Fakte për...

Rishikimi i javës (20-25 nëntor 2023): Lajme të rreme në TikTok, mashtrime me video-materiale të figurave publike, përmbajtje të paverifikuara në mediat sociale për konfliktin Hamas-Izrael

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e lajmeve të rreme në ekosferën keqinformuese në përmbajtjet në gjuhën shqipe.

Lajmet e rreme të publikuara në TikTok dhe portale të dyshimta kishin të bënin me temat si: imazhi me AI i stadiumit të Kombëtares së Shqipërisë, se tërmet i fortë e godet Shqipërinë, se Kosova po armatoset më armë të rënda, se me 3 dhjetor në Kosovë do të hynë mbi 500 trupa të Wagnerit që do të sulmojnë policinë dhe popullsinë e Kosovës dhe një deklaratë të pathënë të Angelina Jolie për konfliktin Hamas-Izrael.

Përmbajtje të paverifikuara të publikuara në mediat sociale ndërlidheshin me konfliktin Hamas-Izrael, si dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar se ‘ekstremistët shqiptarë’ e kanë vjedhur kishën serbe në Bardhosh të Prishtinës përkundër që nuk dihen kryesit e veprës.

Përmbajtje mashtruese janë publikuar në mediat sociale Facebook dhe TikTok me pretendimin e shpërblimit të audiencës në vlerë monetare duke përdorur video-materiale të figurave të njohura si Leonora Jakupi dhe Florian Marku. Një fotografi mashtruese nga një mbledhje e LDK-së është publikuar në TikTok, ku në vend të imazhit të ish-presidentit Rugova është montuar imazhi i ish-presidentit Thaçi.

Artikuj clickbait janë publikuar në portale informative për vrasje dhe aksidente që nuk kishin ndodhur në hapësirën shqipfolëse dhe nuk ju ishte bërë e ditur në tituj vendndodhja e ngjarjes.

Dezinformatat u publikuan në TikTok dhe portale të dyshimta me pretendimet e rremë për një sulm në veri të vendit më 3 dhjetor, dhe se Zvicra po kërkon punëtorë.

Përmbajtje e paverifikuar

Një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, ka postuar me datë 17 nëntor një imazh ku shihen dy ushtarë duke drejtuar revolen drejt një fëmije. Këto pamje pretendohen të jenë aktuale nga konflikti Izrael-Hamas, në një spital në Gaza. Pas analizimit të fotografisë vërehen detaje që nuk përkojnë me një fotografi reale dhe e njëjta tregon shenja të Inteligjencës Artificiale. (këtu)

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka publikuar një artikull lidhur me vjedhjen e parave të gatshme në kishën e fshatit Bardhosh të Prishtinës. Lidhur me këtë rast, ky institucion ka deklaruar se veprimi është kryer nga “ekstremistët shqiptarë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ende nuk dihet se kush janë kryerësit e kësaj vepre. (këtu)

Faqja në Facebook që mban emrin “Dituria Islame” ka publikuar me datë 11 nëntor një fotografi që shfaq një grua duke zbritur shkallëve në një ndërtesë të shkatërruar. Duke e ditur se faqja e lartcekur, gjatë kohëve të fundit publikon materiale nga lufta Hamas-Izrael, lë të kuptohet se këtë imazh është munduar ta ndërlidhë me këtë ngjarje, të cilit i ka vënë mbishkrimin “Kjo nënë rrezikon sigurinë e saj vetëm që të marrë makinën e fëmijës së saj nën rrenojat e shtëpis së saj pas bombardimit”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është realizuar në vitin 2016 në qytetin Homs të Sirisë. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok që mban emrin “mrgame.ks” ka publikuar një video-material në të cilën shfaqet imazhi i një projekti të një stadiumi, në strukturën e të cilit është shqiponja dy krenare. Në mbishkrimin e vendosur imazhit, pretendohet se është paraqitur stadiumi i cili do të ndërtohet në Prishtinë. Por pas verifikimit nga ana e hibrid.info, është vërtetuar se fotografia në fjalë është e gjeneruar nga ana e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe nuk paraqet projekt të ndonjë stadiumi që pritet të ndërtohet në të ardhmen. (këtu)

Një llogari në TikTok që mban emrin “fakte__te__frikshme” ka publikuar një video-material që paraqet imazhin e aktores Angelina Jolie. Imazhi përmban mbishkrimin që pretendon se aktorja ka deklaruar: “Arabët dhe myslimanët nuk janë terrorista. Bota duhet të bashkohet kundër Izraelit”. Por pas verifikimeve të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se një deklarim i tillë nuk qëndron. (këtu)

Është publikuar një video-material nga një llogari në TikTok me emër “Babajaga454” me pretendimin se Agjencia Qendrore e Inteligjencës “CIA”, ka paralajmëruar se me 3 dhjetor në Kosovë do të hynë mbi 500 trupa të Wagnerit që do të sulmojnë policinë dhe popullsinë e Kosovës. Por që pretendimi i paraqitur në këtë video-material, pas hulumtimeve të kryera nga hibrid.info, rezulton të jetë i pa vërtetë. (këtu)

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material me pretendimin se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po e armatosë Kosovën me pajisje moderne të fuqishme. Në këtë video material shihen pamje të disa tankeve, përmes së cilave pretendohet se këto pajisje dhe disa raketa tashmë kanë mbërritur në Kosovë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet e tankeve të paraqitura në material janë të ushtrisë amerikane, e cila në muajin tetor kishte përfunduar një operacion në Lituani. (këtu)

Llogaria në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar një video-material të disa pajisjeve ushtarake me pretendimin se të njëjtat i janë dhuruar Kosovës si donacion. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi është i rremë, ndërsa video është marrë nga një kanal turk në Youtube, që sqaron se pamjet paraqesin automjetin ushtarak Vuran. (këtu)

Disa portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar me 24 dhe 25 nëntor një artikull me titull “Termeti i forte lekund Shqiperine termeti ishte ….”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i pasaktë, pasi gjatë datave 24 dhe 25 nëntor nuk është regjistruar asnjë tërmet në territorin e Shqipërisë. (këtu)

Mashtrim

Një faqe në median sociale Facebook me emrin “𝓛𝒆𝓸ήό𝐫𝐫𝒶ј𝒶Ҝ𝔲𝓹𝓁” ka publikuar një video-material të gjatë mbi 5 orë, duke pretenduar se kjo artiste, përmes një video-paraqitje të drejtpërdrejtë, po e paralajmëron një shpërblim për audiencën. Në përshkrimin e këtij materiali shkruan “Përshëndetje ju bekoj te gjitheve!! 150 personat e parë që thonë (Përshëndetje), do t’u jap 10,000 € dhe jam i vërtetë, Që tani e tutje”. Hibrid.info ka verifikuar këtë video-material, i cili është vërtetuar se është i vjetër, i vitit 2019 dhe nuk ka të bëjë me asnjë lojë shpërblyese, siç pretendohet. (këtu)

Llogaria në TikTok që mban emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material i cili paraqet imazhin e një mbledhjeje të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në sfond të këtij imazhi duket fotografia e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Por hibrid.info ka vërtetuar se imazhi i publikuar nga llogaria në fjalë është i montuar. (këtu)

Një faqe në Facebook që mban emrin “𝑭𝒍0𝒓𝒓𝒊å𝒏-𝑴å𝒓𝒓𝒌µ”, me datë 3 tetor ka publikuar një video-material me pretendimin se ky boksier shqiptar, përmes një video-paraqitje të drejtpërdrejtë, po e paralajmëron një shpërblim për audiencën. Në përshkrimin e këtij materiali shkruan “100 personat e parë që thonë (Përshëndetje), do të transferoj 10.000 euro. Kjo eshte e vertete”. Pas verifikimit të kryer nga Hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vjetër, i vitit 2020 dhe nuk ka të bëjë me asnjë lojë shpërblyese të paralajmëruar nga boksieri shqiptar Florian Marku. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Insajderi.org” ka publikuar një artikull me titull “Reperja 27-vjeçare vret menaxherin në mes të rrugës: Ishte vetëmbrojtje”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e ngjarjes sqarohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Reperja Key Vhani akuzohet për vrasjen e agjentit të saj më 9 tetor. Një kamera sigurie regjistroi momentin kur 27-vjeçarja qëlloi dhe vrau agjentin e saj në mes të rrugës në Miami, SHBA”. (këtu)

Portali informativ “Indeksonline.net”, ka publikuar një artikull me titull “Aksident i frikshëm, kamioni humb kontrollin dhe bie nga ura”. Hibrid.info ka vlerësuar titullin e këtij artikulli si përgjithësues pasi nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit ku thuhet se “Një aksident i frikshëm ka ndodhur në Selanik, ku një kamion ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga ura”. (këtu)

Dezinformatë

Llogaria në TikTok me emrin “babajaga454” ka publikuar një video-material, në të cilin pretendohet për një sulm në veri të vendit më 3 dhjetor. Sipas pretendimit, më organizimin e Millan Radojçiq, ish nënkryetarit të Listës serbe, është futur armatim në kishat ortodokse serbe, me qëllim të realizimit të këtij sulmi. Hibrid.info ka verifikuar dhe nuk ka gjetur burime kredibile që faktojnë pretendimin. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “AtdheuLajm” ka publikuar me datë 24 nëntor një artikull me titull “Lajm i mirë për shqiptarët, Zvicra po kërkon punëtor në këto sektore”. Pas verifikimit dhe hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, është vërtetuar se titulli i artikullit është i sajuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen e tij. Ndërsa lajmi i njëjtë është gjetur i publikuar edhe në janar të vitit 2022. (këtu)