Shkroi: Endrit Berisha
Kosova është bërë anëtarja më e re e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në një votim që u mbajt të hënën në Samitin e mbajtur në Sofje të Bullgarisë. Shumica e votave ishin pro, një ishte kundër dhe 14 abstenuan. (shih këtu)
Mirëpritja në Kosovë e kundërshtimi në Serbi
Udhëheqës institucionesh të Kosovës e kanë mirëpritur avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka quajtur të shkëlqyer vendimin.
“Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destin i Kosovës. Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta”, ka shkruar ai në Facebook.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në NATO.
“NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që të dëgjohet zëri i njerëzve më pro-NATO në Tokë. Do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar ajo në X (ish-Twitter).
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hap të rëndësishëm në integrimin euroatlantik avancimin e statusit të Kosovës.
“Ky lajm është veçanërisht i përshtatshëm, pasi vjen në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, një prej arritjeve më të mëdha të NATO-s”, ka shkruar Kurti në X.
Në anën tjetër,Serbia ka bërë përpjekje për ta penguar Kosovën. Nëpërmjet një letre, delegacioni i Parlamentit të Serbisë ka kërkuar që Kosovës të mos i avancohet statusi duke e konsideruar dhënien e statusit të tillë si shpërblim për Prishtinën, që sipas Beogradit, po bën gjithçka për ta penguar dialogun mes dy vendeve dhe po shmang obligimet nga marrëveshjet e dakorduara.
Pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kjo i ka ekspozuar “politikat e dyfishta të Perëndimit”. Sipas tij, “terrori i Albin Kurtit po përkrahet haptas nga fuqitë e mëdha”.
“Siç e kemi parë, as garancitë e BE-së as të NATO-s s’janë të vlefshme kur bëhet fjalë për serbët, andaj jemi dëshmitarë të një tjetër përmbysjeje të vlerës për hir të interesave gjeopolitike të dikujt në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi dëshmitarë se sa shumë, sidomos kohëve të fundit, po ushtrojnë presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë që një Serbi e fortë e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, është gjemb në këmbë për fuqitë e shumta perëndimore”, ka thënë Petkoviqi, në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e zyrës që ai udhëheq. (shih këtu)
Fjalim gjatë samitit të mbajtur në Sofje pati Goran Rakiq si përfaqësues i delegacionit serb. Rakiq në Kosovë ka shërbyer si zëvendëskryeministër si dhe si ministër. Dikur ishte prijës edhe i Listës Serbe. Në fjalimin e tij, Rakiq përmendi Marrëveshjen e vitit 2013 që lidhet me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke akuzuar Prishtinën se nuk e ka zbatuar.
Asambleja Parlamentare e NATO-s dhe statusi i asociuar
Asambleja Parlamentare e NATO-s që nga krijimi në vitin 1955 ka shërbyer si forum unik për anëtarët e parlamenteve nga e gjithë Aleanca Atlantikepër të diskutuar dhe ndikuar në vendimet mbi sigurinë e Aleancës. Asambleja ndihmon në forcimin e marrëdhënieve trasantlantike dhe vlerave që mbështesin Aleancën. Asambleja Parlamentare e NATO-s është e ndarë institucionalisht nga NATO-ja, por shërben si lidhje thelbësore midis NATO-s dhe parlamenteve të vendeve të NATO-s.
Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Asambleja Parlamentare e NATO-s ka marrë detyrë të re duke i integruar në punën e vet parlamentarë nga shtetet që kërkojnë lidhje më të ngushtë me NATO-n.
Sipas publikimit në faqen zyrtare të NATO-s në mars, Asambleja Parlamentare e NATO-s ka 274 delegatë nga 32 shtete anëtare(shih këtu). Secili delegacion bazohet në madhësinë e shtetit dhe reflekton përbërjen politike të parlamentit të vet, prandaj ky institucion përfaqëson spektër të gjerë të opinionit politik. Delegatët emërohen nga parlamentet e tyre, sipas procedurave kombëtare. Pos delegacioneve anëtare, sipas publikimit të NATO-s, deri tash kanë qenë 10 shtete me status të asociuar, 4 shtete mesdhetare të asociuara dhe tetë delegacione mbikëqyrëse që merrnin pjesë në aktivitetet e Asamblesë Parlamentare.
Anëtare e asociuar në të njëjtën ditë me Kosovën u bë edhe Malta (shih këtu).
Anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e komiteteve dhe nënkomiteteve, seminare e seancat plenare. Aty mund të prezantojnë rezoluta dhe amendamente për to. Mund të shërbejnë edhe si raportues specialë të asociuar nëpër komitete. Por nuk lejohet të votojnë në raporte, rezoluta apo udhëheqësinë e Asamblesë, si dhe as të kontribuojnë në buxhetin e Asamblesë.
Historiku i NATO-s në Kosovë
Lidhja e Kosovës me NATO-n daton nga viti 1999. KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë u themelua kur përfundoi fushata ajrore mbi regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Mandati i KFOR-it derivon nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes ushtarako-teknike mes NATO-s dhe Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë.
Qëllimet fillestare të KFOR-it ishin të pengohej ringjallja e armiqësive, të krijohej mjedis i sigurt dhe të garantohej siguri e rend publik, të çmilitarizohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështeteshin përpjekjet ndërkombëtare humanitare dhe të koordinohej e mbështetej prania civile ndërkombëtare.
Sot KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e ambientit të sigurt në Kosovë. NATO-ja në faqen për Kosovën dhe rolin e KFOR-it thotë se e përkrah fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Tensionet e vitit 2023 në Kosovë dhe rajon kanë nxitur NATO-n ta rrisë numrin e pjesëtarëve të KFOR-it. Në vjeshtën e vitit të shkuar, forcat aleate miratuan kërkesën për shtim të trupave në rreth 4500. Kur nisi operimin në Kosovë, KFOR-i kishte rreth 50 mijë trupa. Shifra është ulur gradualisht ndër vite.
KFOR-i është reaguesi i tretë në raste të incidenteve të sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Komandanti i KFOR-it mban takime të rregullta me udhëheqës të rëndësishëm në Prishtinë e Beograd. (shih këtu)
Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Aspirata për anëtarësim dhe pengesat
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Kosova kërkoi anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Qysh gjatë atij viti, Kosova shprehu synimin për anëtarësim në një nga programet e NATO-s, Partneriteti për Paqe.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve euroatlantike partnere dhe NATO-s. Ky program ua lejon partnerëve të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim me NATO-n. Programi është krijuar më 1994.
Qëllimi kryesor i Partneritetit për Paqe është të shtojë stabilitetin, të zvogëlojë kërcënimet ndaj paqes e të ndërtojë raporte të forta sigurie mes partnerëve individualë dhe NATO-s. Në Partneritetin për Paqe bën pjesë edhe Serbia.
Vetë NATO-ja ka derën e hapur për çdo shtet evropian që është në gjendje të zotohet e të marrë obligimet e anëtarësimit dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës euroatlantike. Prej 1949-s, NATO-ja është rritur nga 12 në 32 shtete anëtare, nëpërmjet 10 rundeve të zgjerimit. Suedia është anëtarja e fundit që iu bashkua NATO-s më 7 mars (shih këtu).
Çdo anëtarësim kërkon konsensus të plotë të të gjithë anëtarëve. E kjo konsiderohet pengesa kryesore për Kosovën, pasi nga shtetet anëtare, katër nuk ia njohin pavarësinë: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.