Clickbait artikujt dhe dezinformatat kanë qenë dy kategoritë kryesore që kanë dominuar ekosistemin keqinformues në Kosovë lidhur me ngjarje vendore dhe ndërkombëtare gjatë javës së kaluar.
Dezinformatat kryesisht u publikuan në mediat sociale (Facebook), përfshirë fotografi dhe video-materiale ndërlidhur me konfliktin Izrael-Hamas, si dhe përmbajtje dezinformuese me pretendimin se Zvicra po kërkon punëtor në këto sektorë, si dhe deklaratë të pathënë të Joe Biden, e publikuar në portale të dyshimta.
Artikujt clickbait kryesisht të publikuara në media reale kishin të bënin me raste tragjike dhe fatkeqësi të ndryshme, si humbje jete, të shtëna në shkollë, e incident, por që nuk u bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjeve. Krahas këtyre përmbajtjeve, në media u publikuan artikujt clickbait me pretendimin se futbollistët e Izraelit ballafaqohen me sulm gjatë rrugës për Prishtinë, dhe se futbollisti Ardon Jashari refuzon të luajë për Zvicrën.
Përmbajtjet e paverifikuara ishin fotografi të gjeneruara më Inteligjencë Artificiale nëpërmjet të cilave pretendohej se paraqesin gjendjen e konfliktit Izrael-Hamas, të cilat u publikuan në mediat sociale.
Në rrjetin sociale TikTok u publikua një lajm i rremë me pretendimin se Thaçi ka pësuar “sulm në kokë.
Dezinformatë
Një llogari në Facebook ka publikuar një video-material, ku shihen pamje të disa raketave. Nëpërmjet këtij video-materiali pretendohet se imazhet e sulmeve me raketa nga Iron Dome dhe Brigadave Izzudin Kasam janë aktuale. Pas verifikimit të fakteve, është gjetur se video nuk është nga konflikti i fundit Izrael-Hamas, por i njëjti është realizuar në vitin 2021. (këtu)
Portali informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe “Bota-islame.com”, ka publikuar në faqen e tij në Facebook një imazh të një proteste. Në imazh shfaqet një protestë në mbështetje të Palestinës, për të cilën publikuesi pretendon se ka ndodhur në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur në fakt se imazhi shfaq pamje të një proteste të mbajtur në Islamabad të Pakistanit. (këtu)
Faqja në Facebook “Mesazhe Islame” ka publikuar një imazh me pretendimin se është realizuar në Gaza. Në fotografi shihet një grua në një shkollë brenda një klase, ku mbi tavolina janë vendosur buqeta lulesh. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është realizuar në vitin 2021 në Afganistan. (këtu)
Një llogari në Facebook ka publikuar një fotografi ku shihen disa forca ushtarake në rrugë. Nëpërmjet kësaj fotografie u pretendua se paraqiten imazhe nga një sulm kundrejt një batalioni izraelit. Pas verifikimit të fakteve nga Hibrid.info, është verifikuar se imazhi është i vitit 2013 dhe paraqet ushtarët izraelitë në një stërvitje pranë kufirit me Sirinë në shtator të atij viti. Hibrid.info ka bërë kërkime edhe për përmbajtjen e tekstit nga ky postim, por nuk ka gjetur të dhëna lidhur me ngjarjen. (këtu)
Një llogari në Facebook që mban emrin “Mesxhid El-Aksa” ka publikuar një video-material, me anë të cilit pretendohet se shfaqen pamje të trupave të palestinezëve të vrarë në Gaza që kanë mbetur në rrugë për shkak të spitaleve të mbushura atje. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është gjetur se pamjet janë marrë nga një protestë në Washington, në të cilën janë ekspozuar thasë të bardhë si përfaqësim i trupave të njerëzve të vrarë në Gaza nga Izraeli. (këtu)
Një faqe në Facebook ka shpërndarë një artikull me titull “I forti ju çon “të fala“ BE-së për Kosovën” të marrë nga portali i dyshimtë “gazetafikse.info”, i publikuar me datë 8 nëntor. Këtij artikulli i është bashkangjitur edhe fotografia e presidentit amerikan Joe Biden. Pas verifikimit të fakteve hibrid.info ka vërtetuar se artikulli është i vjetër dhe titulli është i sajuar, që nuk i përgjigjet përmbajtjes. Në përmbajtje flitet për politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), por nuk ka asnjë pjesë që sqaron titullin se presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar diçka të tillë ndaj BE-së për Kosovën. (këtu)
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “gazetafikse.info” ka publikuar me datë 7 nëntor një artikull me titull “Lajm i mirë për shqiptarët, Zvicra po kërkon punëtor në këto sektore”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info dhe pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, është vërtetuar se titulli i artikullit është i sajuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen e tij. Ndërsa i njëjti lajm është gjetur i publikuar edhe në janar të vitit 2022. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Humb jetën 24-vjeçarja në banjën e banesës ku jetonte”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues pas nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Një 24-vjeçare ka gjetur vdekjen në mënyrë tragjike në Selanik”. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Tre të arrestuar pas një incidenti”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues pasi nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Tre persona janë arrestuar pas një përleshjeje në stacionin e metrosë në Teheran që ndodhi për shkak të ligjit për veshjen e obligueshme të hixhabit në Iran”. (këtu)
Portali informativ “Dritare.net” ka publikuar një artikull me titull “Tërmet në jug të Shqipërisë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se epiqendra e tërmetit nuk ishte në jug të Shqipërisë, por një i tillë është regjistruar në qytetin bregdetar të Greqisë, Igoumenitsa, e që dridhjet janë ndjerë edhe në jug të shtetit shqiptar. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje të artikullit, ku thuhet “Lëkundje të forta tërmeti janë regjistruar pak çaste më parë në Igumenicë të Greqisë. Raportohet se lëkundjet e tërmetit janë ndjerë deri në Gjirokastër, Sarandë dhe zonat e tjera përreth”. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “Tragjedi: Punëtori bllokohet në makinerinë e gurores dhe humb jetën”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues pasi nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Një punëtor ka humbur jetën tragjikisht në një gurore në Lamia mëngjesin e së martës”. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “Të shtëna në një shkollë, raportohet për një të plagosur”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, pra nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Lajmi bëhet i qartë vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “një nxënës i një shkolle në qytetin gjerman të Offenberg ka plagosur me armë zjarri një shok klase”. (këtu)
Disa portale informative kanë publikuar me 10 nëntor një artikull me titull “Futbollistët e Izraelit ballafaqohen me sulm gjatë rrugës për Prishtinë”. Bazuar në komentet e postuara të lexuesve në Facebook ku edhe është ndarë artikulli, hibrid.info vlerëson se titulli i artikullit lë hapësirë për interpretime se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë. (këtu)
Portali informativ “Indeksonline.net” me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Ardon Jashari refuzon të luajë për Zvicrën”. Hibrid.info ka verifikuar se në përmbajtje të artikullit sqarohet se futbollisti me origjinë shqiptare ka refuzuar t’i bashkohet kategorisë së grupmoshave nën moshën 21 vjeçare të kombëtares së Zvicrës në futboll. Në bazë të këtyre gjetjeve, hibrid.info vlerëson se titulli i këtij artikull nuk përputhet me përmbajtjen e tij. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Disa faqe dhe llogari në Facebook që kanë postime me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë publikuar me datë 8 tetor, një fotografi ku shihen disa fëmijë mbi gërmadha ndërtesash. Nëpërmjet kësaj fotografie pretendohet se paraqitet optimizmi i fëmijëve në Gaza gjatë konfliktit aktual Izrael-Hamas. Pas analizimit të fotografisë vërehen detaje që nuk përkojnë me një imazh real dhe i njëjti tregon shenja të Inteligjencës Artificiale. (këtu)
Një llogari në Facebook që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe, ka postuar me datë 4 nëntor një imazh ku shihen disa pjesë të trupit të një personi nën gërmadhat e një ndërtese. Nëpërmjet kësaj fotografie pretendohet se paraqitet realiteti në Gaza. Pas analizimit të fotografisë vërehen detaje që nuk përkojnë me një fotografi reale dhe e njëjta tregon shenja të Inteligjencës Artificiale. (këtu)
Një faqe në Facebook që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe, ka postuar me datë 8 nëntor një imazh ku shihen një fëmijë mbi gërmadha të ndërtesave. Pas verifikimit të fotografisë vërehen detaje që nuk përkojnë me një imazh real dhe i njëjti tregon shenja të Inteligjencës Artificiale. (këtu)
Lajm i rremë
Llogaria në TikTok me emrin “babajaga454” ka publikuar një video-material me imazhin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Imazhit i është bashkangjitur mbishkrimi që pretendon se Thaçi ka pësuar “sulm në kokë” sipas gazetës “The Times”. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, nuk janë gjetur fakte që e provojnë pretendimin e publikuar nga llogaria në fjalë. (këtu)