Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Raporti i presidentit Trump me Kosovën

Përgatiti: Fatbardh Dema

Donald Trump është zgjedhur sërish president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka siguruar votat e mjaftueshme elektorale në zgjedhjet e sivjetme përballë kandidates demokrate Kamala Harris, për t’u rikthyer në postin të cilin e humbi në zgjedhjet e para katër vjetëve nga Joe Biden.

Trump kishte udhëhequr SHBA-në edhe në periudhën 2017-2021. Gjatë mandatit të tij u nënshkrua Marrëveshja për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Trumpi e pati cilësuar marrëveshjen historike.

Ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua në prani të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator 2020. Dokumenti, i nënshkruar nga kryeministri i asaj kohe i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një prej arritjeve kryesore e pati njohjen e ndërsjellë mes Izraelit dhe Kosovës, që kulmoi me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem më 14 mars 2021. Kjo ndërkohë mbetet njohja e fundit e Kosovës (lista).

Richard Grenell, i caktuar nga Trumpi si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, ka pasur rol të rëndësishëm në arritjen e këtyre nënshkrimeve. Në tetor të 2019-s, Grenelli kishte vizituar për herë të parë zyrtarisht si emisar Kosovën dhe Serbinë. Ishte takuar me presidentin e asaj kohe Hashim Thaçi dhe me liderët partiakë në Kosovë dhe në Serbi me liderët e shtetit. Ai ishte emëruar nga Trumpi më 4 tetor 2019 (vendimi).

“Ka besim të fortë në Administratën Trump se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare janë pjesë kyçe e sigurimit të një paqeje të qëndrueshme. Qëllimi është të bashkojmë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e pikave të konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt, me sy drejt të ardhmes”, thuhej në njoftimin e parë të Grenellit si emisar.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kosova u zotua të respektojë një moratorium njëvjeçar për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia u obligua të ndalojë përpjekjet e saj për të bindur shtetet e tjera të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Marrëveshja gjithashtu parashikoi zbatimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë autostradën dhe hekurudhën Prishtinë-Beograd, si dhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit me SHBA-në për zhvillimin ekonomik dhe energjinë. Të dyja palët u zotuan gjithashtu për mbrojtjen e lirive fetare dhe përshpejtimin e përpjekjeve për të identifikuar personat e zhdukur nga konfliktet e kaluara (Të gjitha detajet e marrëveshjes).

Trumpi ishte president i SHBA-së në kohën kur Kosova shënoi dekadën e parë si shtet.

“I nderuar z. President, Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj Kosovën në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së saj. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj. Ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve. Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës. Sinqerisht, Donald Trump”, thuhet në letrën e Trumpit drejtuar presidentit të asaj kohe, Hashim Thaçi, më 2018. Kjo letër është publikuar nga uebfaqja e Presidencës së Kosovës.

78-vjeçari Trump do ta marrë detyrën si presidenti i 47-të i SHBA-së më 20 janar 2025. Ai fitoi shumicën në zgjedhjet e 5 nëntorit. Liderët e institucioneve të Kosovës e kanë uruar për rikthimin në pushtet. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se “mezi pret të punojnë bashkë për përparim dhe paqe”. Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se me padurim pret të punojë me administratën e Trumpit “për ta thelluar më tej lidhjen unike dhe aleancën strategjike”.