Fakte për...

Rishikimi i javës (5-10 dhjetor 2022): dezinformata dhe manipulim i fakteve nga Zyra për Kosovën dhe rreth Xhakës dhe Shaqirit, përmbajtje të pa verifikuara rreth kampionatit botëror

Dezinformatat dhe manipulimi i fakteve ishin dy kategoritë keqinformuse që e dominuan sferën keqinformuese mediale në javën që shkoi.

Dezinformata lidheshin me të dashurën e futbollistit të Zvicrës, Xherdan Shaqirit dhe deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Manipulimi i fakteve ndërlidhej me fanellën me mbishkrimin Jashari të veshur nga futbollisti tjetër i Zvicrës, Granit Xhaka, pas ndeshjes Zvicër-Serbi, si dhe deklarata manipuluese e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq rreth përgatitjeve për zgjedhje në komunat veriore.

Teori konspirative se “The Simpsons” kanë parashikuar përkuljen fetare (sexhde) nga futbollistët e Marokut.

Lajm i rremë se forcat speciale amerikane kanë zbarkuar në veri të Kosovës.

Përmbajtje të pa verifikuar për zhveshjen e një tifozeje angleze në Kampionatin Botëror në Katar, si dhe pretendimin se disa tifozë kroatë bënë rituale fetare të Islamit, pas fitores ndaj Brazilit.

Dezinformatë

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull lidhur me një ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2018 në Filipine. Pra, portalet e dyshimta janë munduar ta paraqesin rrejshëm këtë ngjarje, duke pretenduar se ajo ka ndodhur në një linjë autobusi në qytetin e Durrësit. (këtu)

Portali informativ sportiv në gjuhën serbe “sportal.blic.rs” ka publikuar artikull me pretendimin se Xherdan Shaqiri është në një lidhje dashurie me këngëtaren Dhurata Ahmetaj, të cilës i referohet me origjinë nga Serbia. Pas verifikimit të fakteve konkludohet se pretendimin që Dhurata Ahmetaj është nga Serbia dhe se ajo është në një lidhje dashurie me futbollistin Shaqiri nuk qëndron. Për këtë arsye, këto pretendime vlerësohen si “Dezinformatë”. (këtu)

Mediat në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull lidhur me deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq i cili pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dërguar policinë me pushkët e gjata në objektet e komunës së Zubin Potokut në veri të Kosovës për të tentuar me dhunë të përgatit terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve. Policia e Kosovë i ka quajtur tendencioze dhe të pavërteta këto pretendime dhe ka sqaruar se prezenca e Policisë së Kosovës në Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës ka qenë për t’i ofruar asistencë zyrtarëve të KQZ-së për të organizuar zgjedhjet. (këtu)

Manipulim i fakteve

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se Xhaka ka veshur fanellën me numër 26 dhe mbishkrimin Jashari për të kremtuar përvjetorin e masakrës ndaj serbëve dhe daljen publike të UÇK-së. Pretendimet nuk qëndrojnë për faktin se UÇK-ja nuk feston 26 vjetorin e daljes publike, për shkak se ajo publikisht ka dal në vitin 1997, e jo në vitin 1996 siç pretendon gazeta serbe. Për më tepër, Xhaka ka mohuar mediat serbe se kishte veshur fanellën me mbishkrimin Jashari duke aluduar në mbiemrin komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. (këtu)

Mediat në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me pretendimet e pa bazuar në fakte të shefit të zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, se forcat speciale të Kurtit hynë në zyrën e KKZ-së në veri të Mitrovicës duke shkatërruar gjithçka brenda saj. Pretendimet e Petkoviqit, përveç që nuk mbështetën në fakte, ato i kanë mohuar edhe institucionet dhe zyrtarët e lartë të Kosovës duke bërë të ditur se sulmet në zyrat e KKZ-së në veri të Mitrovicës u bënë nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, të cilët sulmuan me shok bombë dhe të shtëna në ajër. (këtu)

Mediat në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me pretendimet e pa bazuara në fakte të shefit të zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, se konfiskimi i verës në pronësi të një qytetari serb në Hoçën e Madhe-Rahovec është sulm i ri i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit ndaj serbëve në jug të Ibrit. Pretendimet e Petkoviqit, përveç që nuk mbështetën në fakte, ato i ka mohuar edhe institucion legjitim, Dogana e Kosovës, duke bërë të ditur se konfiskimi në fjalë ka ndodhur për shkak se kjo veprimtari është zhvilluar pa autorizim nga ky institucion. (këtu)

Teori konspirative

Një llogari në “Twitter” ka publikuar një fotografi nga filmi i animuar “The Simpsons” duke pretenduar se ai ka parashikuar përkuljen fetare (sexhde) nga futbollistët e Marokut, të cilët mw 6 dhjetor e ekzekutuan këtë përkulje pas fitores ndaj Spanjës në Kampionatin Botëror. Megjithatë, kjo fotografi e marrë nga filmi i animuar “The Simpsons” është e montuar. Hibrid.info ka gjetur se imazhi është marrë nga episodi i vitit 2013 dhe në të nuk shfaqet personazhi Homer Simpson me fanellë të Marokut, por me këmishë të bardhë, si dhe flamuri maroken nuk ekziston në imazhin real. (këtu)

Mashtrim

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull të vjetër të cilin janë munduar ta paraqesin si aktual. Gjithashtu këtij artikulli i është vënë fotografi e sajuar e dy personazheve të huaj (Hattie dhe John) me pretendimin që burrin në fotografi ta paraqesin nga Kosova. (këtu)

Lajm i rremë

Portali i dyshimtë “GazetaNewborn.info” ka publikuar një artikull me pretendimin se Forcat speciale amerikane zbarkojnë në veri të Kosovës, të cilin nuk e argumenton me asnjë fakt shtesë. Gjithashtu këtij artikulli i mungon përmbajtja. Përveç kësaj, edhe fotografia e përdorur në këtë artikull nuk përkon me pretendimin e bërë, pasi ajo është marrë nga artikulli i publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-online.com”, që kishte raportuar për hyrjen e pjesëtarëve të KFOR-it në një kopsht të fëmijëve në Leposaviq. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Një video material është publikuar nga media online në gjuhën shqipe, e cila pretendohet të jetë realizuar në Kampionatin Botëror të futbollit në Katar. Në këtë video shihet një tifoze angleze e cila zhvishet para tifozëve të kësaj kombëtare. Megjithatë, kontrolluesit e fakteve nga Spanja “Maldita.es“, kanë vërtetuar se kjo video nuk i përket këtij kompeticioni që po zhvillohet në Katar, por ajo është në qarkullin të paktën që nga korriku i vitit 2021. (këtu)

Portali “Korrespodenti.com” ka publikuar një artikull lidhur me fitoren e mbrëmshme (9 dhjetor) të Kroacisë ndaj Brazilit, ndërsa me anë të fotografisë ka pretenduar se tifozët kroatë pas kësaj fitore kanë ekzekutuar përkuljen (sexhde). Mirëpo, pas verifikimit të fakteve dhe hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se kjo fotografi nuk i përket kësaj ngjarje, pasi ajo është gjetur se është në qarkullim të paktën që nga data 27 nëntor. (këtu)

Clickbait

Portali “Korrespodenti.com” ka publikuar një artikull me titull të paqartë dhe fotografi jo adekuate, duke lënë të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga Ramush Haradinaj. Lajmi qartësohet në përmbajtje, ku shpjegohet se artikulli është i ndërtuar nga një status i analistit politik, Imer Mushkolaj, i bërë në profilin e tij në Facebook. (këtu)