BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Marco Rubio, i përfoluri për Sekretar të Shtetit në ShBA dhe raportet e tij me Kosovën

Përgatiti: Fatbardh Dema

Marco Rubio, senator i Partisë Republikane nga Florida, ShBA, është emri që po përflitet më së shumti në mediat amerikane për pozitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit në administratën e re Trump.

Por, kush është Rubio dhe raporti i tij me Trumpin dhe Kosovën?

Pretendenti për postin e tretë më të lartë në Qeverinë Federale Amerikane (pas Presidentit dhe Zëvendëspresidentit), dikur ishte një kritik i ashpër i presidentit të ri të zgjedhur, Donald Trump.

Më 2016, Trump dhe Rubio po garonin për president dhe kishin kaluar edhe në ofendime personale, ku Trump e quante Rubion në jo pak raste si “Marko i vogël”, kurse ky bënte komente për “duart e vogla” të Trumpit. (këtu)

Por, pasi Trumpit zyrtarizoi fitoren më 2016, Rubio nisi t’i rregullonte raportet me të. Ai shërbeu si këshilltar joformal i politikës së jashtme, ndërsa edhe e ndihmoi Trumpin në përgatitjen e debatit të tij të parë me Bidenin në vitin 2020.

Rubio shprehu mbështetje për Trumpin edhe në zgjedhjet e atij vitit, edhe në të fundit, që u mbajtën më 5 nëntor.

Ndërkaq, si senator, Rubio në jo pak raste ishte marrë edhe me çështjen e Kosovës dhe Serbisë, dhe Ballkanit në përgjithësi.

Më 2011, në një fjalim mbi rolin e ShBA-së në botë, ai thoshte: “Forcat e armatosura amerikane kanë qenë një nga forcat më të mëdha të së mirës në botë gjatë shekullit të kaluar. Ato ndaluan nazizmin dhe komunizmin dhe të këqijat e tjera si spastrimi etnik serb. Kanë ndihmuar në lindjen e demokracive nga Gjermania në Irak. Kanë shpërndarë ndihma dhe kanë kryer detyra të panumërta në shërbim të kombit tonë”.

Rubio aktualisht shërben si nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe është anëtar i Komitetit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Më 4 shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm Donald Trump, u arrit Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pjesë e marrëveshjes ishte edhe njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Vendet kishin vendosur marrëdhëniet diplomatike vetëm më 1 shkurt të vitit pasues, në një ceremoni virtuale si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Senatori nga Florida e kishte mirëpritur lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet, sikurse edhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkruante Rubio në X.

Ndërkaq në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh të cilët i dërguan një letër presidentit amerikan Joe Biden, për ta inkurajuar atë që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

Aty theksohej ndikimi destabilizues i Rusisë në Ballkan, për, siç thuhej, “t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë”.

Rubio, bashkë me një grup senatorësh e kongresistësh, vitin e kaluar kishin pritur në takim presidenten Vjosa Osmani, gjatë një vizite të saj në Uashington.

“Në frymën e raporteve historike të shkëlqyera me ShBA-në, Presidentja Osmani i ka falënderuar miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan, duke përcjellur edhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e tyre për vendin tonë ndër vite. Në këtë drejtim, ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit me aleatin kryesor të Kosovës edhe përmes Dialogut Strategjik, iniciativë kjo e dorëzuar nga Presidentja Osmani në fillim të vitit të kaluar”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Veç me Osmanin, Rubio ka zhvilluar takim edhe me ish-presidentin Hashim Thaçi, në vitin 2018.

“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, thoshte në atë kohë njoftimi i Presidencës.

Në zgjedhjet e 5 nëntorit, kandidati republikan Donald Trump mposhti në zgjedhje rivalen e tij demokrate, nënpresidenten aktuale Kamala Harris.

Trump do të betohet në inaugurimin e tij, ceremoni e cila mbahet gjithmonë më 20 janar, siç përcaktohet nga Amendamenti i 20-të i Kushtetutës.

Presidenti i zgjedhur bëhet president menjëherë pas betimit. Presidenti i ri zakonisht zhvendoset në Shtëpinë e Bardhë pas ceremonisë. /Kosovofacts