Ballina BallinaBottom Fakte për... Kulturë Zhvillime

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare shënon 50 vjetorin me organizimin e edicionit të 42-të

Përgatiti: Festim Rizanaj

Sivjet Seminari Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare shënon 50 vjetorin me organizimin e edicionit të 42-të, ku pret rreth 300 pjesëmarrës. Ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës dhe prezantime të kumtesave janë segmentet e kahershme mbi të cilat Seminari ndërton programin. 

Në vitin 1974 në Prishtinë, në kuadër të Fakultetit të atëhershëm Filozofik, nisi punën Qendra e Gjuhës Shqipe për të Huaj. Pas një viti, ky institucion emërtohet si Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, sikundër njihet edhe sot e kësaj dite. Për çdo vit ky seminar mbledh bashkë me dhjetëra studiues e studentë të cilët trajtojnë problemet gramatikore, ato të letërsisë, kulturës shqiptare, si dhe ato të albanologjisë në përgjithësi. (këtu)

Sic bënë të ditur, njëri nga themeluesit e seminarit, Prof. Rexhep Ismajli, në vitet ’70 në Kosovë pati një entuziazëm për zhvillime kulturore që nxisnin hapjen dhe komunikimin me botën, duke zgjeruar kontaktet dhe aktivitete shkencore si Konferenca ndërkombëtare për Skënderbeun dhe Kongresi i Drejtshkrimit. Në vitin akademik 1973/74, në Universitetin e Prishtinës u diskutua për nevojën e krijimit të një qendre për kulturën shqiptare për të huajt, me nismën e profesor Idriz Ajetit, dhe përgatitjet filluan për një seminar të tillë. Pavarësisht disa vonesave dhe vështirësive, përgatitjet u përfunduan në muajin qershor dhe u arrit të sigurohej pjesëmarrja e studiuesve të mjaftueshëm, ndërsa ideja u prit mirë dhe nuk pati vërejtje për vonesat. (këtu)

Takimet e Seminarit në fillim organizoheshin nën titullin Seminari mbi Kulturën Shqiptare për të Huaj. Madje me këtë emër u organizuan gjithsej katër (4) takime duke përfshirë vitet 1974, 1975, 1976 dhe 1977. Prej Seminarit të vitit 1978 ky organizim quhet me emrin të cilin e mban edhe sot: Seminari Ndëkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ky Seminar u organizua dhe vazhdon të organizohet nga hulumtues e studiues të cilët merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. (këtu)

Deri në vitin 1980, autoritetet e Universitetit dhe ato shkencore në Kosovë ishin përgjegjëse për këto zhvillime, dhe mbështetja publike dhe afirmimi ndërkombëtar ishin në rritje. Megjithatë, pas vitit 1981 dhe më vonë pas vitit 1989, zhvillimet u përkeqësuan dhe organizimi i Seminarit u bë i pamundur për një periudhë, megjithatë ideja e tij mbeti e vlefshme dhe u vazhdua me sukses në vitet e mëvonshme, përfshirë sesionet e organizuara në Tiranë dhe rimarrjen e veprimtarisë në Prishtinë pas Luftës. (këtu)

Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës filloi në vitet ’71-’72, por në Seminaret e para dhe të dyta nuk kishte ndonjë bashkëpunim të veçantë. Më vonë, pjesëmarrja e studiuesve nga Shqipëria ishte e kufizuar për shkak të pengesave ideologjike dhe politike, dhe çdo kontakt u ndërpre pas vitit 1981. Në vitet ’90, organizimi i Seminarit në Kosovë nuk ishte i mundur, por në vitet 1995 dhe 1996, ai u rikthye në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë në Tiranë, dhe që nga viti 2000 vazhdoi aktivitetin në bashkëpunim me Akademinë dhe Universitetin e Tiranës. (këtu)

Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë, përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19-20 të viteve 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë të Shkencave të Shqipërisë. Drejtori i parë i Seminarit ka qenë akademik Idriz Ajeti.

Në vitet ’90 Seminari ishte ndërprerë përkohësisht, shkaku i gjendjes së atëhershme pasi Kosova ishte praktikisht nën okupim. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari vepron sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. (këtu)

Seminari zakonisht zhvillohet gjatë dyjavëshit të dytë të muajit gusht, ku organizohen kurse për gjuhën shqipe, ligjërata dhe referime mbi çështje të ndryshme të gjuhës, letërsisë, kulturës, artit, arkeologjisë dhe etnologjisë, si dhe tryeza diskutimesh. Materialet nga seminari botohen në vëllime të veçanta dhe, që nga vitet e para të organizimit, ka tërhequr shumë studiues të rinj nga Europa dhe më gjerë, të cilët kanë filluar studimet në gjuhën shqipe dhe kanë bërë hapa të parë në albanologji. Në veçanti, Seminari është tërheqës për studiuesit arbëreshë dhe për studiuesit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe qendra albanologjike të tjera në botë, duke e bërë atë një shkollë dhe forum të rëndësishëm shkencor në fushën e albanologjisë.

Seminari organizohet në tri fusha: Pjesa e ligjëratave dhe prezantimit të punimeve shkencore nga fusha te ndryshme, të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Pjesa e kurseve të gjuhës shqipe, me pjesëmarrës studentë dhe studiues nga vende të ndryshme të botës, të cilët duan që ta mësojnë në nivele të ndryshme gjuhën shqipe për nevoja të mëtutjeshme studimore, e që përbënë një nga fokuset kryesore të seminarit. Dhe pjesa e vizitave tw vendeve kulturore dhe historike nga pjesëmarrësit e Seminiarit. (këtu)

Terrakota e Seminarit, Hyjnesha në Fron, për herë të parë është përdorur si simbol i Seminarit në vitin 2000. (këtu)

X