonjë informacion apo deklaratë publike rreth tërheqjes së njohjes së Kosovës. (këtu)

Dezinformatë

Faqja në Facebook “Albania Team” ka publikuar një artikull lidhur me paraqitjen e Muriqit në ndeshjen që skuadra e tij Mallorca e ka fituar mbrëmë (4 janar) ndaj skuadrës Pontevedra. Në mbishkrimin e këtij artikulli, kjo faqe ka pretenduar se Muriqit i është rritur vlera në 40 milionë euro. Pas verifikimit të fakteve, ky pretendim i kësaj faqe është i pasaktë, pasi duke u bazuar në platformën për vlerat e lojtarëve “Transfermark”, thuhet se vlera aktuale e Muriqit është 10 milionë euro, ndërsa më e larta kishte mbërritur në 17 milionë euro, në dhjetor të vitit 2020, kur sulmuesi kosovar ishte pjesë e skuadrës italiane Lazio. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull lidhur me sulmuesin kosovar, Vedat Muriqin, për shërbimet e të cilit është e interesuar skuadra spanjolle Atletico Madrid. Megjithatë, në titull këto portale kanë pretenduar rrejshëm se Muriqi është transferuar te kjo skuadër. (këtu)