Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Siguri

Çka dihet deri më tani për fabrikën e municionit të Kosovës?

Përgatiti: Fatbardh Dema

“Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk ‘Makine ve Kimya Endüstrisi’ (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes”.

Kështu u shpreh gjatë ditës së djeshme (16 dhjetor), kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kryeministri tha se kompania turke MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve “e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se në këtë kontratë, “përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim”.

“Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, deklaroi kryeministri.

Por, ku e ka fillin kjo ide?

Më 3 shtator 2024, kryeministri Kurti pati njoftuar se ka biseduar në Prishtinë me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për prodhimin e municionit, pati thënë zyra e kryeministrit Kurti.

“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”, thuhej në njoftim.

Pastaj, më 27 nëntor, në mbledhje e qeverisë, Kurti tha se po atë ditë nënshkroi një vendim të rëndësishëm që lidhet me Ushtrinë e Kosovës.

Ai bëri të ditur se do të themelohet një komision ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe një laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës.

“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar edhe garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë në tërësi. Andaj me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha kryeministri.

E të hënën (16 dhjetor), edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u deklarua për këtë çështje.

“Edhe një hap i radhës, në rrugën tonë që ta bëjmë Kosovën me industri të mbrojtjes. Për mbrojtjen e Kosovës dhe sigurinë e saj. Hap që rrit sigurinë tonë e kontribuon edhe në paqen rajonale e më gjerë! Vazhdojmë me punë të mbara”, u shpreh Maqedonci në Facebook, duke iu referuar nënshkrimit të kontratës me kompaninë turke.

Ndërkaq, ministri në fjalë tha se fabrika “do të jetë një ndërmarrje publike që do të menaxhojë komplet fabrikën dhe qëllim kryesor do të ketë prodhimin e municione 5.56 dhe 7.62”.

“Ne kemi nënshkruar kontratën dhe pas nënshkrimit fillon edhe puna për funksionalizimin e kësaj fabrike. Do të jetë një ndërmarrje publike që do të menaxhojë komplet fabrikën dhe qëllim kryesor do të ketë prodhimin e municioneve 5.56 dhe 7.62, municione këto që përdoren nga njësitë e këmbësorisë dhe njësitë ushtarake dhe që janë municionet që më së shumti shpenzohen edhe gjatë operacioneve por edhe gjatë trajnimeve”, tha Maqedonci për “EuroNews Albania”.

I pyetur se kur mund të fillojë punën fabrika, Maqedonci tha: “Sigurisht se do të jetë brenda fazës së parë, pra pjesës së parë të mandatit të ardhshëm qeverisës”. 

Për nënshkrimin e kontratës, u deklarua edhe kompania turke përmes një postimi në Facebook.

“Janë vënë nënshkrimet për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municione sipas standardeve të NATO-s. Jemi krenarë që kemi kontribuuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë duke forcuar vendin tonë mik dhe motër Kosovën me këtë kontratë të nënshkruar”, u tha në këtë postim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur të martën (17 dhjetor) rreth marrëveshjes së nënshkruar dje për hapjen e fabrikës së prodhimit të municioneve në Kosovë.

Sveçla ka theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për forcimin e kapaciteteve të Kosovës në prodhimin e municioneve, jo vetëm për Ushtrinë e Kosovës, por edhe për Policinë e Kosovës.

Ai ka shpjeguar se “puna do të nisë shumë shpejt” dhe se kontrata e nënshkruar me prodhuesin turk shtetëror “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) do të realizohet brenda afateve të kërkuara teknike.

“Dje është nënshkruar kjo marrëveshje apo kontratë me quajtur ashtu siç është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. Republika e Kosovës do të ndërtojë kapacitetet për të prodhuar municionet e nevojshme për ushtrinë, por edhe për Policinë e Kosovës, besoj se duke parë kontratën shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe në afatin rekord brenda kërkesave teknike kjo do të realizohet. Vullneti ynë është që kjo të bëhet sa më parë, ka gatishmëri edhe nga pala tjetër ata të fillojnë menjëherë dhe të ketë angazhim serioz që kjo të kryhet me sukses. Me përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur ne dhe ka qenë evidente do të tejkalohet qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale, qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme, po ashtu edhe në trajtimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucione që përdorin këtë lloj të municione”, ka deklaruar Sveçla.

Çka dihet deri më tani?

Në deklarimet publike të kreut të qeverisë, Albin Kurti, të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, por edhe të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, sikurse edhe të kompanisë turke MKE, janë dhënë pak detaje mbi ndërtimin e kësaj fabrike.

Krejt çka është thënë është se fabrika do të ndërtohet “shumë shpejt” (ministri Sveçla) dhe “në pjesën e parë të mandatit të ardhshëm qeverisës” (ministri Maqedonci), se ajo do të shërbejë për FSK-në dhe për Policinë e Kosovës, dhe se qëllim kryesor do të ketë prodhimin e municioneve 5.56 dhe 7.62.

Deri më tani, askush nga aktorët e përfshirë në këtë marrëveshje, e cila u tha se u nënshkrua të hënën (16 dhjetor), nuk ka dhënë detaje se ku dhe kur saktësisht do të ndërtohet fabrika, sikurse që nuk janë dhënë detaje as për kapacitetin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *