BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Keqinterpretim i të dhënave për ndjenjën e sigurisë te serbët e Kosovës

Më 28 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në faqen e saj zyrtare në Facebook, publikoi një grafikë që fliste për përmirësim të ndjenjës së sigurisë të serbëve në Kosovë.

Sipas LVV, siguria ishte rritur me luftimin e krimit. “Me luftimin e krimit dhe kontrabandës, asgjësimin e laboratorëve të drogës e kriptovalutave, bandave kriminale e terroriste në veri të vendit ka bërë që komuniteti serb të ndihet shumë më i sigurt në shtetin e Kosovës. Këtë gjë e evidenton edhe raporti i fundit i UNDP-së”, pretendonte LVV në postimin e tyre.

Të dhënat ishin nxjerrë nga UNDP-ja, gjegjësisht nga anketa “Pulsi publik”, anketë kjo që e zhvillon Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) çdo gjashtë muaj dhe që prek çështjet socio-ekonomike, politike, të sigurisë dhe mjedisit.

Sipas UNDP-së, gjetjet e anketës së fundit treguan një rënie të përgjithshme në ndjenjën e sigurisë në mesin e të anketuarve, me 79.73% që ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë, krahasuar me 82.85% në prill 2023. Ndërkohë, 37.6% e të anketuarve serbë ndiheshin të sigurt në Kosovë.

Mirëpo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në grafikë kishte përzgjedhur ta promovonte rritjen e sigurisë së serbëve në Kosovë duke prezantuar vetëm disa të dhëna selektive.

Ata publikuan të dhënat e raportit të fundit, të lansuar më 28 shkurt, që flasin për 37.6% të serbëve të kënaqur me gjendjen e sigurisë, pastaj ato të muajit prill 2023 dhe të nëntorit 2022. Duke i krahasuar ato, del se ndjenja e sigurisë e serbëve në Kosovë është përmirësuar dukshëm.

Grafikoni i publikuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook


Përmbledhja e Pulsit Publik 25, sipas UNDP-së, bazohet në të dhënat e mbledhura nga 8 nëntori deri më 27 nëntor 2023 dhe pasqyron opinionin e më shumë se 1,300 të anketuarve të moshës mbi 18 vjeç nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Manipulimi i parë i LVV-së, që duket se është bërë duke keqinterpretuar me shifrat e UNDP-së, është në të dhënat e fundit të cilat i paraqet si të dhëna të vitit 2024, pavarësisht se Pulsi Publik 25 tregon qartë se anketa është zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar dhe janë të dhëna për nëntor 2023.

Ndërkaq, manipulimi tjetër ka të bëjë me përzgjedhjen e vetëm tri raporteve të fundit (nëntor 2022, prill 2023 dhe nëntor 2023), duke përjashtuar të dhënat për vitet tjera, meqë bien në kundërshtim me pretendimet e tyre se veprimet e Qeverisë kanë ndikuar në ndjenjën e sigurisë te serbët e Kosovës.

Por raportet e UNDP tregojnë një histori tjetër.

Ndonëse në vitin 2018 vihet re përqindja e vogël e serbëve të Kosovës që ndihen të sigurt, vetëm 4.8%, respektivisht 10.4% ndiheshin të sigurt, të anketuarit serbë filluan të ndihen më të sigurt nga viti 2019. Dy raportet e këtij viti tregojnë rritje në këtë drejtim — 16.2%, respektivisht 27.4%.

Të anketuarit vazhduan të ndihen më të sigurt edhe në vitin 2022 dhe 2021. Në Pulsin Publik për vitin 2020, në të dy raportet e publikuara, 47%, respektivisht 46.2% e serbëve ndiheshin të sigurt, ndërsa kjo shifër preku 50.9% në raportin e gjashtëmujorit të dytë për vitin 2021.

E për vitin 2022, ndryshe nga ç’prezantoi LVV, siguria e serbëve të Kosovës të anketuar ndonëse ishte 15.3% për gjashtëmujorin e dytë. Vetëm gjashtë muaj më herët kjo shifër ishte 46.1%. Pra, rënia ndodhi gjatë qeverisjes së tanishme.

Në përgjithësi, nga dhjetori i vitit 2020, në çdo anketë të UNDP-së, ndjenja e sigurisë te serbët ka qenë më e lartë sesa në këto tre matjet e fundit që i ka përzgjedhë LVV-ja, përpos majit të vitit 2021, kur vetëm 34.8 për qind e komunitetit deklaronin se ndihen të sigurt.

Çka ndikoi në rënien e ndjenjës së sigurisë te serbët në 15% nëntorin e vitit 2022?

Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, vendosi masën e reciprocitetit për targat me qeverinë e Serbisë. Kjo masë nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, shoferët e automjeteve me targa serbe, do të duhej të merrnin targa provuese, të vlefshme për 60 ditë dhe që kushtonin pesë euro.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator të atij viti u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Targat ishin temë e nxehtë edhe në vitin 2022. Pas protestave e bllokadave të rrugëve nga serbët, çështja kulmoi në nëntor, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – vendosi të largohej nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Hapin e tyre e ndoqën edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Largimi i tyre nga institucionet erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin dhe gjobitjen e shoferëve të makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.

Qeveria më 1 nëntor kishte nisur zbatimin e planit të saj të ndarë në tri faza në lidhje me çështjen e riregjistrimit të veturave që posedonin targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta parashihte gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritej të përfundonte më 21 prill 2023 dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejoheshin vetëm makina me targa RKS.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për riregjistrimin e makinave.

Vendimi për riregjistrim të veturave me targa ilegale serbe në ato RKS u shty disa herë, derisa serbët u pajtuan që t’i regjistrojnë ato.

Mijëra serbë të Kosovës shfrytëzuan lehtësirat që t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në RKS. Lehtësirat përfshinin taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit.

Qeveria e Serbisë, pak ditë para vitit të ri 2024, njoftoi se do t’i njohë targat e Republikës së Kosovës dhe të njëjtat nuk do të kenë më nevojë të jenë të mbuluara me letra ngjitëse. Pas këtij vendimi, edhe qeveria e Kosovës ndërmori hapin e njëjtë, duke bërë që kalimi i automjeteve mes dy vendeve të bëhet pa pengesa.

Artikull analitik nga Agon Osmani