Fakte për...

Rishikimi i javës (29 maj-3 qershor 2023): dezinformata nga mediat në gjuhën serbe lidhur me Kurtin, teori konspirative nga mediat ruse, përmbajtje të rreme në mediat sociale

Artikujt dezinformues dhe lajmet e rreme kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi.

Dezinformatat ndërlidheshin me pretendimet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i kërcënon serbët me largim nga Kosova, ose me burgim; se Kurti, të ketë thënë që “është i gatshëm të rrëzojë Vuçiqin”; se Dafina Demaku, është “gazetare pro-serbe” dhe “e dyshuar për agjente e Agjencisë së Sigurisë Informative (BIA) të Serbisë”.

Lajme të rreme lidhur me pretendimet se 120 pjesëtarë të grupit të mercenarëve rus “Wagner” kanë hyrë në Mitrovicë; se Agjencia Qendrore e Inteligjencës “CIA”, parasheh konflikt të armatosur në Kosovë gjatë muajit korrik; se Aleksandër Vuçiq e ka shpërndarë në Twitter, tweet-in gazetarit Berat Buzhala.

Manipulim i fakteve nga mediat në gjuhën serbe lidhur me deklaratat e Muhamet Hajrullahut për protestat e opozitës në Beograd, si dhe një deklaratë rreth zhvillimeve në Kosovë të Mircea Geoană, zëvendës sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Gabim rreth gjobitjes së futbollistit të Tiranës, Visar Bekaj dhe deklaratës së Edi Ramës për fuqinë e ushtrisë së Serbisë.

Teori konspirative nga mediat ruse në të cilën pretendohet se “SHBA dhe NATO po përgatisin një revolucion në Serbi me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës”.

Manipulim i fakteve

Mediat në gjuhën serbe, duke iu referuar një cicërime të Hajrullahut, kanë ngritur pretendimin se ky i fundit i është gëzuar protestat opozitare në Beograd, duke e shtrembëruar deklaratën e tij në këtë cicërim, ku interpretohet të ketë thënë: “E dridhëm Vuçiqin, i erdhi fundi”. Pra, duke e paraqitur postin e Hajrullahut si në vetën e parë. Faktet tregojnë se kryeredaktori i portalit informativ “telegrafi.com” nuk ka deklaruar se e “dridhëm Vuçiqin, i erdhi fundi” dhe se mezi i ka prit protestat opozitare në Beograd, por “ja paskan dridh themelin Vuçiqit në Beograd sot, po get i ka ardhur fundi”. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “happytv.rs” ka publikuar një artikull lidhur me një deklaratë rreth zhvillimeve në Kosovë të Mircea Geoană, zëvendës sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Artikulli mbanë titullin “ZËRI I ARSYES? Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s DËNON REAGIMIN E KFOR-it. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është gjetur se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen. Geoană ka dënuar sulmin ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, e nuk e ka dënuar reagimin e tyre, siç pretendon mediumi serbe në titull të artikullit lidhur me këtë. (këtu)

Gabim

Portali “indeksonline.net” ka raportuar gabimisht se FSHF ka dënuar me 100 mijë euro gjobë futbollistin e Tiranës, Visar Bekajn, me akuzën për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës, pas ndeshjes ndërmjet Tiranës dhe Bylisit. Në njoftimin e FSHF-së, thuhet se Bekaj është dënuar me 100 mijë lekë. E konvertuar në valutën e Euro-s, i bie që futbollisti duhet të paguajë rreth 900 euro, saktësisht 905 euro. (këtu)

Është publikuar një artikull me titull që pretendon se “Edi Rama ka vlerësuar si të barabartë me zero, fuqinë e ushtrisë serbe përballë asaj të Kosovës”. Pas hulumtimit, hibrid.info ka vërtetuar se kryeministri shqiptar ka deklaruar se fuqia e ushtrisë serbe në kufijtë e Kosovës, është e barabartë me zero. (këtu)

Dezinformatë

Llogaria në TikTok “@QEVERIA KURTI 2” ka publikuar një përmbajtje me pretendime të ngritura në përshkrimet se kryeredaktorja e portalit informativ online “Periskopi.com”, Dafina Demaku, është “gazetare pro-serbe” dhe “e dyshuar për agjente e Agjencisë së Sigurisë Informative (BIA) të Serbisë”. Pretendimi i ngritur se kryeredaktorja e portalit informativ “Periskopi”, Dafina Demaku, “dyshohet si agjente e BIA-s serbe është i pabazë. Llogaria në TikTok nuk ofron asnjë fakt apo burim lidhur me pretendimin e bërë. (këtu)

Portali informativ “Top-channel.tv” ka publikuar një artikull me pretendimin se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takohet me homologun e saj serb, Aleksandër Vuçiq. Përveç këtij pretendimi nga portali “Top-channel.tv”, në këtë artikull në artikull ngritët tjetër pretendim i pasaktë se kryeministri Kurti është përjashtuar nga bisedimet, duke u zëvendësuar nga presidentja Osmani. Përkundër faktit se është paralajmëruar se nuk do të takohen presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me presidentit e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, megjithatë, ata kanë zhvilluar një takim të shkurtër. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i kërcënon serbët me largim nga Kosova, ose me burgim. E përditshmja serbe, duke iu referuar deklaratave të Kurtit në konferencën Globsec të mbajtur në Bratislavë, kanë ngritur pretendimin se ky i fundit i ka kërcënuar serbët e Kosovës me dëbim nga vendi ose burgim, duke manipuluar më përmbajtjen e saj. Faktet tregojnë se Kurti në Globsec nuk ka deklaruar se serbët duhet të largohen nga Kosova ose ata që qëndrojnë si të burgosur por i është referuar, siç është shprehur, bandave të organizuara në veri. (këtu)

Në një artikull të publikuar në mediumin në gjuhën serbe që mbanë domainin “Pink.rs” pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të ketë thënë që “është i gatshëm të rrëzojë Vuçiqin”. Ky pretendim është bërë përmes titullit – “Kurti tha: Jam gati të ndihmoj për rrëzimin e Vuçiqit!”. Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve të paraqitura në artikullin e “Pink.rs”, kuptohet se titulli i vënë është tërësisht i pavërtetë. Pra, Kurti nuk ka thënë se “është i gatshëm të ndihmojë në rrëzimin e Vuçiqit”. Në fakt, Kurti, në fjalimin e tij në Kuvend të Kosovës kishte thënë se “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në demokratizimin e Serbisë, por jo të paguajmë çmimin për të”, ndërsa autori/ja e artikullit ka vënë titull një koment dhe interpretim të deklaratës së Kurtit, duke e shtrembëruar atë. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi pro-pushtetit në Rusi, Russia Today, ka publikuar një artikull të agjencisë shtetërore ruse “Ria Novosti” në titullin e së cilit pretendohet se “SHBA dhe NATO po përgatisin një revolucion në Serbi me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës”. Ndonëse në titull është ndërtuar në formë pyetëse, me pikëpyetje në fund, nuk sqarohet se ky është vetëm mendim i një studiuesi rus dhe jo ndonjë studim kredibil. I gjithë pretendimi pra ndërtohet vetëm në opinionin e studiuesit rus Aleksandar Bartos, anëtar i Akademisë së Shkencave Ushtarake të Rusisë, i cili bazohet vetëm në zhvillimet e fundit, por jo në ndonjë fakt konkret. (këtu)

Lajm i rremë

Në mediat sociale janë postuar shpërndarë disa banerë në gjuhën shqipe me thirrje për protestë në jug të Mitrovicës. Ndonëse banerët janë të ndryshëm për nga dizajni dhe përmbajtja, ata kanë të njëjtin mesazh. Këto poste janë bërë kryesisht në TikTok dhe një pjesë më e vogël e tyre në Facebook. Hibrid.info ka trajtuar autenticitetin e këtyre përmbajtjeve dhe ka kuptuar se ato vijnë nga llogari e faqe të dyshimta. Lidhur me këtë thirrje, ka reaguar Policia e Kosovës, si dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke u bërë thirrje qytetarëve që mos t’i përgjigjen kësaj thirrje, pasi e njëjta cilësohet si e dyshimtë. (këtu)

Në një fotografi të publikuar në media sociale, pretendohet se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e ka shpërndarë në Twitter, tweet-in gazetarit Berat Buzhala, drejtues i mediumit “Nacionale.com”. Por që ky pretendim është hedhur poshtë si foto-montazh. Postimi në fakt është shpërndarë nga ish-ambasadori Richard Grenell dhe jo Vuçiq. (këtu)

Llogaria në TikTok “kijameti2024” ka publikuar një video-material të shkurtër (15 sekonda) me anë të së cilit pretendon se 120 pjesëtarë të grupit të mercenarëve rus “Wagner” kanë hyrë në Mitrovicë, duke aluduar në veri të Kosovës. Në këtë video-material është vënë edhe një fotografi në të cilën paraqiten 4 ushtarë. Pas verifikimit të fakteve të kryer përmes “InVID”, është vërtetuar se ushtarët e paraqitur në këtë imazh janë ukrainas, si dhe fotografia është e vjetër. (këtu)

Është publikuar një video-material në TikTok nga llogaria me emër “kijameti2024” me datë 1 qershor, në të cilin pretendohet se Agjencia Qendror e Inteligjencës “CIA”, parasheh konflikt të armatosur në Kosovë gjatë korrikut, duke paralajmëruar rrezik të përhapjes së këtij konflikti edhe në Ballkan. Por që pretendimi i paraqitur në këtë video-material, është vërtetuar nga hibrid.info, si i pa verifikuar. (këtu)