Përgatiti: Festim Rizanaj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar të premten (16 gusht) dekretin që cakton datën 9 shkurt 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Këto zgjedhje do të jenë të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë së vendit dhe do të zhvillohen sipas një ligji të ri zgjedhor, i cili sjell ndryshime të mëdha në procesin zgjedhor.
Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme, i miratuar verën e kaluar, parashikon risi të shumta në mënyrën e votimit, numërimit të votave, votimit për diasporën dhe menaxhimin e fushatës zgjedhore. Ndryshimet kryesore përfshijnë rritjen e numrit të kandidatëve për të cilët votuesit mund të shprehin preferencën e tyre. Nga zgjedhjet e ardhshme, çdo votues do të ketë mundësinë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, krahasuar me pesë që lejoheshin më parë.
Procesi i votimit do të zhvillohet në dy hapa: fillimisht, votuesit do të zgjedhin një subjekt politik në anën e majtë të fletëvotimit, dhe më pas, në anën e djathtë, do të mund të zgjedhin deri në 10 kandidatë nga lista e atij subjekti politik. Nëse votuesi shënon më shumë se 10 kandidatë, numërohet vetëm vota për subjektin politik.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është mënyra e re e numërimit të votave. Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohen vetëm votat për subjektet politike, duke mundësuar publikimin e rezultateve preliminare brenda një kohe të shkurtër pas mbylljes së votimit. Numërimi i votave për kandidatët individualë do të fillojë një ditë më pas në Qendrat Komunale të Numërimit, duke siguruar një proces më të organizuar dhe transparent.
Ligji i ri sjell ndryshime edhe në procesin e votimit për qytetarët jashtë Kosovës. Ky proces do të zhvillohet në dy faza: regjistrimi dhe votimi. Votuesit do të kenë mundësinë të regjistrohen përmes një platforme elektronike ose përmes postës, ndërsa vetë votimi mund të kryhet fizikisht në përfaqësi diplomatike, përmes postës, ose në kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës. KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të përcaktojë kriteret dhe kushtet që duhet të plotësojnë përfaqësitë diplomatike për t’u shndërruar në qendra votimi.
Ndryshime janë bërë edhe në lidhje me votimin me kusht. Ky lloj votimi do të jetë i mundur vetëm në qendra specifike që do të caktohen nga KQZ-ja, lista e të cilave do të publikohet në ueb-faqen e institucionit dhe në mjetet e tjera të informimit publik.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 do të fillojë më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën e zgjedhjeve, pa një periudhë të heshtjes zgjedhore një ditë para votimit. KQZ-ja ka vendosur që shpenzimet maksimale të subjekteve politike për fushatën zgjedhore të jenë 2 milionë e 47 mijë euro, për të promovuar një garë më të barabartë dhe transparente mes partive politike.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm (2025), të drejtë vote kanë 2,047,148 votues, që i bie se numri është rritur për 161,700 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të mbajtura më 2021.