Ballina Fakte për... Zhvillime

Pozicioni ndërkombëtar i Kosovës

Më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, e njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, sipas Deklaratës së Pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt 2008. Kosova është anëtarësuar në një sërë organizatash ndërkombëtare, por ka dështuar në disa të tjera, si pasojë e mospranimit në OKB. Synim i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por Kosova mbetet i vetmi vend në rajon, që nuk e ka marrë statusin e kandidatit, edhe pse e ka dorëzuar aplikacionin, në dhjetor 2022.

NJOHJET NDËR-SHTETËRORE

Njohja e parë e Republikës së Kosovës ka ndodhur nga Kosta Rika. Më pas, në ditët e para Kosova është njohur edhe nga shtetet kryesore demokratike në botë si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Turqia dhe të tjera. Izraeli, në vitin 2020 është shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Numri i saktë i njohjeve është i diskutueshëm, por në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme janë të listuara 117 shtete që e kanë njohur Kosovën. (këtu)  

Serbia pretendon të ketë arritur të bindë rreth 15 shtete, kryesisht afrikane të tërheqin njohjen e Kosovës, gjë që është hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës.

Kosova njihet nga 22 prej 27 shteteve të Bashkimit Evropian, kurse njohjet kanë ardhur nga të gjitha kontinentet. Në kontinentin aziatik njohjet përfshijnë, Tajlandën, Japoninë, Korenë Jugore, Malejzinë.

Në Afrikë, shtete si Egjipti, Nigeria, Libia, Tanzania e të tjera e kanë njohur Kosovën, kurse lista është më e shkurtër në Amerikën Qendrore dhe Jugore, me shtete njohëse si: Peruja, Kolumbia, Hondurasi, El Salvador apo Panama, ku Kosova ka një ambasadë.

Në mesin e mosnjohësve më të mëdhenj përfshihen shtete në Evropë si Spanja, Ukraina e Rusia – Brazili e Argjentina në Amerikën Jugore, India e Kina në Azi, apo Afrika e Jugut në Afrikë.

ANËTARËSIMI NË ORGANIZATA  DHE INSTITUCIONE NDËRKOMBËTARE

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, janë në mesin e disa organizatave globale, ku Kosova ka fituar anëtarësim pak kohë pas shpalljes së saj të pavarësisë. Kosova gjithashtu është anëtare e Bankës Evropiane për Zhvillim (EBRD) që nga viti 2013.

Në rrafshin sportiv, Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014, kursë në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.  Sukseset më të mëdha i ka arritur në xhudo, me medalje të arta olimpikë në Rio 2016 me Majlinda Kelmendin, dhe me Nora Gjakovën e Distria Krasniqin, në vitin 2020.

DËSHTIMI PËR PRANIM NË ORGANIZATA DHE INSTITUCIONE NDËRKOMBËTARE

UNESCO

Një nga dështimet më të mëdha të Kosovës në përpjekjet për njohje ndërkombëtare është mosrealizimi i pranimit në UNESCO, përkundër faktit se kishte një fushatë të gjatë në këtë proces. Në votimin në vitin 2015, Kosova dështoi të anëtarësohet për duke i munguar 3 vota nga 2/3 sa i duheshin. 92 shtete votuan për, 50 kundër dhe të tjera shtete abstenuan. Anëtarësimi në UNESCO do të mundësonte miliona euro fonde në kulturë dhe edukim. (ketu)

INTERPOL

Kosova ka dështuar për të marrë njohjen në organizatën më të madhe botërore të Policisë, të njohur si Interpol. Dështimi ka ndodhur në 3 përpjekje të ndryshme, me vendin që nuk ka arritur të fitojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëatare me të drejtat e plota. Kosova provoi anëatërësimin në vitet 2015, 2016 dhe 2017, por asnjëhere nuk i arriti 2/3 e votave, që ishte 88 shtete. (ketu)

EBU

Edhe pse transmetuesi publik, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka bashkëpunim dhe përfiton nga programet e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), ai nuk është anëtar i barabartë i kësaj organizate të rëndësishme. Rrjedhimisht, Kosova nuk përfaqësohet në festivalin evropian të këngës, Eurovision.

X