Përmbajtjet e paverifikuara, lajmet e rreme dhe artikujt clickbait janë kategoritë që kanë mbizotëruar në ekosferën keqinformuese në përmbajtjet në gjuhën shqipe.
Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar në Facebook si imazhe të rremë nga protesta, furnizime me armë dhe përshkrimin e gjendjes nga konflikti Izrael-Hamas.
Artikuj clickbait janë publikuar në portale informative dhe mediat sociale me pretendime për njw sëmundje në rritje te fëmijët, fitimin e granteve, përfshirjen e Behgjet Pacollit në pistën e hetimit në vrasjen e Liridona Murseli.
Lajmet a rreme janë publikuar në mediat sociale me pretendime për armatosjen e Kosovws, pra dhurimit të dronëve, topave luftarak dhe helikopterëve.
Dezinformatë me pretendimin se ata presidenti i Ukrainws, Volodymyr Zelensky po i rekruton personat 17 vjeçarë dhe po i dërgon në luftë kundër Rusisë.
Përmbajtje e paverifikuar
Disa faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar një fotografi të një proteste në qytetin izraelit Tel Aviv. Me anë të këtij imazhi, është pretenduar se protesta është mbajtur si shkak për arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron, dhe se protesta në Tel Aviv është mbajtur nga familjet e të burgosurve izraelitë, kundër qeverisë së Benjamin Netanyahu-t. (këtu)
Një faqe në Facebook që mban emrin “Realiteti”, ka publikuar një video- material ku shfaqen pamje të disa produkteve me etiketën “Made in Turkey” teksa shkarkohen nga një kontenier. Në mbishkrimin e videos së publikuar, pretendohet se pamjet e shfaqura paraqesin momente kur ushtarët izraelitë marrin furnizime ushtarake të dërguara nga Turqia. Por, hibrid.info ka hulumtuar dhe ka verifikuar se nuk bëhet fjalë për furnizime ushtarake nga Turqia në Izrael. Gjithashtu, pamjet e shfaqura janë të vjetra. (këtu)
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “IDEALISTI-al” ka publikuar një postim rreth situatës në Gaza, të cilin e ka pasqyruar me një imazh. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi i paraqitur në këtë postim nuk paraqet qytetin e shkatërruar të Gaza-s. (këtu)
Faqja në Facebook që mban emrin “IDEALISTI-al” ka publikuar me datë 6 dhjetor një video-material me mbishkrimin “Do marrin vendet e punës….”. Në këtë video-material shfaqen disa persona të veshur si robotë, e që faqja e lartcekur me anë të këtij pretendimi, ka lënë të kuptohet se ata janë robotë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se personat që shihen në video-material janë aktorë të grimuar për t’u dukur si robotë, si pjesë e promovimit të filmit “The Creator“. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-.info” ka publikuar një artikull me titull “Edhe Behgjet Pacolli në pistën e hetimit për rastin makabër të vrasjes së Liridona Ademajt”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është nxjerrë nga një opinion, por pa e bërë të qartë këtë fakt. Titulli lë të kuptohet se kanë filluar hetimet ndaj ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli në lidhje më rastin e fundit të vrasjes së gruas në Prishtinë. Mirëpo, në përmbajtjte bëhet e ditur se ky është një opinion i analistit Gani Qarri. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar më 4 dhjetor një artikull me titull “Jeni biznes apo i vetë-punësuar? Fito grant deri në 3000 euro (Apliko këtu)”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, pasi afati për aplikim në “Programin e Vet-Punësimit 2023-2024”, ka skaduar me datë 31 tetor. Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës me datë 28 tetor përmes faqes zyrtare në Facebook kishte njoftuar në lidhje me aplikimin në programin e vetë-punësimit. (këtu)
Portali informativ “Ekonomiaonline.com” ka publikuar më 4 dhjetor në kanalin Youtube një video-material, ku shihet ish-kryetari i kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli. Në titullin e video-materialit shkruhet: “Veseli pas kthimit nga Haga: Lavdi e përjetshme UÇK-së dhe popullit të Kosovës”. Pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo video është e vjetër, e publikuar në vitin 2019, dhe si shkak që Veseli tani ndodhet në paraburgim në Hagë, videoja krijon konfuzion se është aktuale. (këtu)
Portali informativ në gjuhën shqipe që mban emrin “sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “Rritje alarmante e rasteve në të gjithë vendin, një tjetër sëmundje kërcënon fëmijët”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, i cili nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e lajmit ku thuhet se “Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë ka shpallur epidemi të fruthit në nivel kombëtar pas rritjes alarmante të rasteve në të gjithë vendin”. (këtu)
Lajm i rremë
Një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe që mban emrin “Mesxhid Al Aksa” ka publikuar një imazh në të cilin paraqiten disa armë (bomba), me anë të së cilës pretendohet se ato i janë dhënë donacion Izraelit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është i vjetër, dhe paraqet pamjet e disa bombave në zonën e magazinimit të municioneve në Republikën e Koresë. (këtu)
Një llogari në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar një video-material në të cilin shfaqet një dron ushtarak. Mbishkrimi i vendosur video-materialit pretendon se ky dron ushtarak do t’i dhurohet Kosovës, pa e saktësuar burimin e këtyre donacioneve. Por hibrid.info nuk ka gjetur dëshmi apo burime të sakta që konfirmojnë pretendimin. (këtu)
Një llogari në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar një video-material, që shfaq një top luftarak. Mbishkrimi i vendosur video-materialit pretendon se kjo pajisje luftarake do t’i dhurohet Kosovës si donacion nga SHBA-të. Por hibrid.info nuk ka gjetur dëshmi apo burime të sakta që konfirmojnë pretendimin. (këtu)
Një llogari në TikTok që mban emrin “armies_of_the_world1”, ka publikuar një video-material ku shfaqet imazhi i Recep Tayyip Erdogan, presidentit të Turqisë. Imazhit të presidentit turk i është vendosur mbishkrimi, që pretendon se ky i fundit ka dhënë vlerësime të larta për Policinë e Kosovës dhe ka deklaruar se Turqia do ta furnizojë me pajisje këtë institucion. Por pas hulumtimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë material mbështetës që vërteton pretendimin e publikuar nga llogaria në fjalë. (këtu)
Llogaria në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar të mërkurën (6 dhjetor) një video-material që shfaq pamjet e një helikopteri. Këtij video-materiali i është vënë mbishkrimi “Sërish donacion nga Amerika”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Kosovës helikopter, është i rremë. (këtu)
Dezinformatë
“Investiguesi Shkrimor”, një llogari me përmbajtje propaganduese në gjuhën shqipe në Facebook, ka publikuar më 7 dhjetor një imazh të disa personave të veshur me uniforma ushtarake, me pretendimin se ata janë 17 vjeçarë të cilët presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy po i dërgon në luftë kundër Rusisë. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë një artikull të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Ukrainës “Ukrinform.ua”, e cila ka demantuar këtë pretendim, duke e cilësuar atë si propagandë dezinformuese ruse. (këtu)