Përgatiti: Endrit Berisha
Ujmani, Radoniqi, Batllava dhe Badoci janë katër liqenet kryesore në Kosovë, sipas të dhënave që janë publike në databazën e Agjencisë së Statistikave.
Ky është liqeni më i madh në kilometra katrorë në Kosovë. Sipas të dhënave të ASK-së, Ujmani ka sipërfaqe prej 9.1 kilometrash katrorë. Ky liqe artificial shtrihet në pjesën veriperëndimore të Kosovës dhe një pjesë e vogël e liqenit kalon edhe në territorin e Serbisë (harta). Pos 9.1 kilometrave katrorë në territorin e Kosovës, janë edhe mbi 2.5 kilometra katrorë të këtij liqeni që shtrihet në Serbi. Ky liqe është formuar nga ndërtimi i pendës në lumin Ibër, i cili rrjedh në liqen. Shtrati i liqenit ka formë gjarpëruese. Nga ujërat e liqenit të Ujmanit furnizohet hidrocentrali i Ujmanit dhe një pjesë e hidrosistemit Ibër-Lepenc.
Sipas të dhënave të ASK-së, liqeni i Radoniqit, që shtrihet në komunën e Gjakovës, ka sipërfaqe prej 5.96 kilometrash katrorë. Ky liqe u krijua në vitet e ’80-ta. Ai mori emrin e fshatit që u përmbys për krijimin e tij. Radoniqi furnizon me ujë rreth 214 mijë banorë të qyteteve të Gjakovës dhe Rahovecit dhe fshatrave përreth. Sipas faqes së kompanisë rajonale të ujësjellësit “Radoniqi-Dukagjini” me seli në Gjakovë, sistemi i ujitjes Radoniqi filloi të ndërtohej në vitin 1978.
Liqeni i Batllavës ndodhet në komunën e Podujevës. Ai është i treti për nga sipërfaqja me 3.27 kilometra katrorë sipërfaqe. Ky liqen është krijuar nga ndërtimi i një dige në lumin Batllava dhe ka filluar të ndërtohet më 1958, ndërsa më 1970 ka përfunduar dhe është testuar për herë të parë. Ky liqen shërben kryesisht si burim i rëndësishëm uji të pijshëm për rajonin e Prishtinës dhe disa qytete të tjera përreth. Përveç funksionit të tij kryesor, ai është bërë destinacion i preferuar për rekreacion dhe aktivitete të ndryshme. Peizazhi i bukur dhe sipërfaqja e gjerë e ujit e bëjnë një vend ideal për piknik, peshkim, not dhe shëtitje me varkë.
Ky liqe ndodhet 2 kilometra larg Hajvalisë dhe Graçanicës dhe 5 kilometra larg kryeqytetit Prishtina. Është rezervuar artificial i cili furnizohet nga lumi i Graçanicës. Si një prej akumulimeve kryesore në Kosovë përdoret për ujë të pijes dhe furnizon Prishtinën dhe rrethinën me ujë. Diga e tij u ndërtua në vitet 1963-1966. Sipërfaqja në kilometra katrorë e tij, sipas të dhënave të ASK-së, është 2.57 kilometra katrorë.