Zhvillime

Votat pro dhe kundër Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Nga 171 vota në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, 131 prej tyre ishin pro, 29 deputetë votuan kundër e 11 abstenuan. Votimi u mbajt të martën, 16 prill.

Kosova mori më shumë se 2/3 e votave. Tani pret votimin në Këshill të Ministrave të jashtëm të shteteve anëtare për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Takimi i ardhshëm i ministrave pritet të mbahet në mes të majit.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Prej tyre 34 janë shtete që e njohin pavarësinë e Kosovës e 12 që nuk e njohin (Armenia, Azerbajxhani, Bosnje e Hercegovina, Qiproja, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Spanja dhe Ukraina).

Si votuan shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës?

Shqipëria

Në votim morën pjesë katër deputetë dhe të gjitha ishin vota pro.

Andorra

Andorra ka dy përfaqësues në Asamblenë Parlamentare. Të dy votuan pro anëtarësimit të Kosovës.

Austria

Austria ka gjashtë përfaqësues në Asamblenë Parlamentarë të KiE-së. Pesë përfaqësues të saj morën pjesë në votim. Të gjithë votuan për pranimin e Kosovës.

Belgjika

Nga shtatë përfaqësues sa i ka Belgjika, katër morën pjesë në votim dhe të gjitha ishin pro.

Bullgaria

Bullgaria i ka gjashtë përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Tre prej tyre votuan e të tre patën votë pro.

Kroacia

Nga pesë përfaqësues kroatë, tre votuan pro Kosovës. Dy nuk morën pjesë në votim.

Çekia

Nga shtatë përfaqësues që i ka Çekia në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, vetëm një mori pjesë në votim. Pati votë pro Kosovës.

Danimarka

Danimarka ka pesë përfaqësues në këtë asamble. Katër prej tyre votuan pro e një nuk mori pjesë në votim.

Estonia

Të tre përfaqësuesit e Estonisë votuan pro Kosovës.

Finlanda

Votë maksimale pro Kosovës dhanë edhe pesë përfaqësuesit e Finlandës.

Franca

Franca ka 18 përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Në votim morën pjesë vetëm tetë prej tyre. Nga ta gjashtë ishin pro e dy kundër.

Gjermania

Nga 18 përfaqësues sa i ka Gjermania në Asamblenë Parlamentare, shtatë votuan pro, dhe nga një abstenuan e dolën kundër.

Hungaria

Hungaria ka shtatë përfaqësues në këtë asamble. Në votim morën pjesë katër përfaqësues dhe të gjithë ishin kundër.

Islanda

Islanda ka tre përfaqësues në asamble. Njëë përfaqësues islandez mori pjesë në votim dhe ishte pro.

Irlanda

Nga katër përfaqësuesit e Irlandës, një mori pjesë në votim dhe votoi pro Kosovës.

Italia

Nga 18 përfaqësues sa i ka Italia në Asamble gjashtë votuan pro anëtarësimit të Kosovës. Gjashtë abstenuan e një ishte kundër.

Letonia

Tre përfaqësuesit të Letonisë votuan pro Kosovës.

Lihtenshtajni

Edhe dy përfaqësuesit e Lihtenshtajnit votuan pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Lituania

Lituania i ka katër përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Të katërtit votuan pro anëtarësimit të Kosovës.

Luksemburgu

Në votim morën pjesë dy nga tre përfaqësuesit e Luksemburgut. Të dy votuan pro pranimit të Kosovës.

Malta

Tre përfaqësuesit maltezë votuan pro anëtarësimit të Kosovës.

Monako

Të dy përfaqësuesit Monakos votuan pro Kosovës.

Mali i Zi

Mali i Zi ka tre përfaqësues në Asamble. Të tre votuan. Një ishte për, një kundër e një abstenoi.

Holanda

Holanda ka shtatë përfaqësues në Asamble. Në votim morën pjesë vetëm dy dhe të dy patën votë pro Kosovës.

Maqedonia e Veriut

Dy nga tre përfaqësues të Maqedonisë së Veriut morën pjesë në votim. Të dy ishin pro.

Norvegjia

Norvegjia i ka pesë përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të KIE-së. Të pestit votuan pro pranimit të Kosovës.

Polonia

Katër nga 12 përfaqësuesit e Polonisë votuan pro anëtarësimit të Kosovës. Tetë të tjerë nuk morën pjesë në votim.

Portugalia

Portugalia i ka shtatë përfaqësues në Asamble. Nga ta morën pjesë dy dhe të dy patën votë pro Kosovës.

San Marino

San Marino i ka dy përfaqësues në Asamble. Njëri prej tyre votoi pro e tjetri nuk mori pjesë në votim fare.

Sllovenia

Një përfaqësues slloven mori pjesë në votim. Ai votoi pro Kosovës e dy të tjerët nuk votuan.

Suedia

Nga gjashtë përfaqësues që ka Suedia në këtë asamble pesë votuan dhe të gjithë ishin pro.

Zvicra

Tre nga gjashtë përfaqësuesit e Zvicrës votuan pro Kosovës. Tre të tjerët nuk morën pjesë në votim.

Turqia

Turqia ka 18 përfaqësues në Asamble. Të gjithë votuan pro pranimit të Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar ka 18 përfaqësues. Nga ta tre morën pjesë dhe të tre votuan pro.

Si votuan shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?

Armenia

Armenia nuk e njeh Kosovën. Megjithatë tre nga katër përfaqësuesit e këtij shteti votuan pro pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Përfaqësuesi tjetër nuk mori pjesë në votim.

Azerbajxhani

Azerbajxhani i ka gjashtë përfaqësues. Asnjë nga ta nuk mori pjesë në votim.

Bosnje e Hercegovina

Nga pesë përfaqësues që i ka shteti që nuk e njeh Kosovën, dy vota ishin pro e dy kundër. Një nuk votoi.

Gjeorgjia

Gjeorgjia që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka pesë përfaqësues në AP, por asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në votim.

Greqia

Edhe Greqia është shtet që nuk e njeh Kosovën. I ka shtatë anëtarë në Asamblenë Parlamentare, por në votim morën pjesë pesë. Katër ishin pro dhe një ishte kundër.

Moldavia

Republika e Moldavisë i ka pesë përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Tre përfaqësues të saj morën pjesë në votim dhe të tre abstenuan. Ky shtet nuk e njeh Kosovën.

Qipro

Qiproja është shtet tjetër anëtar i Këshillit të Evropës e që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nga tre përfaqësues të këtij shteti në Asamble, dy votuan dhe të dy ishin kundër.

Rumania

Rumania, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, i ka 10 përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Dy prej tyre votuan pro e të tjerët nuk morën pjesë në votim.

Serbia

Serbia, të cilës iu kundërshtuan edhe amendamentet, pati votë maksimale kundër Kosovës. Në votim morën pjesë shtatë përfaqësues, aq sa i ka Serbia në këtë asamble.

Sllovakia

Sllovakia që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës nuk mori pjesë në votim. Ky shtet i ka pesë përfaqësues në Asamble.

Spanja

Spanja i ka 12 përfaqësues në Asamble. Nëntë prej tyre morën pjesë në votim, tetë ishin kundër e një pro.

Ukraina

Ukraina i ka 12 përfaqësues në asamble. Vetëm një mori pjesë në votim dhe ai votoi pro Kosovës.

Artikull nga Endrit Berisha