Java që shkoi u karakterizua me një dominim të përmbajtjeve të pa verifikuara në ekosistemin keqinformues në Kosovë.
Përmbajtjet e pa verifikuara kishin të bënin me pretendimin se Suedia është bërë vendi i parë në botë që ka regjistruar zyrtarisht seksin si sport; se zëvendës-sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar i ka dhënë ultimatum dy-ditor kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Pretendimi se bima e quajtur “Sempervivum tectorum” mund t’ju shpëtojë nga të gjitha sëmundjet e mundshme” u vlerësua si pseudoshkencë/përmbajtje e pa verifikuar. Pretendimi se KFOR e ka ndaluar ministrin Aliu që të vizitojë kryetarin e komunës së Leposaviqit, u vlerësua si raportim i njëanshëm/përmbajtje e pa verifikuar.
Manipulim i fakteve lidhur me reagimin e Blerim Velës për protestat e opozitës në Serbi.
Lajme të rreme me video-materiale me përmbajtje të sajuara, duke pretenduar se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar Serbinë; dhe për ekzistencën e një virusi vdekjeprurës me emrin “Axar”.
Mashtrim se në profilin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është shpërndarë një fotografi me imazh të një posteri me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe të një qeni pranë tij që mbanë pozitën e zakonshme për urinim; dhe postime me pretendim të rremë t’i paraqesë ato si kampanja online për kredi-marrje.
Dezinformatë me pretendimin se njësitë speciale të Policisë së Kosovës (PK) kanë provokuar protestuesit në Zveçan, duke tentuar t’i shkelin.
Teori konspirative nga mediat ruse me pretendimin se Perëndimi po provokon shpërthimin e një revolucioni në Serbi me nxitjen e ekstremistëve nga Prishtina.
Clickbait artikuj me ngjarje jashtë Kosovës, e që nuk e bëjnë të ditur vendndodhjen e ngjarjes në titull.
Manipulim i fakteve
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull lidhur me reagimin e, Blerim Velës, shefit të kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lidhur me protestat e opozitës në Beograd. Sipas këtyre mediumeve, Vela është shprehur i lumtur dhe krenar lidhur me protestat e opozitës në Beograd, duke pretenduar të ketë thënë: “Jam krenar për njerëzit që protestojnë në Beograd, gjithçka më mban erë Maidani dhe jam shumë i lumtur për këtë”. Faktet tregojnë se shefi i kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, nuk ka deklaruar se është krenar “për njerëzit që protestojnë në Beograd” dhe se është shprehur i “lumtur”. Në fakt vela ka thënë: Duke marrë ca atmosferë Maidani nga Beogradi. Kështu duken protestat në Serbi kur ato nuk organizohen nga Vuçiqi dhe makineria e tij e dhunshme SNS. (këtu)
Lajm i rremë
Disa llogari në TikTok gjatë ditëve të fundit kanë shpërndarë video-materiale me përmbajtje të sajuara, duke pretenduar se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar Serbinë. Këto video-materiale përmbajnë material me pretendime të pavërteta se Erdogan ka reaguar me kërcënim ndaj Serbisë, në lidhje me ngjarjet e fundit që po ndodhin në veri të Kosovës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një deklaratë e tillë e presidentit turk nuk është e vërtetë, dhe se si e tillë nuk qëndron. (këtu)
Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” po vazhdon të publikojë video-materiale ku pretendohet për ekzistencën e një virusi të ri. Në video-material pretendohet për ekzistencën e një virusi me emrin “Axar”, që ka shpërthyer në SHBA dhe Kinë duke marrë jetë e mbi 2 milionë njerëzve, por që hibrid.info ka vërtetuar se një virus i tillë nuk ekziston. (këtu)
Mashtrim
Përmes një foto-materiali, që po qarkullon së fundmi në internet, pretendohet rrejshëm se në profilin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është shpërndarë një fotografi me imazh të një posteri me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe të një qeni pranë tij që mbanë pozitën e zakonshme për urinim. Në përshkrim të kësaj fotografie shkruan “PHOTO OF THE DAY”, shqip – “Fotografia e ditës”. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se një postim i tillë nuk gjendet në profilin zyrtar të Ramës në Facebook dhe si i tillë rezulton të jetë imazh i edituar (manipuluar). (këtu)
Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar postime me pretendim të rremë t’i paraqesë ato si kampanja online për kredi-marrje. Në seksionin “about” paraqitet një adresë në Paris në të cilën, krijuesi i kësaj faqe pretendon se gjendet selia e kësaj veprimtarie të dyshimtë, dhe vendet në të cilat supozohet që operon në qytetet si Tirana, Munihu dhe Prishtina. Përveç këtyre të dhënave, kjo faqe posedon edhe një e-mail “[email protected]”. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërejtur se kjo faqe përdor kampanja institucioneve financiare në Kosovë, të cilave ua largon logot, me pretendimin t’i paraqesë si të sajat. (këtu)
Dezinformatë
Disa mediume në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me pretendimin se njësitë speciale të Policisë së Kosovës (PK) kanë provokuar protestuesit në Zveçan, duke tentuar t’i shkelin. Pretendimi se Policia e Kosovës, ka dashur që t’i shkel serbët protestues në Zveçan duke i provokuar ata është një interpretim i pa bazuar në fakte. Pamjet e publikuara në media për rastin tregojnë se Policia e Kosovës i ka sjellë ushqim pjesëtarëve tjerë të Policisë që gjenden pranë objektit të komunës së Zveçanit dhe se nuk kanë provokuar apo dashur të shkelin serbët. (këtu)
Përmbajtje e pa verifikuar
Disa mediume online në gjuhën shqipe, kanë publikuar një artikull me pretendimin se Suedia është bërë vendi i parë në botë që ka regjistruar zyrtarisht seksin si sport dhe se, për herë të parë, me 8 qershor do të organizojë Kampionatin Evropian të Seksit, që pritet të mbahet në Goteburg të këtij shteti. Ky artikull, për herë të parë u publikua nga mediumi indian “OpIndia.com”. Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet intervista me Dragan Bratych, presidenti i Federatës Suedeze të Seksit. (shih këtu) Megjithatë, pas verifikimit të kryer nga platforma për kontrollim të fakteve, Snopes.com e cila, njëjtë sikurse hibrid.info, është edhe anëtare në Rrjetin Ndërkombëtar për Kontroll të Fakteve (IFCN), është konstatuar pavërtetësia pretendimit që seksi është shpallur sport. (këtu)
Në disa media në gjuhën shqipe u publikuan artikuj me pretendimin se zëvendës-sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar i ka dhënë ultimatum dy-ditor kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Titulli me këtë pretendim i bërë nga mediat, artikujt e të cilave u trajtuan, është bërë vetëm duke i bërë interpretim një pjese të përgjigjes së Escobar-it, kur thotë se afati kohorë për raportim tek eprorët e tij është deri më të nëntin e këtij muaji. Megjithatë, ky zyrtarë i lartë amerikan nuk përmend termin “Ultimatum”. Përkundrazi, ai e mohon të ketë dhënë ndonjë ultimatum për autoritetet e Kosovës. Edhe kryeministri Kurti mohon të ketë pranuar ndonjë shkresë zyrtare apo mesazh të ndonjë forme tjetër që përmban ndonjë ultimatum. (këtu)
Clickbait
Është publikuar një artikull me titull që pretendon se është marrë vendim për pagesën e shtesave për rrezikshmërinë në punë, për policët. Pas hulumtimit, hibrid.info ka vërtetuar se kemi të bëjmë me një deklaratë, të drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, i cili ka thënë se janë bërë tre muaj që policët nuk kanë marrë pagesat shtesë dhe se pret që muajin tjetër të bëhet pagesa. Në raportimin e Hoxhës para Komisionit për çështje të sigurisë, në Kuvend, nuk përmendet marrja e ndonjë vendimi mbi këtë çështje. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me vdekjen e futbollistit 18 vjeçar të Livornos, por që në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja e ngjarjes sqarohet vetëm në përmbajtje. Duke e ditur se ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës, titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se kjo ngjarje ka ndodhur në vendin tonë. (këtu)
Pseudoshkencë / Përmbajtje e pa verifikuar
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Kjo bimë mund t’ju shpëtojë nga të gjitha sëmundjet e mundshme”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se titulli i këtij artikulli, nuk i përgjigjet përmbajtjes. Në përmbajtje të artikullit pretendohet se bima e quajtur “Sempervivum tectorum” përdoret si ilaç për dhimbjen e veshit dhe kundër inflamacioneve. Gjithashtu, thuhet se “studimet tregojnë se lëngu nga kjo bimë ndikon në sistemin imun dhe në parandalimin e kancerit”. Megjithatë, pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se kjo bimë nuk ndihmon në trajtimin e të gjitha sëmundjeve, siç pretendohet përmes titullit. (këtu)
Teori konspirative
Mediumi rus “Russia Today Balkan (RT Balkan)” shërbimin në gjuhën serbe ka publikuar një artikull me pretendimin se Perëndimi po provokon shpërthimin e një revolucioni në Serbi me nxitjen e ekstremistëve nga Prishtina. Pretendimi bazohet në një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila pretendon se “faktorë të huaj keqdashës po përpiqen të nxisin ekstremistët nga Prishtina në Beograd për të ndikuar në udhëheqjen e Serbisë”. I gjithë pretendimi pra ndërtohet vetëm në deklaratat e Zakharovas për RT, por jo në ndonjë fakt konkret. (këtu)
Raportim i njëanshëm / përmbajtje e pa verifikuar
Disa media në gjuhën shqipe publikuar informacione me pretendimin se Ministritë të Infrastrukturës, Liburn Aliu i është ndaluar vizita e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemit. Pretendimi se KFOR e ka ndaluar ministrin Aliu që të vizitojë kryetarin e komunës së Leposaviqit nuk i konfirmuar nga palët e përfshira në këtë rast. Nuk është gjetur ndonjë reagim i KFOR-it lidhur me pretendimin në fjalë, ndërkaq ministri Aliu e ka quajtur të pavërtetë. (këtu)