Përgatiti: Etrit Rexhepi
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka kaluar në Ligën B të Ligës së Kombeve, pas fitores në fazën e play-offit ndaj Islandës në dy ndeshjet e zhvilluara të enjten dhe të dielën.
Te faza e play-offit për kualifikim në Ligën B apo mbetje në Ligën C, Kosova mbërriti pasi përfundoi e dyta në Grupin 2 të Ligës së Kombeve, duke mbetur prapa Rumanisë dhe duke lënë pas Qipron dhe Lituaninë. Pozita e dytë në grupet e Ligës C, sipas rregullave, do të përballej me të tretin e grupeve në Ligën B. Në rastin e Kosovës, shorti e vuri përballë Islandës.
Të enjten, Kosova fitoi në “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, në Spanjë, triumfoi 3:1 për të kaluar në nivelin më të lartë deri tash në këtë garë.
Me këtë ndeshje, Kosova mbylli edicionin e katërt në garën evropiane.
Rezultatet paraprake
Suksesi më i madh deri tash ishte në edicionin e parë, 2018/2019. Atë kohë Kosova kaloi nga Liga D në atë C dhe iu afrua kualifikimit në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Si fituese e grupit u përball me Maqedoninë e Veriut në një miniturne për kualifikim në Kampionatin Evropian. Aty u mposht me rezultat 2:1.
Në dy edicionet tjera, Kosova u paraqit në Ligën C. Njëherë doli e dyta dhe një herë e treta.
Në edicionin e pestë të kësaj gare, “Dardanët” do të paraqiten në grupe në mesin e 32 ekipeve më të mira kombëtare në Evropë. Kjo garë do të nisë në vitin 2026.
Në edicionin e ardhshëm, Liga e Kombeve pritet të ndërlidhet edhe me kualifikimet për Kampionatin Evropian 2028, por pritet që për këtë të ketë zyrtarizim të formateve dhe rregullave kualifikuese. (shih këtu)