BallinaBottom Fakte për... Për Institucionet Për Kosovën Politikë

Si zgjidhet presidenti i Kosovës

Përgatiti: Fatbardh Dema

Presidenti është kreu i shtetit dhe e përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës. Ky është statusi i presidentit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në Kushtetutë specifikohet se president mund të zgjidhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e ka mbushur moshën 35-vjeçare.

Çështja e zgjedhjes së presidentit përcaktohet me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi i Republikës. Secili shtetas i Kosovës mund të nominohet si kandidat për president, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president.

Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat s’e merr shumicën prej 2/3 në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Presidenti e nis mandatin pasi ta japë betimin para Kuvendit të Kosovës. Mandati i tij është pesë vjet. Pas përfundimit të parë, presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë.

Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Në Kushtetutë theksohet po ashtu se presidenti nuk mund ta ushtrojë asnjë funksion tjetër publik e po ashtu as që të ushtrojë funksione në parti politike.

Presidenti gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të presidentit.

Ai mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ka kryer krim të rëndë; nëse është i paaftë t’i ushtrojë përgjegjësitë për shkak të sëmundjes së rëndë; ose nëse Gjykata Kushtetuese përcakton se ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Procedura për shkarkimin e tij mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve përmes peticionit që shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të presidentit. Në rast se peticioni supozon shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos brenda shtatë ditësh nga marrja e peticionit. Nëse konstatohet një nga tri opsionet, Kuvendi mund ta shkarkojë presidentin me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Kushtetuta specifikon edhe situatën në mungesën e përkohshme të presidentit. Sipas Nenit 90 të Kushtetutës, në rast se presidenti përkohësisht s’është i aftë t’i përmbushë përgjegjësitë, mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat kryetarit të Kuvendit, që do të jetë ushtrues detyre i presidentit. Urdhri për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti do ta rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë ato dhe kryeparlamentarit i pushon posti i ushtruesit të detyrës. Nëse s’ka kalim vullnetar të përgjegjësive, Kuvendi pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse presidenti është përkohësisht i paaftë t’i ushtrojë përgjegjësitë. Kryeparlamentari shërben si ushtrues detyre deri sa presidenti të jetë i aftë ta rifillojë ushtrimin e përgjegjësive. Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit s’mund të ushtrohet për më gjatë se 6 muaj.

Aktualisht presidente e Kosovës është Vjosa Osmani. Ajo u zgjodh presidente më 4 prill 2021. Që prej përfundimit të luftës 1999, Kosova ka pasur pesë presidentë. Para Osmanit, presidentë kanë qenë Ibrahim Rugova (2001-2006), Fatmir Sejdiu (2006-2010), Behgjet Pacolli (shkurt-prill 2011), Atifete Jahjaga (2011-2016) dhe Hashim Thaçi (2016-2020).

Me afrimin e kohës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë (9 shkurt 2025), kanë nisur të publikohen edhe përmbajtje keqinformuese lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Një ditë më parë, platforma për verifikim faktesh hibrid.info, ka trajtuar një përmbajtje të tillë, që pretendonte se Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur ta caktojë emrin e Sami Lushtakut si kandidat për president (shih këtu verifikimin).