BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Propaganda ruse me mercenarët shqiptarë 

Më 14 mars, ministria e Brendshme e Rusisë, në rrjetin social rus “Telegram”, publikoi një listë në të cilën pretendonte se janë të dhënat për mercenarët e huaj që i janë bashkuar Ukrainës nga 24 shkurti i vitit 2022, ditë kjo kur Rusia nisi invadimin e plotë të paprovokuar të Ukrainës. 

Veç kolonës me shifrat e mercenarëve të pretenduar, në atë listë ishte edhe një kolonë me shifra të të vrarëve.

Listës i printe Polonia me 2,900 mercenarë, nga të cilët Moska zyrtare pretendonte se janë vrarë 1,497. 

Ndër vendet me më së shumti mercenarë nga Evropa, sipas Rusisë, ishin edhe Shqipëria e Kosova. 

Sipas Kremlinit, nga Shqipëria, në këto dy vjet luftime të ashpra, ushtrisë ukrainase i janë bashkuar 192 pjesëtarë, nga të cilët thoshte se të vrarë janë 87. 

Shifra të ngjashme, Rusia pretendon se janë edhe nga Kosova. Nga 191 mercenarë kosovarë, ministria ruse e brendshme thotë se janë vrarë 84. 

Përpos fjalisë “Ministria e brendshme ruse vazhdon të gjejë dhe të regjistrojë personalisht të gjithë mercenarët e huaj që kanë arritur në Ukrainë për të marrë pjesë në aksione luftarake”, asnjë dëshmi nuk është dhënë mbi këto shifra të publikuara.

Çka thanë Kosova e Shqipëria për këto shifra? 

Publikimi i kësaj liste nga ana e Rusisë u bë pak ditë para se të konfirmohej mandati i pestë i Vlladimir Putinit si president i vendit. 

Madje, për ekspertin e sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, këto dy ngjarje janë të lidhura pasi thotë se “Rusia po përgatitet për eskalimin e situatës”. 

Ai thotë se numri i mercenarëve nga Kosova nuk ka ndonjë bazë pasi, sipas tij, bazuar në disa informacione, në Ukrainë për të luftuar kanë shkuar 9 kosovarë, 5 nga të cilët kanë jetuar në Kosovë dhe 4 të tjerë nëpër vende evropiane.

“Ne jemi munduar që nga fillimi i luftës në Ukrainë, të provojmë të sigurojmë informacione rreth mundësive që qytetarët e Kosovës t’i bashkëngjiten kësaj lufte në krahun e Ukrainës, për shkak se ishte krijuar opinioni që shtetet më të fuqishme në botë janë në krah të kësaj lufte dhe se ka mercenarë nga vendet e ndryshme të cilët do të luftojnë. Ne nuk kemi gjetur persona të cilat i janë bashkangjitur. Në Kosovë akoma ekziston ligji që sanksionon qytetarët e saj për të marrë pjesë në luftëra të huaja, mund të ndiqen penalisht. Mund të themi se deri më tani, janë diku 9 qytetarë, 5 nga Kosova dhe 4 të tjerë nga Kosova që jetojnë në vende të tjera të Evropës. Pas rikonfirimit të presidentit, Rusia po përgatitet për eskalimin e situatës, po mundohet të krijojë opinionin se do të tentojë që t’i gjejë ata njerëz të Kosovës të cilët kanë marrë pjesë”, theksoi ai.

Se shifrat e publikuara nga Rusia nuk kanë bazë, e ka thënë edhe ministria e Brendshme e Shqipërisë

Gazetarja shqiptare Anduena Llabani thotë se ka pasur edhe një komunikim me Ministrinë e Brendshme në Ukrainë, ku i është thënë se informacionet se ka mercenarë shqiptarë në luftë, janë të pavërteta.

“Ministria e Brendshme shqiptare nuk ka informacion të tillë, e quan dezinformatë që bëhet në kuadër të politikave që ka shteti rus. Kam arritur të komunikoj me Ministrinë e Brendshme në Ukrainë. Nga ministria e Ukrainës më deklarohet që flasim për deformim të informacioneve, të gjitha informacionet që vijnë, në rrugë, qoftë duke u financuar edhe media apo nga gazetarë të ndryshëm, vijnë nga shërbimi sekret rus. Burime të ministrisë së Mbrojtjes thonë që këto informacione nuk janë të vërteta”, u shpreh gazetarja Llabani. 

Edhe në të kaluarën, Rusia kishte tentuar të manipulojë me shifra të pjesëmarrësve shqiptarë, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, në mbrojtje të Ukrainës. 

Madje vetëm pak ditë para nisjes së “aksionit special ushtarak”, siç e quan Rusia luftën e saj për pushtimin e Ukrainës, ministri i jashtëm, Sergei Lavrov, pati thënë se “mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, dhe vende të tjera, në mënyrë që të çekuilibrojnë Rusinë”.

Kurse më 18 korrik të vitit 2022, ministria e mbrojtjes e Rusisë pati publikuar një listë sikurse kjo e 14 marsit të këtij viti, ku pretendonte se 156 shtetas të Kosovës dhe 150 të Shqipërisë po marrin pjesë si mercenarë në krah të Ukrainës. Nga ta, Rusia thoshte të ketë eliminuar mbi 100.  

Mirëpo, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati thënë se “Kosova nuk ka luftëtarë në Ukrainë”. 

“Ne nuk kemi asnjë informacion se ndonjë qytetar i Republikës së Kosovës është pjesë e luftës në Ukrainë e për më pak se edhe paskemi viktima nën ta, ashtu siç paskan pas deklaruar agjencitë e [Vladimir] Putinit”, pati thënë ministri Sveçla, teksa pati shtuar se të gjitha këto publikime janë pjesë e propagandës ruse.

Çka i pret kosovarët në shtëpi nëse marrin pjesë në luftëra të huaja?

“Kushdo që organizon, rekruton, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.

Kështu thotë Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit. 

Ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 12 mars të vitit 2015. Për miratimin e këtij Ligji paëtn votuar 60 deputetë, 17 ishin kundër kurse 2 deputetë patën abstenuar.

Nxjerrja e këtij Ligji ishte parë si një prioritet për faktin se Kosova ishte zotuar të përfshihet në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, pati konfirmuar se ka rreth 300 persona nga Kosova që ishin përfshirë deri në atë kohë në luftë në Siri apo edhe në Irak.

Shteti i Kosovës, bashkë me ShBA-në, pati zhvilluar disa aksione për kthimin e shtetasve të vet nga vatrat e luftës në Siri. Të njëjtit janë ndjekur penalisht, dhe shumë nga ta janë dënuar me burgim. 

Artikull analitik nga Agon Osmani


Ky publikim është financuar/bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Action for Democractic Society dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 

Ky publikim është mbështetur nga CFI – Développment Médias. E gjithë autonomia nga CFI u ruajt në krijimin e kësaj përmbajtjeje.