Tema kryesore që ka mbizotëruar në përmbajtjet e trajtuara gjatë muajit janar 2024 janë rastet e ndryshme tragjike (vdekje, vrasje), incidentet në vendbanimet serbe dhe largimi masiv i popullsisë pas liberalizimit të vizave. Reduktimi i përmbajtjeve të ndryshme nga fusha e sigurisë (armatosja e FSK-së dhe konflikti Izrael-Hamas) ka bërë që përmbajtje të ndryshme me tematikë “raste tragjike” përfshirë vdekje e vrasje të ndryshme të rikthehen në krye të temave keqinformuese. Ndërsa, incidentet në vendbanimet serbe u keqinterpretuan nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë si tendencë për dëbimin e serbëve nga vendbanimet edhe pse nuk u ofruan fakte për këtë, si dhe nuk dihej qëllimi dhe kryesit e veprës. E liberalizimi i vizave ndikojë që të publikohen keqinformata ndërlidhur me largimin masiv të popullsisë.
Si rezultat i trajtimit të përmbajtjeve keqinformuese gjatë këtij muaji, shumë tema të ndryshme që ndërlidhen me aspektin social u përdorën për të keqinformuar. Pas atyre të sociales, përmbajtjet keqinformuese nga fusha e sigurisë janë përdor më së shumti për të keqinformuar.
Në bazë të monitorimit të 65 përmbajtjeve keqinformuese të trajtuara gjatë muajit janar 2024, dezinformatat kanë dominuar për sa i përket trendeve të përmbajtjeve keqinformuese të publikuara nga media dhe publikues të ndryshëm, pasuar nga “clickbait’ artikujt dhe lajmet e rreme.
Në muajin janar 2024, në përmbajtjet keqinformuese të publikuara për dhe rreth zhvillimeve në Kosovë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Kosovës është institucioni më i përfolur, ndërlidhur me incidentet në vendbanimet serbe.
Ministri i mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci është figura më e përfolur në keqinformatat e gjetura dhe trajtuara gjatë muaji janar 2024, për armatosjen e FSK-së dhe investimet në armatim.
Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin janar të vitit 2024 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.
Në bazë të përmbajtjeve keqinformuese të gjetura dhe të trajtuara gjatë muajit janar 2024, artikujt e vlerësuar si dezinformatë (26%) janë ato që kanë dominuar, duke u pasuar nga artikujt “clickbait” (22%) dhe lajmet i rreme (12%). Shkaku që dezinformata kanë dominuar gjatë këtij muaji është se shumë përmbajtje keqinformuese ndërlidhur me një mori temash sociale, janë vlerësuar si dezinformatë. Ndërsa artikujt “clickbait” janë nga fusha e kronikës së zezë ndërlidhur me raste tragjike (vdekje, vrasje) dhe ajo sociale, ku dominon tema e largimit masiv të popullsisë, të publikuara kryesisht në media informative në gjuhën shqipe dhe serbe. Lajmet e rreme janë kryesisht nga fusha e sigurisë lidhur me stërvitje ushtarake në kufirin Kosovë-Serbi, dhe ajo sociale për punë në Zvicër dhe tema të tjera sociale.
Rastet e ndryshme tragjike duke përfshirë vdekje, vrasje, aksidente, janë tematikat të cilat kanë mbizotëruar gjatë muajit janar 2024. Artikujt në kuadër të rasteve tragjike të keqinformimit kanë trajtuar vdekje, vrasje, aksidente dhe fatkeqësi në rrethana të ndryshme apo edhe tema të ndryshme sociale, për të cilat nuk bëhet e ditur në titujt e tyre vendi i ngjarjes apo titujt janë çorientues me synim për të nxitur klikime nga lexuesit, e të cilat kryesisht janë vlerësuar si “clickbait” dhe janë publikuar në portale informative. Në kuadër të muajit janar 2024, janë publikuar disa teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe duke iu referuar Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për incidente në vendbanimet serbe, ku interpretohen pa fakte se po bëhen në koordinimin me Prishtinën zyrtare me qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova. Largimi masiv i popullsisë është tema e tretë që më së shumti u përdor për keqinformim nga mediat në gjuhën serbe dhe shqipe. Në mediat në gjuhën serbe u dezinformua me pretendimet se ka filluar tashmë eksodi i popullatës nga Kosova, ndërsa në media reale dhe media sociale në gjuhën shqipe u publikuan artikuj “clickbait” për udhëtimet nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës.
Gati gjysma e përmbajtjeve keqinformuese të gjetura dhe trajtuara gjatë janarit 2024 janë nga fusha e sociales (43%). Dy temat kryesore që kanë mbizotëruar, incidentet në vendbanimet serbe dhe largimi masiv i popullsisë, duke ia shtuar edhe punësimin në Zvicër, janë nga fusha sociale. Shumica e keqinformatave të publikuara nga kjo fushë u vlerësuan si dezinformatë (11%), “clickbait” (9%) dhe teori konspirative (8%) dhe u publikuan në media sociale (25%), media reale (14%) dhe portale të dyshimta (5%). Fusha sociale pasohet nga ajo e sigurisë (22%), sa i përket përmbajtjeve keqinformuese të publikuara, të cilat janë vlerësuar në shumicë dezinformatë (6%) dhe lajm i rremë (6%). Këto përmbajtje keqinformuese kryesisht u publikuan në media sociale ndërlidhur me manovra ushtarake në kufirin Kosovë-Serbi, armatosjen e FSK-së, për luftë në Kosovë etj. Ndërsa, përmbajtjet keqinformuese nga kronika e zezë kryesisht janë publikuar në media reale, e që shumica prej tyre u vlerësuan “clickbait”. Temat kryesore janë raste të ndryshme tragjike për të cilat nuk qartëoshet në titull vendi i ngjarjes duke lënë hapësirë për keqinformim.
Ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedoni është figura që është përfolur më së shumti në disa nga përmbajtjet keqinformuese të trajtuara. Maqedonci u përfshi në pretendimet për investime në sisteme të armatimit, si dhe në deklaratën se FSK do të pajiset me anti-tank “Panzerfaust” duke pretenduar pa fakte se është thënë nga ai. Sa i përket institucioneve, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është përfshi në raportimet mediale në gjuhën serbe ndërlidhur me incidentet në vendbanimet serbe në Kosovë, për të cilat pretendohet pa fakte se janë në koordinim me Prishtinën zyrtare me qëllim të dëbimit të serbëve nga Kosova. Si institucion tjetër i përfolur është FSK-ja, me pretendime për armatosje me pajisje të ndryshme ushtarake dhe rreth pagave të pjesëtarëve të FSK-së.
Sa i përket kontrollit të deklaratave dhe premtimeve, Kryeministri Albin Kurti ishte shprehur se autostrada Prishtinë – Gjilan do të përfundonte dhe do të inaugurohej brenda vitit 2023. Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka njoftim zyrtar se hapja e kësaj autostrade ka ndodhur në vitin 2023.