Në javën që shkoj ekosistemi keqinformues në Kosovë u dominua nga artikujt Clickbait. Këta artikuj kishin të bënin me shtrenjtimin e naftës, liberalizimin e vizave, sulm nga Serbia dhe ndarje të Kosovës.
Lajmet e rreme u karakterizuan për përmbajtje që ndërlidheshin me shkarkimin e trajnerit të kombëtares së futbollit të Shqipërisë, Edi Reja; pretendimin se Ramush Haradinaj e ka quajtur burrë të mirë presidentin serb, Vuçiq; dhe dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Dezinformata ka pasur në tema që kishin të bënin me pagat e mësimdhënësve, se Edi Rama ika thënë po “Rusisë së Madhe”; për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (ASK).
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë gjatë javës që kaloi, ka manipuluar me fakte në lidhje me dëmtimin e një varreze serbe në Kosovë.
Mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” ka shpërndarë informacion të pa verifikuar të pretendimit se Serbia ka arritur të largojë nga rendi i ditës kërkesën e Kosovës për pranim në Këshill të Evropës.
Clickbait
Portali i dyshimtë “todaynews80.com” ka publikuar një intervistë të deputetit të VV-së, Fatmir Humolli, i cili kishte shprehur pakënaqësi rreth Grupit Parlamentar të VV-së, si dhe kishte paralajmëruar se do të largohet nga ky grup, nëse veteranët përjashtohen përfundimisht nga rritja e pagës minimale. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i dyshimtë i ka vënë titull të sajuar me pretendimin se Humolli ka marr një vendim që e dridh Vetëvendosjen. Pra, siç mund të kuptohet nga deklarata e tij, Humolli nuk ka marr ndonjë vendim. (këtu)
Portali i dyshimtë “nowtennews.com” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me shtrenjtimin e naftës në Austri, ndërsa në titull nuk ka sqaruar se për cilin vend bëhet fjalë. Duke pas parasysh se ky portal i dyshimtë shumicën e artikujve që i poston kanë të bëjnë me Kosovën dhe Shqipërinë (bazuar në hulumtimin e kryer nga hibrid.info), me këtë titull përgjithësues mund të keqinformojë lexuesit duke i bërë të mendojnë se rritja e çmimit të naftës ka të bëjë me ndonjërin nga këto shtete. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar më 3 tetor një artikull me titull “Dolën për gjueti, 76-vjeçari vret gabimisht mikun e tij”. Pas verifikimit të fakteve në këtë artikull, të kryer nga hibrid.info, rezulton që titulli nuk e bënë të qartë lajmin dhe vendndodhjen e këtij zhvillimi. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shume lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)
Portali i dyshimtë “nowtennews.com” ka publikuar një artikull të mediumit online “Evropa e Lirë”, në të cilën thuhet se presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por, ky portal i dyshimtë, këtij artikulli i ka vënë titull të sajuar me pretendimin se “BE konfirmon: Liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodh me këtë datë”. (këtu)
Faqja “KOHA E RE” në Facebook ka postuar një deklaratë të analistit Milaim Zeka, duke e vendosur atë në titull me pretendimin se NATO ka dhënë informacion se Kosova është në prag të sulmit nga Serbia. Titulli i këtij artikulli është nxjerrë nga një opinion, por pa e bërë të qartë këtë fakt, duke lënë të kuptohet se NATO ka dhënë informacion zyrtar se Kosova është në prag të një sulmi nga Serbia. Në përmbajtje bëhet e ditur se kjo është vetëm një deklaratë e analistit Milaim Zeka të cilën e bazon, siç thekson ai, në një informacion nga një zyrtar i lartë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. (këtu)
Portalet “Indeksonline.net” dhe “GazetaEnigma.com” kanë publikuar një artikull lidhur me gjyqtarët e futbollit nga Kosova, të cilët do të referojnë në ndeshjen Victoria Plzen – Bayern Munchen për grupmoshat nën 19 vjeç (U19). Ndërsa në titullin e këtij artikulli, këto portale nuk kanë qartësuar se gjyqtarët nga Kosova do të referojnë ndeshjen e këtyre grupmoshave të reja, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për ndeshjen e ekipeve të para ndërmjet këtyre dy skuadrave. (këtu)
Portali “Kosova-sot.info” e ka publikuar një opinion të ish-eprorit të lartë të UÇK-së dhe TMK-së, Naim Miftari, i cili pretendon se ndarja e veriut të Kosovës ishte projektuar nga punëdhënësi i Hashim Thaqit, Kadri Veselit dhe Baton Haxhiut, që sipas tij është shërbimi sekret francez – DGSE. Mirëpo në titull të artikullit nuk qartësohet se bëhet fjalë për një opinion. Pra në titull shkruan vetëm se ndarja e veriut të Kosovës ishte projektuar nga punëdhënësi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Baton Haxhiut. (këtu)
Lajme të rreme
Portali informativ “Syri.net” në një artikull të publikuar ka pretenduar se koha e Edi Reja-s, si trajner i kombëtares Shqipërisë ka përfunduar, dhe se në vend të tij do të emërohet trajneri italian Luigi Di Biaggio. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në një komunikatë publike këto pretendime i ka quajtur të pavërteta dhe spekulime të pabaza. (këtu)
Portalet e dyshimta “specialja.com” dhe “a-news24.com” kanë publikuar një video me pretendimin ta paraqesin atë si një e vetme, gjoja Haradinaj ka bërë krahasim të Kurtit me Vuçiqin, duke e quajtur të poshtër kryeministrin e Kosovës, e burrë të mirë presidentin Vuçiq. Në këtë material gjenden dy video, njëra në vitin 2017 e tjetra në 2022. Pra, Haradinaj në këto raste nuk ka bërë krahasime mes këtyre dy figurave politike, si dhe në asnjë rast nuk e ka quajtur Vuçiqin “burrë i mirë”. (këtu)
Faqja në Facebook “Gazeta NewBorn” ka pretenduar se Artane Rizvanolli ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres së Ekonomisë. Mirëpo, këtë pretendim të kësaj faqe të vetëquajtur “gazetë”, e ka demantuar zyra për informim në Ministrinë e Ekonomisë, duke e quajtur si të pavërtetë. (këtu)
Dezinformatë
Portali “Lecanton27.ch” ka pretenduar se Tirana i ka thënë “po” – “Rusisë së Madhe”, duke e ndërlidhur me aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Moska. I gjithë ky pretendim është ngritur nga mos deklarimi i Edi Ramës lidhur me këtë çështje. Mirëpo, ky pretendim i këtij artikulli është i pasaktë, pasi që Shqipëria ka dal disa herë kundër aneksimit të territoreve ukrainase nga Rusia. Më 1 tetor në OKB, së bashku me SHBA-të, kanë paraqitur një projektrezolutë kundër aneksimit rus të rajoneve të Ukrainës. Gjithashtu edhe ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, përmes një postimi në Twitter është shprehur se Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe se Tirana zyrtare nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. (këtu)
Portali i dyshimtë “todaynews80.com” ka hedhur pretendimin në titull se mësimdhënësit nuk do të marrin paga as në muajin nëntor. Pretendimi në titull është një interpretim i gabuar i deklaratës së deputetit të LDK-së, Agim Veliu i cili thotë se, për shkak të obligimeve që do të kenë shumica e mësimdhënësve ndaj bankave për kredi, as në muajin nëntor nuk do t’u bie të marrin rrogë. (këtu)
Portali i dyshimtë “Mergimtari.net” ka publikuar një artikull me titull “Lajmi i fundit: Vdes Mustafa”. Artikulli është ilustruar me fotografinë e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që lë të kuptohet se bëhet fjalë për vdekjen e tij. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky artikull përmban titull të përgjithësues (jo sqarues) dhe fotografi që nuk përputhet me përmbajtjen në tekst. Lajmi, në fakt, ka të bëjë me vdekjen e vëllait të Isa Mustafës. (këtu)
Portali i dyshimtë “news426media.com” ka publikuar një artikull të vjetër të muajit mars, i cili kishte të bëjë me paralajmërimin e CIA-s se Kievi mund të goditej nga një sulm “i tmerrshëm” rus. Këtë artikull të vjetër, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual. (këtu)
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka hedhur pretendimin e pabazë së Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media në Samitin e Liderëve Politikë Komunitetit Politik Evropian në Pragë ka thënë se kurrë nuk do të formohet Asociacioni i Komunave Serbe (ASK). Pretendimet e Petkoviqit nuk qëndrojnë për faktin Osmani nuk ka thënë që kurrë nuk do të krijohet ASK-ja, por nuk do të duhej të realizohej një model i ASK-së që ngjan me “Republikën Srpska” në Bosnjë. (këtu)
Manipulim i fakteve
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka lëshuar një deklaratë në lidhje me dëmtimin e një varreze serbe në Kllokot të Gjilanit, e cila është bërë lajm në disa media serbe. Kjo zyre, ndërlidhur me këtë ngjarje hedh pretendime të pabaza se dëmtimi i gurit të memorialit të varrezës është bërë nga, siç shprehen, shqiptarët ekstremist, si shprehje e urrejtjes ndaj komunitetit serb, e nxitur nga Prishtina zyrtare me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova. Pretendimet e zyrës i përgënjeshtron raporti i policisë së Kosovës. Në raportin e PK-së thuhet se familjarët e të ndjerit që i është dëmtuar varri, nuk dyshojnë në askënd në lidhje me ngjarjen. (këtu)
Përmbajtje e pa verifikuar
Portali në gjuhen serbe “Kosovo-online.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se Serbia ka arritur ta largojë nga rendi i ditës kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës. Mirëpo, këtë gjë e ka mohuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Kreshnik Ahmeti, i cili e quajti dezinformatë të radhës nga Serbia, pasi sipas tij, Kosova nuk ka qenë e paraparë në agjendën e takimit të fundit (5 tetor) të Komitetit të Ministrave në KiE. Ky pretendim i bërë nga “Kosovo-online.com” nuk përputhet as me deklaratën e shefes së misionit të Serbisë në KiE, Aleksandra Gjuroviq, e cila nuk ka thënë se Serbia ka arritur ta largojë nga agjenda e këtij takimi kërkesën e Kosovës për pranim në KiE, siç paraqitet në këtë medium, por se sipas saj, kjo mund të ndodhë gjatë takimeve të radhës dhe se Serbia do të mundohet të parandalojë një gjë të tillë. (këtu)