Ballina BallinaBottom Fakte për... Siguri

Trupat ushtarake amerikane në Kosovë – çka dihet deri më tani

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u miratua më 10 qershor 1999 dhe më 12 qershor, elementët e parë të Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO, hynë në Kosovë. Deri më 20 qershor, tërheqja e forcave serbe kishte përfunduar.

KFOR-i fillimisht përbëhej nga rreth 50,000 burra dhe gra nga vendet anëtare të NATO-s, vendet partnere dhe vendet jo anëtare të NATO-s nën komandë dhe kontroll të unifikuar. Në fillim të vitit 2002, KFOR-i u reduktua në rreth 39,000 trupa. Mjedisi i përmirësuar i sigurisë i mundësoi NATO-s të reduktojë nivelet e trupave të KFOR-it në 26,000 deri në qershor 2003, pastaj në 17,500 deri në fund të 2003 dhe sot, në mbi 4600 trupa që vijnë nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Cilat vende e përbëjnë KFOR-in aktualisht?

Sipas uebfaqes zyrtare të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, aktualisht në KFOR kontribuojnë 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s, me gjithsej 4,686 trupa.

Me numrin më të madh të personelit ushtarak, aktualisht është Italia me 1258 trupa, e ndjekur nga ShBA-jame 602.

Shqipëria 90, Armenia 57, Austria 105, Bullgaria 127, Kanadaja 5, Kroacia 152, Republika Çeke 35, Danimarka 35, Finlanda 70, Franca 3, Gjermania 269, Greqia 121, Hungaria 365, Irlanda 13, Italia 1258, Letonia 140, Lituania 1, Moldavia 44, Mali i Zi 2, Maqedonia e Veriut 67, Polonia 247, Rumania 182, Sllovenia 109, Suedia 3, Zvicra 211, Turqia 325, Mbretëria e Bashkuar 47 dheShtetet e Bashkuara 602.

A po tërhiqen trupat amerikane nga Kosova?

Ndryshimi i administratës shtetërore në ShBA ka vënë në lëvizje vendet evropiane për sa i përket sigurisë.

Media të ndryshme ndërkombëtare, mes tyre e përditshmja “Bild” në Gjermani, javën që lamë pas publikoi një artikull që u bë temë diskutimi.

Aty u tha se “Italia po përgatitet gjithashtu për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova, sipas informacioneve të BILD”.

“Atëherë aleatët evropianë do të qëndronin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Alleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, u tha në këtë artikull.

Për këtë çështje është deklaruar Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Në një përgjigje për agjencinë shtetërore turke të lajmeve (versioni në gjuhën shqipe) “Anadolu”, thuhet se lajmi i publikuar fillimisht nga gazeta gjermane “Bild” dhe më pas i shpërndarë nga shumë mediume në Kosovë dhe jashtë saj, është dezinformatë.

“Ky lajm, i cili është përhapur në disa portale dhe mediume televizive, është dezinformatë e nxitur nga aktorët e jashtëm të cilët kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe Ballkanit Perëndimor. Tërheqja e trupave amerikane të KFOR-it nuk do të bëhet, aq më tepër kur dihet që vendimet e tilla qoftë për vendosje apo tërheqje të trupave nuk bëhen në mënyrë ad-hoc”, citon “Anadolu” të ketë thënë ministria.

Se trupat amerikane do të mund të largohen nga Kosova nuk e ka konfirmuar edhe një zyrtar i NATO-s në KFOR, i cili në një përgjigje për Anadolu theksoi përkushtimin e ShBA-së ndaj Aleancës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, duke përfshirë edhe praninë e ShBA-së në Evropë si dhe nevojën që mbrojtja dhe parandalimi i NATO-s të mbeten të fuqishme. Në këtë kuadër, ShBA-ja ka theksuar gjithashtu pritshmërinë e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”, thuhet në përgjigje.

Sipas këtij zyrtari, NATO-ja është vazhdimisht në përshtatje me mjedisin në ndryshim dhe “kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar e gatshme”.

Tutje, në përgjigje theksohet angazhimi thelbësor i trupave amerikane në kuadër të KFOR-it si dhe angazhimi i palëkundur i KFOR-it për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol thelbësor brenda KFOR-it, përmes kontributit të tyre të gjatë, i cili aktualisht përfshin mbi 600 trupa”, shtoi zyrtari i NATO-s.

Sa herë “u tërhoqën” trupat amerikane nga Kosova?

Vitet e fundit, “tërheqja” amerikane nga Kosova është njoftuar në disa raste.

Ishte ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Christopher Dell, ai që publikisht më 2011 kishte paralajmëruar për mbylljen eventuale të Kampit Bondsteel.

Në një intervistë për Balkan Insight, Dell citohet të ketë thënë: “[Bondsteeli] është një përgjegjësi e madhe, një pronë shumë e shtrenjtë, dhe ne nuk kemi dëshirë ta mbajmë atë më gjatë se sa është absolutisht e nevojshme për mbështetjen e pranisë sonë këtu… ne mund të flasim edhe për vazhdimin e rolit të ShBA-së këtu pa Kampin Bondsteel”.

Në mars të vitit 2020, sërish erdhën paralajmërime për mbylljen e këtij kampi ushtarak – kësaj radhe nga dy senatorë amerikanë.

Ishin senatorët David Perdue dhe Rand Paul që patën thënë se ShBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

Ky paralajmërim erdhi si “kërcënim” ndaj qeverisë Kurti e cila pati vendosur tarifën 100% ndaj mallrave serbe, ndërsa ShBA-ja kërkonte shfuqizimin e saj.

Këto dy paralajmërime ishin hedhur poshtë. Koloneli Jeffrey Layton, komandant i atëhershëm i forcave amerikane në Kosovë, më 2012 pati thënë për median në gjuhën serbe “Blic” se forcat amerikane do të largohen nga Kosova “vetëm kur të sigurohet liria e lëvizjes për të gjithë”.

Edhe në qershor 2020, nga Administrata e atëhershme amerikane, nën drejtimin e Donald Trump, erdhi njoftimi se trupat amerikane, jo vetëm që nuk do të largohen nga Kosova, por se të njëjtëve do t’u zgjatet mandati.

Dhe paralajmërimi i fundit u bë rishtazi në gazetën gjermane “Bild”, ku u tha se Italia po përgatitet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Nga ShBA-ja ende nuk ka ndonjë deklarim për këtë çështje, mirëpo ky pretendim i gazetës gjermane është hedhur poshtë nga një zyrtar i NATO-s, por edhe nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

Të dhëna për kampin Bondsteel

Komanda Rajonale-Lindje (RC-E) është një komandë e NATO-s, me seli në kampin “Bondsteel”, që gjendet afër Ferizajt në pjesën juglindore të Kosovës.

Komanda Rajonale-Lindje përfaqëson një grup të plotë të NATO-s dhe vendeve partnere kontribuuese dhe është e organizuar me katër elementë shumëkombëshe, përveç selisë së RC-E: batalioni kinetik, batalioni jo-kinetik, grupi i punës për mbështetjen e përgjithshme të aviacionit dhe një grup mbështetës logjistik.

Batalioni kinetik përfaqëson komponentin manovrues të RC-E, i caktuar për të mbështetur organizatat vendore dhe ndërkombëtare (Policinë e Kosovës dhe EULEX-in) në rast se gjendja e sigurisë në Kosovë përkeqësohet. Njësitë manovruese mund të dislokohen me shpejtësi në të gjithë Zonën e Përgjegjësisë (AoR) së RC-E, duke operuar për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Shumica e trupave të batalionit kinetik vijnë nga ShBA, Polonia dhe Turqia.

Në vend të kësaj, batalioni jo-kinetik mbështet ndërgjegjësimin e situatës dhe fushatën e komunikimit në RC-E AoR duke ndërlidhur me autoritetet lokale, Organizatat Ndërkombëtare dhe OJQ-të. Ai bashkëpunon për ruajtjen e një Mjedisi të Sigurt dhe për Lirinë e Lëvizjes, monitorimin dhe identifikimin e hershëm të situatave të sigurisë, socio-ekonomike dhe politike. Batalioni jo-kinetik operon me asete të quajtura Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese (LMT), të cilat kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet të gjitha komuniteteve të zonës, por edhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj KFOR-it.

Në këtë njësi marrin pjesë trupa nga Greqia, Italia, Sllovenia, Finlanda, Hungaria dhe Zvicra.

Task Forca e mbështetjes së përgjithshme të aviacionit, e përbërë nga avionët me krahë rrotullues UH-60 “Blackhawk”, ofron transport të viktimave mjekësore dhe lëvizshmëri ajrore për të gjitha trupat e KFOR-it.