Përmbajtjet e pa verifikuara e dominuan ekosistemin keqinformues në Kosovës gjatë javës që shkoi. Në përmbajtje të pa verifikuar u përfshinë artikuj që kishin të bënin me pretendimet e mediave serbe për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja dhe për fotografinë e montuar të futbollistit Vedat Muriqi.
Gjatë javës që shkoi kishte edhe clickbait artikujt lidhur me alarmin për bombë në Gjykatën e Apelit dhe deklaratën e eurodeputetit austriak Lukas Mandl.
Dezinformatë lidhur me pretendimin se shqiptarët po kërkojnë ndihmë nga NATO për t’i sulmuar serbët.
Gabime rreth çmimores së parkingut nëntokësorë dhe rreth futbollistëve shqiptar të ftuar nga reprezentacioni zviceran.
Teori konspirative e zëdhënëses së ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, me pretendimin se Perëndimi po e shtynë situatën në veri drejt një konflikti të hapur.
Dezinformatë
Mediumi serb “Informer” ka publikuar një artikull me pretendimin se shqiptarët po kërkojnë ndihmë nga NATO për t’i sulmuar serbët. Pretendimet bazohen në një deklaratë të analistit nga Kosova, Nexhmedin Spahiu, i cili e thekson se ekziston mundësia e një konflikti, për të cilën do të gjente zgjidhje NATO. Në analizën e Spahiut nuk nënkuptohet ajo që pretendohet në titullin e këtij mediumi serb. Pra, Spahiu nuk ka thënë se “Prishtina ka kërkuar ndihmë nga NATO për t’i goditur serbët”. (këtu)
Gabim
Portali “02press.com” ka publikuar gabimisht çmimoren për parkingun nëntokësorë në Prishtinë, duke pretenduar se për një ditë, qytetarët duhet të paguajnë 24 euro, ndërsa brenda ditës çmimi është 12 euro. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i gabuar dhe se çmimi real do të jetë 15 euro gjatë gjithë ditës, ndërsa brenda ditës 10.40 euro. (këtu)
Portalet “Kosovapost.net” dhe “Prestigji.com” kanë publikuar një artikull lidhur me tre futbollistë me prejardhje shqiptare, të cilët janë ftuar nga kombëtarja zvicerane për Kampionatin Botëror të futbollit. Mirëpo, në titull, këto portale kanë pretenduar gabimisht se dy shqiptarë janë ftuar të jenë pjesë e reprezentacionit zviceran. (këtu)
Teori konspirative
Në mediat serbe është publikuar pretendimin i zëdhënëses së ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, se Perëndimi po e shtynë situatën në veri drejt një konflikti të hapur. Deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së, BE-së dhe NATO-së, si përfaqësuesit të Perëndimit, lidhur me zhvillimet e fundit në veri, bëjnë thirrje të hapur për përmbajtje nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet. (këtu)
Clickbait
Portali i dyshimtë “Promakale.com” ka publikuar një artikull lidhur me alarmin për bombë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i dyshimtë i ka vënë fotografi jo adekuate, në të cilën shihet pamje ku identifikohet Gjykata e Apelit në Kosovë. Kjo mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë ata të mendojnë se ngjarja alarmi për bombë ka të bëjë me këtë institucion gjyqësor në Kosovë. (këtu)
Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar sot (12 tetor) një artikull me titull “Eurodeputeti austriak nuk toleron më/ I kërkon pesë vendeve të BE-së ta njohin Pavarësinë e Kosovës: Duhet ta ndjekni shembullin e Izraelit..”. Pas verifikimit të fakteve të bëra nga hibrid.info është gjetur se se ky lajm është i vjetër, i publikuar më 10 shtator, nga portali dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe – “fakte.buzz”. (këtu)
Përmbajtje e pa verifikuar
Mediumi online në gjuhën serbe “Kosovo-online” ka publikuar një artikull me pretendimin se i është anuluar vizita në SHBA ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla. Pretendimi i mediumit serb u quajt i pavërtetë nga shefi i kabinetit të ministres Haxhiu, Genc Nimoni, duke konfirmuar për vizitën e ministres në SHBA në muajin dhjetor me ftesë nga autoritetet amerikane. (këtu)
Mediumi online në gjuhën serbe “Kosovo-online” ka publikuar një artikull me pretendimin se 10 pjesëtarë të FSK nga komuniteti serb u larguan ne Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, e ka përgënjeshtruar një pretendim të tillë. (këtu)
Portali “Periskopi.com” ka publikuar një fotografi në faqen zyrtare në Facebook, në të cilën shihet portreti i futbollistit Vedat Muriqi i pikturuar në mur. Por, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fotografi është e montuar, ndërsa në atë reale të realizuar në vitin 2015, gjendet logoja e skuadrës së futbollit Mallorca afër së cilës shkruan “FAN SHOP TIENDA OFICIAL RCD MALLORCA”. (këtu)
Gabim/Përmbajtje e pa verifikuar
“Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me mbylljen me furrat e bukës në Greqi, të cilat po përballen me mbyllje si pasojë e rritjes së faturave të energjisë elektrike, ndërsa në titull nuk sqaron se për cilin vend bëhet fjalë. (këtu)