Uncategorized

Rishikimi i javës (5-11 shtator 2022): manipulim të fakteve, përmbajtje të pa verifikuara për pagat e mësimdhënësve, artikuj të vjetër të ri-sjellë si dezinformata

Clickbate

Media në gjuhën shqipe, më 5 shtator, kanë publikuar një artikull që flet për shtetin e Francës, i cili për të kursyer energjinë elektrike do të gjobis deri 750 euro të gjitha bizneset që ngrohen me kondicioner dhe i mbajnë dyert hapur. Ndërsa këto portale i kanë vendosur titull përgjithësues këtij artikulli, duke mos e qartësuar se cili shtet ka marrë një vendim të tillë. (këtukëtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” dje (8 gusht) ka publikuar një artikull me titull “Alarmante: Rritja e çmimeve të energjisë mund të mbyllë shumë furra buke”. Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk bëhet e ditur se në cilin shtet po paralajmërohet mbyllje në sektorin e bukës shkaku i ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike. (këtukëtu)

Manipulim i fakteve

E përditshmja serbe “Kurir.rs” ka bërë interpretim tendencioz në titull të deklaratave të një analisti serb, duke aluduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit një kaos të ri më 31 tetor. Edhe pse analisti i cituar në artikull nuk e thotë atë që pretendohet, gazeta e interpreton në mënyrë të pavërtetë përmes titullit të sajuar. (këtukëtu)

Mediat serbe të afërta me pushtetin atje më 6 shtator kanë publikuar pretendime të pabaza se mediat e Albin Kurtit kanë vënë në shënjestër familjen e nënkryetarit të partisë serbe “Lista Serbe (Srpska Lista)” Milan Radojçiq, duke e interpretuar si vazhdimësi e persekutimit të serbëve. Pretendimet bazohen në një postim të subjekt politik “Lista Serbe” e cila i hedh këto pretendime pa dhënë detaje e fakte për të. (këtukëtu)

Shefi i zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq sot ka përsëritur pretendimet se Prishtina po e shkel marrëveshjen e Brukselit me ndërtimin e bazave policore në veri duke marrë përgjegjësinë KFOR-it. Këto pretendime kanë zënë vend edhe më herët nga Petkoviq dhe presidenti serb, Vuçiq të cilat janë trajtuar nga hibrid.info. Në dokumentet e konsultuara dhe të trajtuara nga hibrid.info, pretendimi i zyrtarëve serb nuk qëndron, dhe se, nuk shkelet asnjë marrëveshje nëse policia e Kosovës ndërton bazë apo patrullon zonën për të ruajtur rendin dhe sigurinë. (këtukëtu)

Teori konspirative

E përditshmja serbe “Novosti” kishte publikuar një artikull nëpërmjet të cilit pretendon se CIA amerikane po përgatit një kaos në Kosovë nëpërmjet mercenarëve çeçenë dhe, siç shkruan, kriminelëve shqiptarë. Pretendimet gazeta i mbështet në burime jo zyrtare, pa dhënë detaje konkrete rreth tyre. Pretendime për rekrutimin e çeçenëve në veri të Kosovës janë publikuar edhe më herët nga mediat e afërta me pushtetin në Serbi, e që burim kanë pasur vet presidentin serb Vuçiq, pretendime këto që u demantuan nga vet të apostrofuarit. (këtukëtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Gjatë dy ditëve (5 dhe 6 shtator) ka qarkulluar një fotografi me grafikë të kalkulimit për rritje të pagave për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar. Kjo fotografi ka të dhënat e njëjta me atë paraprake të publikuar më 26 gusht nga Instituti për studime arsimore “Edguard”, por që është ridizajnuar dhe nuk ofron informata shtesë se nga kush është krijuar. Ky material i shpërndarë gjatë dy ditëve të fundit është “i pa verifikuar”. (këtukëtu)

Portali informativ “Kosovapost.net” më 6 shtator ka publikuar një lajm me pretendimin se në agjendën e vizitave të jashtme të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për muajin e ardhshëm zënë vend Kosova dhe Shqipëria. Pretendimi i bërë nga portali informativ, siç thuhet në artikull,  mbështetet në agjendën e publikuar nga zyra e Presidencës së Turqisë, edhe pse agjenda e pretenduar nuk figuron në ueb-faqen zyrtare të saj. (këtukëtu)

Mediumi serb “Kurir.rs” me anë të një foto ku shihet një fëmijë duke bërë formën e Shqiponjës Dykrenore me duar para ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndërmjet Inter-it dhe Bayern Munihut,  pa asnjë fakt është munduar ta interpretojë si provokim politik për idenë e “Shqipërisë së Madhe”. (këtukëtu)

Dezinformatë

Portali i dyshimtë “Pronews20.com” ka publikuar një artikull të mediumit online “KlanKosova.tv” që flet për daljen nga greva të mësimdhënësve në disa shkolla në Kamenicë, më saktësisht në fshatërat Busavatë e Karaçevë të Poshtme. Mirëpo, këtij artikulli i është vënë titull i pasaktë nga portali i dyshimtë “Pronews20”, duke lënë të kuptohet se mësimi ka filluar në të gjithë vendin. (këtukëtu)

Portali i dyshimtë “Pronews20.com” më 7 shator ka publikuar një artikull me deklaratën e ish-ministrit të jashtëm serb, Vladislav Jovanoviq, i cili ka thënë se dy diplomatët e rinj të dërguar nga Macron dhe Scholz shfaqen si një formë e drejtpërdrejtë presioni ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën. Ndërsa ky portal i dyshimtë këtij artikulli i ka vënë titull të rremë me pretendimin se Jovanoviq ka thënë se Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. (këtukëtu)

Portali i dyshimtë “myfb.press” më 7 shtator ka publikuar një njoftim të vjetër të vitit 2018, atëkohë kur UNICEF kishte mbështetur Strategjinë 4-vjeçare të Drejtësisë për të Mitur. Këtë njoftim të vjetër, portali i dyshimtë “myfb.press” është munduar ta paraqesë si aktual duke i vënë titull të rremë “Qeveria me një strategji të re, Do jepen para edhe për kategori tani”. (këtukëtu)

Portali i dyshimtë “analiza.koranews24.com” më 7 shator ka publikuar një artikull të vjetër të muajit korrik, atëkohë kur ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksiy Reznikov kishte deklaruar se shteti i tij po grumbullon një forcë prej një milion ushtarësh të pajisur me armë perëndimore për të rimarrë rajonet jugore nga rusët. Mirëpo, në këtë artikull, autori është munduar që zhvillimin ta paraqesë si aktual, duke i vënë edhe titull të rremë me pretendimin se Zelensky ka urdhëruar 1 milionë ushtarë që të nisen drejt Rusisë. (këtukëtu)

Lajm i rremë

Faqja “Gazeta Newborn” në Facebook dje (9 shtator), ka publikuar një informatë se është arritur marrëveshje ndërmjet SBASHK-ut dhe MASHT-it, për ndërprerje të grevës dhe fillimin e mësimit. Ky pretendim u demantua pasi që SBASHK-u (10 shtator) publikoi një komunikatë në të cilën thuhet se nuk ka marrëveshje dhe se greva vazhdon. (këtukëtu)