Fakte për... Zhvillime

Rrjedha e keqinformatave në lidhje me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur. Sulmi ndodhi në Banjskë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në sulm dhe disa policë të tjerë u plagosën. Autoritetet e Kosovës më pas njoftuan se gjatë shkëmbimit të zjarrit janë vrarë tre sulmues të dyshuar.

Lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator u publikun disa përmbajtje të paverifikuara dhe dezinformata. Përmbajtjet e paverifikuara kishin të bënin me vendndodhjen e ngjarjes, për fotografitë e sulmuesve, numrin e të vrarëve, për njësitë speciale të Kosovës.


Në Banjskë të Leposaviqit apo Zveçanit?

Në fillim, në media të shumta dhe faqe të ndryshme në mediat sociale u raportua gabimisht për vendndodhjen e sulmit, duke bërë të ditur se një polic është vrarë në Banjskë të Leposaviqit.

Por, raportimi i këtyre u bazua në postimin informues të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me rastin, në llogarinë e tij në Facebook. Në postimin e parë të bërë në faqen e kryeministrit në orën  07:20, thuhet “Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit”, ndërsa në postimin e edituar në orën 09:30 thuhet, “Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit”.

Raportimet e para në media u bënë duke iu referuar postimit të kryeministrit, dhe ato informuan se është vrarë një polic në Leposaviq, e cila u shpërnda edhe në mediat sociale.


Fotografi dhe video të paverifikuara për sulmuesit serb të vrarë

Pasi që u bë e ditur se janë vrarë disa nga sulmuesit serbë, në media sociale filluan të qarkullojnë disa fotografi duke pretenduar se identifikojnë të vrarët.

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një fotografi në të cilën shihet një trup i pajetë i një ushtari, që mban mbishkrimin “Foto ekskluzive: Edhe një terrorist serb i vrarë në veri, gjenden dy trupat e tyre”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi nuk paraqet trupin e pajetë të ndonjërit nga sulmuesit . Fotografia në fjalë është gjetur e publikuar në mars të vitit 2022 dhe i përket një ushtari rus, gjatë agresionit të Rusisë në Ukrainë. (këtu)

Në rrjetet sociale qarkulloi edhe një fotografi tjetër, me pretendimet se tregon një sulmues të vrarë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi paraqet një ushtar të Azerbajxhanit të vrarë në vijën e frontit në Nagorno-Karabakh, me datë 6 prill të vitit 2016. (këtu)

Me anë të një video-materiali të publikuar në media sociale, u pretendua se pamjet paraqesin varrimin e sulmuesve serbë të vrarë në veri nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit të datës 24 shtator. Pamjet këto që, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se paraqesin arkivolet e të vrarëve gjatë të shtënave masive që ndodhën më 6 maj 2023 në Serbi. (këtu)

Ndërsa, në Facebook u publikua një video-material në të cilën shihen pjesëtar të policisë së Bullgarisë për të cilët pretendohet rrejshëm se ata janë pjesëtarë të policisë së Kosovës duke arrestuar një sulmues në veri të Kosovës gjatë ditës së diel. (këtu)


Snajperistët e Policisë së Kosovës

Në vazhdën e keqinformatave lidhur me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator janë publikuar edhe disa  fotografi të snajperistëve, duke pretenduar se janë të Policisë së Kosovës.

Disa faqe në median sociale Facebook kanë publikuar një fotografi të një snajperisti, e cila mban përshkrimin “Ekskluzive: Ja snajperisti i Kosovës që ekzekutoi disa terroristë serbë. I qëlloj drejt në fytyrë”. Pasi u hulumtua fotografia, është gjetur se snajperisti në fotografi është pjesëtar i ushtrisë gjermane. (këtu)

Në Facebook është publikuar një fotografi e vitit 2022 në një bazë ajrore në SHBA, me anë të së cilës pretendohet rrejshëm se me atë armë nga po ai pozicion, Policia e Kosovës ka vrarë 4 sulmues serbë gjatë aksionit të ditës së diel në veri të Kosovës. (këtu)


Spekulimet për numrin e të vrarëve

Lidhur me numrin e vrarë të pjesëtarëve të grupit sulmues ka pasur spekulime të ndryshme gjatë ditë së 24 shtatorit. Portale të ndryshme informative kanë spekuluar me numrin e sulmuesve të vrarë, duke publikuar shifra si, gjashtë, tetë apo dhjetë.

Raportimet e para përfshin pretendimin e paverifikuar se ishin vrarë 6 pjesëtarëve të grupit sulmues në Banjskë të Zveçanit, pretendim ky që publikua në disa portale informative. (këtu)

Në vazhdim në portale informative u publikuan spekulime tjera rreth numrit të të vrarëve, përmes të cilave pretendohej se numri i të vrarëve kishte shkuar në tetë dhe dhjetë. (këtukëtu)

Të gjitha këto spekulimet rreth numrit të të vrarëve i demantoi Policia e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate të publikuar rreth orë 22:00 me 25 shtator bëri të ditur se janë vrarë vetëm tre sulmues, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar. (këtu)

“Referuar situatës së tensionuar dhe rrethanave të krijuara nga sulmet e vazhdueshme terroriste, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin armët e zjarrit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit tre sulmues janë vrarë, ndërsa janë arrestuar dy sulmues të tjerë. Po ashtu, janë arrestuar edhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë”.


Disa pretendime të rreme në mediat serbe

Sulmi ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë zuri vend edhe në mediat në gjuhën serbe, të cilat ndërtuan narrativën e tyre dezinformuese lidhur me ngjarjen.

Gjatë kohës kur kishte ndodhur sulmi ndaj Policisë së Kosovës dhe zhvillimet pas kësaj, në Serbi nuk kishte informacione në media.

Radiotelevizioni i Serbisë dhe televizioni me frekuencë kombëtare ishin dukshëm të heshtura, nuk kishte transmetime të drejtpërdrejta, emisione speciale apo komente analistësh.

Portalet përmbledhin lajmin se është vrarë një polic i Kosovës, se janë bllokuar vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak dhe se tensionet po rriten në veri të Kosovës.

Lajmin se ka pasur një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës (PK) në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku ishte vrarë një polic i PK-së, është komentuar vetëm nga kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliq, i cili rastësisht ka qenë i ftuar në një kanal televiziv dhe shkurtimisht tha se dhuna dhe përshkallëzimi i hapur i përshtatet vetëm Albin Kurtit. (këtu)

Rreth mesditës, Dioqeza e Rashkës-Prizrenit përmes një komunikate ka njoftuar se një grup personash të armatosur të maskuar kanë sulmuar manastirin e Banjskës me automjet të blinduar dhe se dënon ashpër sulmin e fundit që ka ndodhur në veri të Kosovës, me ngushëllime për familjën e policit të vdekur. (këtu)

Vetëm në ora 20:00 i është drejtuar publikut presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në konflikt janë vrarë tre serbë nga Kosova, se ushtria dhe policia serbe nuk kanë marrë pjesë në sulm, por se serbët u rebeluan duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit.

Të nesërmen dhe pasnesër (25-26 shtator), të gjitha gazetat e afërta me pushtetin në Serbi krijuan narrativin dezinformues lidhur me më ngjarjen të cilat u shpalosën në ballinat e tyre. Në ballinat e gazetave ishte ndërtuar narrativa dezinformuese se “terroristët e Kurtit po vrasin serbët”, “ngjarja ishte e inskenuar”, “Kurti kërkon gjak”, “qëllimi është spastrimi etnik i serbëve nga Kosova”. (këtu)

Në mesin e dezinformatave nga ana e zyrtarëve serbë, ishte edhe një audio-incizim, të cilin e ka përmendur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në konferencë për media në mbrëmjen e 24 shtatorit,  nëpërmjet së cilit pretendohej se bëhet fjalë për një bisedë të policëve të Kosovës për njërin nga serbët e plagosur gjatë zhvillimeve të djeshme, duke pretenduar se ndihma për të lënduarit është lënë me qëllim, pasi një polic shqipton fjalinë: “Edhe sikur të vdesë, asgjë”.

Faktet tregojnë se audio-incizimi i publikuar nuk vërtetohet që është bisedë ndërmjet pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhe përkthimi i asaj bisede është e manipuluar (e përkthyer gabimisht). (këtu)

Edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq pretendoi rrejshëm se video e publikuar nga ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ku shihet Radojçiq, nuk është e asaj dite, për shkak, siç thotë ai, shihet që “ka borë”. (këtu)

Po ashtu, Vuçiq dhe Petkoviq pretenduan se nuk i është lejuar misionit të BE-së në Kosovë, EULEX të marrë pjesë në operacionin e Policisë në Banjskë, pretendim ky i cili u demantua nga vet misioni i BE-së. (këtu)

Krahas kësaj drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretendon rrejshëm së në mesin e Policisë së Kosovës gjatë aksionit në Banjskë kishte vrasës me pagesë që kishin qëllim të vrisnin të gjithë serbët, dhe për këtë nuk është lejuar që EULEX-i të marrë pjesë në këtë operacion.

EULEX-i ka mohuar moslejimin e tyre në operacionet e Policisë së Kosovës, si dhe KFOR-i ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj si reaguese e parë, në koordinim me ta.

Për më tepër, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se qëllimi i Policisë së Kosovë nuk ka qenë vrasja e grupit sulmues, por lirimi i terrorit nga grupi i armatosur. (këtu)