BallinaBottom Fakte për... Kulturë Zhvillime

Tri festivalet e filmit në Kosovë

Përgatiti: Fatbardh Dema

Në Kosovë çdo vit organizohen festivale të njohura të filmit. Këto festivale luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës kinematografike në Kosovë dhe në rajon, duke ofruar një platformë për shfaqjen e filmave të ndryshëm, nga dokumentarë te filmat e shkurtër dhe atyre të animuar.

Përveç shfaqjes së filmave, këto ngjarje përfshijnë edhe diskutime të thelluara, panele, punëtori dhe aktivitete të tjera që synojnë të inkurajojnë krijimin e kontakteve profesionale dhe të promovojnë zhvillimin e talenteve të rinj në fushën e kinematografisë.

Festivalet që vazhdojnë të mbahen çdo vit në Kosovë janë Dokufest (Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër), PriFest (Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë) dhe AniBar (Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar).


DokuFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, u themelua në vitin 2002 dhe mbahet çdo vit në qytetin e Prizrenit.

Çdo vit festivali mbush kinematë rreth qendrës historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmash të zgjedhur nga e gjithë bota.

Që nga viti 2019, DokuFest ka fituar statusin e vlerësuar si një festival kualifikues BAFTA për filma të shkurtër, dhe në vitin 2022, ai është edhe festival nominues për Akademinë prestigjioze Evropiane të Filmit, EFA.

Dokufest këtë vit u mbajt që nga 2 deri më 10 gusht në qytetin e Prizrenit, duke e përmbyllur edicionin e 23-të.


PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit është një festival i filmit artistik, i themeluar në vitin 2008 dhe mbahet çdo vit në Prishtinë. Këtë vit pritet që ky festival të mbahet nga 10 deri 15 shtator.

PriFest përbëhet nga katër programe konkurruese: programi konkurrues i filmit ballkanik (i njohur gjithashtu si Kinema Mjaltë dhe Gjak), Programi Global i konkurrencës së filmit, programi konkurrues i Komedisë Evropiane, programi konkurrues i gjatësisë së mesme (i përbërë nga filma me gjatësi 25-60 min). Programi konkurrues i filmit të shkurtër, programi i filmit dokumentar. Ky i fundit promovon dokumentarë nga e gjithë bota që sillen rreth temave që lidhen me të drejtat e njeriut dhe mjedisin.

Të gjitha programet e sipërpërmendura janë të hapura për pjesëmarrës nga e gjithë bota. PriFest ka edhe programe jo konkurruese, si programi Focus, i cili promovon kinematografinë e një vendi apo regjisor të caktuar, dhe programi Let It Be, i cili është rezultat i bashkëpunimit me Outfest LA, një festival filmi për komunitetin LGBTI.


AniBar – Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar, u themelua në vitin 2010 dhe mbahet çdo vit në qytetin e Pejës.

Festivali u krijua me qëllim të promovimit të animacionit si një formë arti dhe të ofrojë një platformë për artistët e rinj të animacionit. Ky festival ofron mundësinë për të promovuar prodhimin më të fundit të animacionit nga e gjithë bota, si dhe për të ilustruar çështje sociale, politike dhe kulturore përmes filmave dhe shprehjeve të tjera artistike.

Përveç shfaqjeve të filmave, Anibar ofron programe të tjera si panele diskutimi, punëtori, ekspozita dhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike.

AniBar këtë vit u mbajt në datat 15 deri 21 korrik në Pejë, duke e përmbyllur edicionin e 15-të.

X