Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Siguri

Çfarë pajisje ushtarake mori Kosova nga Turqia deri më tani?

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke u transformuar në ushtri, proces që filloi pasi Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligje në dhjetor 2018. Ky transformim pritet të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet. Për shkak të mungesës së mbështetjes nga deputetët serbë, ky proces nisi përmes ligjeve, pa ndryshime kushtetuese, të cilat kërkojnë votat e deputetëve të komuniteteve. Aktualisht, transformimi i FSK-së është në vitin e gjashtë, me fokus në ngritjen e kapaciteteve ushtarake dhe investimin në sisteme moderne të armatimit.

Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake, zyrtarisht dihet se FSK-ja ka kryer porosi apo ka pranuar armë nga Shtetet e Bashkuara, Turqia e Gjermania.

Çfarë pajisje ushtarake mori Kosova nga Turqia?

Kosova kishte nënshkruar me Turqinë një kontratë për blerjen e 14 automjeteve të blinduara të tipit Vuran dhe KIRPI, prodhime të industrisë turke të mbrojtjes. Kontrata u zyrtarizua në vitin 2021, ndërsa automjetet pritej të arrinin në Kosovë në fillim të vitit 2022.

Në këtë marrëveshje, FSK ka porositur katër automjete Vuran me tërheqje 4×4 dhe dhjetë automjete KIRPI, të cilat gjithashtu janë pajisur me armatime të ndryshme për të përmbushur nevojat operacionale. Automjetet e blinduara janë shumëfunksionale dhe synohen për përdorim në detyra të ndryshme brenda dhe jashtë territorit të Kosovës. Sipas burimeve zyrtare, Kosova pritej të ishte shteti i parë i huaj që do të përdorë automjetet e tipit Vuran, duke përfituar nga bashkëpunimi i ngushtë ushtarak me Turqinë.

Financimi i këtyre blerjeve ishte mbështetur nga donacionet vjetore të Turqisë për FSK-në, që kapin vlerën e 100 milionë lira turke, ose afërsisht 9.7 milionë euro. Ky fond përdorej për të përmbushur nevojat e pajisjeve ushtarake të Kosovës përmes kontratave në dollarë amerikanë. Këto donacione konsideroheshin një mbështetje e vazhdueshme nga Turqia, e cila kishte dhuruar më parë (vitin 2019) për FSK-në automjete të blinduara të tipit Cobra.

Më 16 korrik të vitit 2023, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës kishte njoftuar se Kosova ka investuar gjithashtu në teknologji ushtarake moderne duke blerë dronë të tipit Bayraktar TB-2, të cilët ofrojnë kapacitete të avancuara për vëzhgim dhe mbrojtje. Këto përmirësime të kapaciteteve të FSK-së vijnë në një periudhë kur qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka rritur buxhetin për ushtrinë mbi 100% dhe numrin e ushtarëve mbi 80%, që nga viti 2022.

Gjatë vizitës së tij në Turqi, më 3 qershor të vitit 2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi kompaninë Baykar, të njohur për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, që janë pjesë e arsenalit të ushtrisë së Kosovës. Kurti njoftoi se pati mundësinë të shihte nga afër edhe prototipin e dronit luftarak të kompanisë, Kizilelma.

Më 3 shtator 2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pritën Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, dhe ambasadorin turk Sabri Tunç Angılı. Kurti kishte shprehur falënderim për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe theksonte se Kosova do të vazhdojë të blejë pajisje ushtarake nga Turqia, si partner kryesor. Diskutimet përfshinë edhe mundësitë për bashkëpunim në prodhimin e municionit dhe investimet turke në industrinë e mbrojtjes në Kosovë.

Së fundmi Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes më 24 tetor, gjatë një vizite në Turqi, në takime me drejtuesit e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe prodhues të sistemeve ushtarake, njoftoi se ishte diskutuar për inovacionet në industrinë e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore. Sipas Maqedoncit, Turqia mbetet një partner kryesor i Kosovës për blerjet e armatimeve, duke forcuar aleancën strategjike për mbrojtje, siguri dhe paqe.