Ballina Fakte për... Zhvillime

Paralajmërimet për konflikt dhe luftë – të gjitha deklaratat në Kosovë dhe rajon

Këtë muaj mbushen 2 vjet nga pushtimi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, që ka nxitur deklarata të shumta nëkontinentin evropian për mundësinë e zgjerimit të konfliktit edhe në rajone të tjera, duke përfshirë Kosovën.

Sulmi i armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit 2023, e ka ngritur alarmin në Kosovë, për mundësinë e përsëritjes. Tre muaj më vonë, në dhjetor 2023 kryeministri Albin Kurti ka thënë se ish-zv/kryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq që e ka marrë përgjegjësinë për sulmin na Banjskë, po përgatitë sulme të reja. “Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’”, ka thënëKurti. (këtu)

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vitin e kaluar e kishte akuzuar Serbinë se ka për synim të shkaktojë luftë të re.  “Serbia është ende e udhëhequr nga mendësia e viteve ’90. Ata duan të rrëmbejnë territorin nga fqinjët e tyre, duan të shkaktojnë më shumë vuajtje dhe luftë”, kishte thënë Presidentja Osmani, gjatë një vizite në SHBA. (këtu)

Në fillim të vitit 2024, u publikua informacioni që Kosova ka porositur 246 raketa anti-tank, Javelin në vlerë 75 milionë dollarë, për të përforcuar mbrojtjen e saj. Pas aprovimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pritet aprovimi final nga ana e Kongresit amerikan. (këtu)

Kosova gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi më një tjetër aleat të NATO-s, Turqinë, siç ka njoftuar ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci. (këtu)

Edhe Serbia ka paralajmëruar mundësinë e konfliktit dhe ka vazhduar përforcimet ushtarake, kryesisht nga aleati i saj kryesor, Rusia. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar prezantimin e sistemit anti-dron nga Rusia. Shteti fqinj gjithashtu ka thënë se do të vazhdojë me planet për ta bërë shërbimin ushtarak të detyrueshëm. (këtu)

Ministri i Jashtëm në detyrë, Ivica Daçiq duke reaguar për pajisjen ushtarake të Kosovës nga SHBA-të, ka thënë se “sikur Serbia të vendosë ta sulmojë Kosovën atë nuk do ta shpëtojnë as 1 milionë Javelinë”. (këtu)

Kërcënimin më serioz e ka bërë politikani i njohur për teori konspirative, Branimir Nestoroviq. (këtu)

Njeriu që fitoi mbi 5 % në zgjedhjet parlamentare, dhe mund të jetë faktor vendimtar në qeverinë e re në Beograd, ka thënë në fund të janarit se “Serbia duhet ta sulmojë Kosovën, por jo menjëherë”. (këtu)  

Alarmi për konflikt është përhapur tash e një kohë edhe në shtetin tjetër të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë e Herecegovinë, dhe është përforucar nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të liderit serb të Republika Srpska, Milord Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mesazhe për shkëputjen e këtij rajoni nga Federata e Bonjës Hercegovinës u dhanë edhe në manifestimet anti-kushtetuese të 9 janarit, të mbajtura në Banja Llukë. (këtu) 

Përtej rajonit, mundësia e konfliktit në Evropë është dhënë edhe nga zyrtarë të lartë të shteteve dhe organizatave.

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer tha në janar se “Aleanca po ballafaqohet me rrezikun më të madh në dekada”, duke bërë thirrje për “transformimin e NATO-s për gjendje lufte”. “Le të jemi gati për gjithçka”, tha ai. (këtu)

Një deklaratë edhe më e drejtpërdrejtë erdhi nga Ministri për Mbrotje Civile i Suedisë, Carl – Oskar Bohlin, i cili u tha bashkëkombësve të tij se “lufta do të mbrrijë në Suedi”. (këtu)

Suedia, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, gjendet në fazën finale para anëtarësimit në NATO. Pas kalimit të pengesës nga Turqia, tani Hungaria mbetet vendi i fundit i Aleancës që pritet të miratojë anëtarësimin e saj. (këtu)

Më herët në vitin 2023, shteti fqinj, Finlanda gjithashtu u bë pjesë e aleancës trans-atlantike.

Deklarata për mundësinë e zgjerimit të konfliktit ka dhënë edhe Ministri i Mbrotjes i Gjermanisë, Boris Pistorius. 

“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini çdo ditë…prandaj duhet të kemi parasysh që Vladimir Putin një ditë mund të sulmojë edhe ndonjë vend anëtar të NATO-s”, ka thënë Pistorius në një intervistë për gazetën gjermane, Der Tagesspiegel. (këtu)

Zyrtari i lartë gjerman pritet ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme. 

Edhe ministri i jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis ka paralajmëruar zgjerimin e luftës me Rusinë në pjesë të tjera të Evropës. “Ka shumë mundësi që Rusia të mos ndalet në Ukrainë. Ka një skenar që nëse Ukraina nuk fiton, kjo nuk do të përfundojë mirë për Evropën”, i ka thënë ai AFP-së. (këtu)

X