Dezinformatat dhe clickbait artikujt kanë qenë kategoritë keqinformuese që e kanë dominuar ekosistemin mediatik gjatë javës që shkoi.
Përmbajtjet dezinformuese kishin të bënin me tema që ndërlidheshin me ndihma financiare për punëtorët e sektorit privat, për tarifat e reja të energjisë elektrike, sulmin ndaj policisë kufitare dhe pretendimi dezinformues i mediumit në gjuhën serbe, se nëpërmjet Projektligjit për Lirinë Fetare, shqiptarët kërkojnë ta shuajnë prezencën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Clickbait artikujt kryesisht ishin përmbajtje të vjetra të ri-publikuara si aktuale ndërlidhur me vrasje, humbje jete, Trustin, mbështetjen financiare për studentët.
Artikulli i vlerësuar si gabim ishte i ndërlidhur me titull të pasaktë, me pretendimin se Meshar Selimaj është avokat i Aurona Pelajt.
Dezinformatë
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me titull “’200 eυrοt për punëtorët e sektοrin privat’, vjen lajmi i fυndit për këtë kategοri”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i sajuar, ndërsa lajmi është i vjetër, i publikuar në muajin nëntor 2022. (këtu)
Portali i dyshimtë “bbcnewsm.com” ka publikuar një artikull të vjetër të qershorit 2022, lidhur me vendimin e Gjykata Supreme, e cila atëkohë kishte rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur shtyrjen e zbatimit të tarifave të reja të energjisë elektrike. Këtë artikull të vjetër, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual, duke i vënë në titull cilësimin si “LAJMI I FUNDIT”. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar dje (24 janar) një artikull të vjetër të muajit nëntor, lidhur me sulmin ndaj Policisë kufitare të Kosovës, i cili kishte ndodhur në objektin për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik. Këtë lajm të vjetër, këto portale janë munduar ta paraqesin si aktual, kështu duke lënë vend për keqinformim te lexuesit. (këtu)
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “bbcnewsm.com” ka publikuar një artikull me titull “LAJMI FUNDIT/ Kosovës sapo i erdhi lajmi u shumëpritur nga BE”. Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull dhe, pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, rezulton që ky lajm është i vjetër, i publikuar më 15 shtator të vitit 2021. Përveç që lajmi është i vjetër, portali i dyshimtë “bbcnewsm.com”, këtij artikulli i ka vënë titull të sajuar me pretendimin ta paraqesë atë si aktual. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër (nëntor 2022) në lidhje me disa automjete të FSK-së, të cilat ishin parë dukë qarkulluar rrugëve të Ferizajt. Këtë artikull të vjetër, këto faqe janë munduar ta paraqesin si aktual, të cilat e kanë postuar dje me datë 26 janar. Gjithashtu, edhe pse bëhet për automjete të FSK-së, në fotografin e përdorur nuk shihen automjetet e FSK-së, por një automjet i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si dhe një pjesëtar i saj, e që ky imazh i takon një ngjarjeje tjetër. (këtu)
Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin në titull se, nëpërmjet Projektligjit për Lirinë Fetare, shqiptarët kërkojnë ta shuajnë prezencën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Artikulli i publikuar nga mediumi në gjuhën serbe është ndërlidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të miratuar plotësim ndryshimin Projektligjin për Lirinë Fetare. Përmbajtja e artikullit është përkthimi i artikullit të “Gazeta Express”, ku parashihet përmbajtja e këtij projektligj. Në artikullin e publikuar nga Gazeta Express jepen detaje se çka parasheh Projektligji i ri për Lirinë Fetare në Kosovë, ku nuk specifikohen kushte të veçanta për Kishën Ortodokse Serbe që do të aludonte në ndonjë plan për shuarjen e saj siç pretendohet nga mediumi në gjuhën serbe. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “7 persona të vra*rë nga të shtënat masive”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar që titulli i këtij artikulli nuk e bënë të qartë lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Shtatë persona u qëlluan për vdekje të hënën në San Mateo, Kaliforni, duke shënuar të shtënat e dyta masive në tre ditë në shtet, thanë autoritetet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online””. Përveç titullit që nuk qartëson vendndodhjen e ngjarjes, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi në të shihet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SHIRITI I POLICISE MOS KALONI”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)
Faqja në Facebook “33shi.com” ka publikuar një artikull të vjetër (3 janar 2023), me deklaratën e iniciuesit të Projektligjit për tërheqjen e Trustit, Bekim Haxhiu, i cili atëkohë ishte shprehur se ky projektligj do të jetë në rend dite qysh në seancën e parë në Kuvend. Pra, faqja e lartcekur ka publikuar këtë artikull të vjetër me pretendimin ta paraqesë si aktual. (këtu)
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull, i cili flet për një 63-vjeçar nga Berati që ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga pema. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen. Në fotografi shihen veturat e Policisë së Kosovës, ndërsa ai imazh i përket një ngjarjeje të muajit dhjetor të vitit 2022 në qytetin e Pejës. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër të muajit nëntor (2022), i cili ka të bëjë me mbështetjen e studentëve me nga 100 euro nga “pako për përballje me inflacion”. Por, këtë artikull të vjetër, faqet e lartcekura janë munduar ta paraqesin si aktual, duke e ri-publikuar. (këtu)
Gabim
Portalet “Indeksonline.net” dhe “Raporto24.org” kanë publikuar një artikull me titull të pasaktë, me pretendimin se Meshar Selimaj është avokat i Aurona Pelajt, e që i njëjti ka deklaruar se ajo mund të ketë ikur në Gjermani. Por, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se Selimaj nuk është avokat i Pelajt, por i gruas së moshuar, Minire Nura. (këtu)